Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Tërheqje “speciale”


Kryeministri Ramush Haradinaj (majtas), presidenti Hashim Thaçi (në mes), dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli (djathtas).

Trysnia e shtuar ndërkombëtare dhe paralajmërimet nga diplomatët perëndimorë për pasoja të ashpra, i kanë shtyrë liderët institucionalë në Kosovë që të deklarohen se nuk e mbështesin nismën për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe me termin unik, Gjykata Speciale.

Aktualisht, nisma e 43 deputetëve, e iniciuar më 22 dhjetor të vitit të kaluar, ndodhet në Qeverinë e Kosovës, e cila pritet të japë një mendim lidhur me atë se a duhet të vazhdojë kjo nismë apo jo. Por, vetë kryeministri Ramush Haradinaj nuk e ka përjashtuar mundësinë që Qeveria e tij të mos deklarohet fare. Ndërkohë, që presidenti Hashim Thaçi është deklaruar se Gjykata Speciale nuk mundet dhe nuk do të shfuqizohet.

Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se një qëndrim i prerë si ai i presidentit Thaçi, është dashur të dëgjohet qysh më 22 dhjetor, në ditën kur ishte iniciuar ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

"Këto ndryshime kaq drastike të qëndrimeve të politikanëve për çështje kaq të ndjeshme, siç është Gjykata Speciale, tregojnë një veti të politikanëve që nuk janë seriozë dhe të cilët e vendosin definitivisht interesin personal mbi atë të përgjithshëm”, thekson Krasniqi.

Pozicionimi i liderëve kundër shfuqizimit të Ligjit për Specialen, sipas Krasniqit, mund të jetë paksa i vonshëm, pasi që në arenën ndërkombëtare tashmë Kosovës dhe imazhit të saj i është shkaktuar dëm mjaft i madh.

“Pra, edhe pse vonë, konsideroj se dëmet tashmë janë shkaktuar për shkak se po e vendosin Kosovën si një shtet joserioz karshi obligimeve ndërkombëtare, të cilat i kanë marrë", vlerëson Krasniqi.

Nisma e deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, pasoi një peticion të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me të cilin kërkonin nga Kuvendi i Kosovës ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

Peticioni Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Peticioni Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Kjo nismë, kishte nxitur reagime të ashpra ndërkombëtare, kryesisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe vendeve tjera të Kuintit në përgjithësi.

Analisti Krasniqi mendon se politikanët në Kosovës u vetëdijesuan edhe pas paralajmërimeve për sanksione serioze që bashkësia ndërkombëtare mund të ndërmarrë në drejtim të tyre.

"Besoj se tërheqja ka ardhur pasi që u bë e qartë se ata do të përballen me pasoja individuale”.

“Këto kanë qenë sinjale për gjithë klasën politike që kërcënimet nëse mund t'i quaj kështu të bashkësisë ndërkombëtare, nuk kanë qenë vetëm deklarata, por që vërtet kanë pasur për qëllim që t'i përballin me këto pasoja nëse do të merreshin iniciativa të tilla. Ky ndryshim i qëndrimeve ka ardhur kur është parë serioziteti i bashkësisë ndërkombëtare karshi çështjes së Gjykatës Speciale", tha Krasniqi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në fillim kur ishte prezantuar ideja e shfuqizimit të Ligjit për Specialen, pati deklaruar se do ta respektonte vendimin dhe vullnetin e deputetëve, së fundmi ka deklaruar se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.

"Është e qartë dhe po ua them se me bisedat që kam zhvilluar me shumicën e liderëve politikë, me kryeparlamentarin Veseli dhe me kryeministrin Haradinaj, Gjykata Speciale nuk mund të shfuqizohet dhe nuk do të shfuqizohet”.

“Ky është qëndrim i shtetit të Kosovës, jo opinion i prezantuar prej presidenti të vendit dhe në bazë të hierarkisë institucionale, kushtetuese dhe ligjore", është shprehur Thaçi.

Porosia e ambasadorit Delawie rreth nismës së deputetëve për Specialen
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ia ka dërguar Qeverisë nismën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale, në mënyrë që ekzekutivi ta japë mendimin e saj.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar Gjykatën Speciale si “të padrejtë për Kosovën”, por ka deklaruar se kjo çështje ende është duke iu nënshtruar aspektit procedural në ekzekutiv. Haradinaj ka thënë se e respekton qëndrimin e institucioneve, sipas hierarkisë.

"Radhitja është presidenti, Kuvendi, kryeparlamentari dhe Qeveria. Ne jemi në shërbim të Kuvendit dhe ashtu mbetemi. Tani nuk kemi një qëndrim rreth kësaj teme, sepse është në procedurë të rregullt ", ka deklaruar Haradinaj.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendi të Kosovës, Kadri Veseli, në një editorial të shkruar kishte thënë se "Gjykatën Speciale më së paku në botë e ka merituar Kosova që t’i ndodhë, por ajo do të ndodhë, edhe pse ka qindra argumente që flasin kundër saj!”

Kuvendi i Kosovës më 3 gusht të vitit 2015, pati miratuar me procedurë të përshpejtuar Ligjin për Gjykatën Speciale.

Miratimi ishte bërë me shumicë votash, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

Ligji për Gjykatën e Posaçme është hartuar nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë shumë pak nga vërejtjet e kërkuara nga Prishtina e që kishin të bënin me formulime ku ishte përfshirë edhe fjala gjenocid.

Autoritetet në Prishtinë ishin deklaruar se nuk kanë pasuar mundësi të ushtrojnë ndikim në tekstin e ligjit.

Kuvendi, po ashtu, kishte miratuar edhe projektligjin për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar Potencialë në Proceset Gjyqësore në Gjykatën Speciale.

Mandati i Gjykatës Speciale për krime lufte, përkufizohet kryesisht në hetimet dhe gjykimet e rasteve të pretenduara të krimeve të luftës nga ana e disa ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj pjesëtarëve të komuniteteve pakicë dhe kundërshtarëve, që përfshin periudhën kohore nga viti 1998 e deri në fund të vitit 2000.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG