Ndërlidhjet

Kush do të shkojë në Lutjet e Mëngjesit?


Kryeministri, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Foto nga arkivi
Kryeministri, Ramush Haradinaj, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeparlamentari, Kadri Veseli. Foto nga arkivi

*Artikull i korrigjuar

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ende pret për vizën amerikane, andaj pjesëmarrja e tij në Lutjet e Mëngjesit në Uashington, që do të mbahen në fillim të shkurtit, mbetet e paqartë.

Gjatë nëntorit dhe dhjetorit të vitit të kaluar, janë dërguar ftesat për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit në Shtetet e Bashkuara, por Haradinaj ende pret përgjigjen për vizë, kanë thënë për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët nga kabineti i tij.

Zëvendësi i tij, Dalibor Jevtiq, po ashtu është ftuar dhe siç ka konfirmuar, ai do të marr pjesë në këtë ngjarje.

Paraprakisht, Haradinaj kishte anuluar edhe vizitën në Iowa të Shteteve të Bashkuara, ku më 11 janar ishte ftuar nga komandanti i gardës nacionale, Timothy E. Orra. Ishte pikërisht mungesa e vizës që ai anuloi vizitën dhe në vend të tij atje udhëtoi zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli.

Disa media në Kosovë e ndërlidhën zvarritjen për t’i lëshuar vizën amerikane kryeministrit Haradinaj me nismën në Prishtinë për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë kundërshtuar ashpër.

Në fund të dhjetorit, 43 deputetë iniciuan nismën të cilën ia dorëzuar Kryesisë së Kuvendit për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale për krime lufte, duke e cilësuar atë si një etnike. Kjo gjykatë pritet të gjykojë raste në lidhje me pretendimet për krimet e kryera nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj komuniteteve joshqiptare gjatë viteve 1998 – 2000. Haradinaj, kishte deklaruar se ai do të respektonte vendimin që do të marrin deputetët e Kuvendit.

Ndërkohë, Kryesia e Kuvendit këtë nismë ia procedoi Qeverisë për të dhënë mendimin brenda një afati prej një muaji. Nisma për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale mund të rikthehet në Kuvend brenda dy muajve.

Së fundit, ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës të cilët e mbështesin këtë nismë si dhe politikanët të cilët qëndrojnë pas saj, pavarësisht se publikisht nuk e pranojnë, do të ballafaqohen me pasoja të ashpra.

Porosia e ambasadorit Delawie rreth nismës së deputetëve për Specialen
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:45 0:00

Ftesë për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit kanë marrë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Të dy, posedojnë vizën amerikane, është konfirmuar nga kabinetet e tyre.

Po ashtu, ftesë për pjesëmarrje në Lutjet e Mëngjesit kanë edhe deputetët: Blerta Deliu-Kodra (PDK), Armend Zemaj (LDK), Sllobodan Petroviq (Partia e Pavarur Liberale).

Deputetja Blerta Deliu-Kodra, përndryshe ka qenë një nga nënshkrueset e kërkesës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, ajo e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj në ngjarjen në Uashington.

Lutjet nacionale të Mëngjesit janë një traditë e vjetër, për më gjatë se gjashtë dekada, sipas të cilës, çdo vit, më 4 shkurt, në lutjet e përbashkëta mblidhen presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, anëtarë të Kongresit, politikanë amerikanë dhe udhëheqës ushtarakë, si dhe mysafirë nga qindra vende të botës.

Kjo traditë e lutjeve nacionale ka nisur që nga koha e presidentit Dwight Eisenhower, më 1952. Senatori i atëhershëm Franck Carlson nga Kanzasi kishte ftuar spontanisht presidentin Eisenhower në Senat për një lutje të përbashkët për suksesin e Qeverisë.

Kështu, ideja fillestare për lutje të përbashkëta të pozitës dhe opozitës për paqe dhe sukses në SHBA, u shtri në organizmin ndërkombëtar të lutjeve të përbashkëta ndërmjet liderëve amerikanë dhe atyre nga vende të shumta nga mbarë bota.

Lutja nacionale e mëngjesit është një manifestim që zgjatë disa ditë dhe tubon rreth 3.500 mysafirë. Aty zhvillohen takime të ndryshme, dreka e darka, por ngjarja kryesore është mëngjesi i të enjtes, kur aty do të flasë edhe presidenti i SHBA-së si dhe njëri nga mysafirët, por që identiteti i tij nuk bëhet publik në këtë fazë.

* Ky artikull është përmirësuar për të korrigjuar atribuimin që i është bërë zonjës Deliu-Kodra si iniciatore e kërkesës për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale. Zonja Deliu-Kodra është nënshkruese e kësaj kërkese.

XS
SM
MD
LG