Ndërlidhjet

Shkon në mbi 60 numri i viktimave nga tërmeti në Turqi dhe Greqi


Izmir, 30 tetor, 2020.
Izmir, 30 tetor, 2020.

Në orët e para të 1 nëntorit, ekipet e shpëtimit kanë arritur që të shpëtojnë një burrë 70 vjeç, i cili ishte i bllokuar në rrënojat e një ndërtese në Izmir, teksa numri i viktimave në Turqi ka arritur në 62.

Shpëtimi i këtij personi ka rritur shpresat që mund të shpëtohen persona të tjerë që mund të jenë të bllokuar në gërmadha, dy ditë pasi një tërmet i fuqishëm goditi Turqinë dhe Greqinë.

Ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca, tha se burri 70 vjeç, i identifikuar si Ahmet Citim, asnjëherë “nuk humbi shpresat” që do të shpëtohej.

Autoritetet turke thanë se 62 persona kanë vdekur në qytetin e Izmirit, ndërkaq dy adoleshentë kanë vdekur në ishullin grek, Samos.

Të shtunën, ambasada e Kosovës në Ankara njoftoi se dy persona me origjinë nga Kosova, janë në mesin e viktimave të tërmetit të fuqishëm që goditi Detin Egje më 30 tetor.

Autoritetet thanë se 20 ndërtesa në Izmir janë rrëzuar për shkak të tërmetit, kryesisht në qarkun Bayrakli, ku ndërtesat janë të ndërtuara duke mos ndjekur protokollet për qëndrueshmëri ndaj tërmeteve.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha se qeveria është "e përkushtuar që të shërojë plagët e vëllezërve dhe motrave tona në Izmir, para se të ftohet moti dhe të nisë shiu".

Mbi 3,000 tenda dhe 13,000 shtretër janë vënë në dispozicion, që personat të cilëve iu shkatërruan shtëpitë nga tërmeti të mund të strehohen përkohësisht.

Agjencia e katastrofave në Turqi, tha se 940 persona janë plagosur nga tërmeti.

Mbi 700 persona tashmë janë liruar nga spitali pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, ndërkaq, tetë të tjerë vazhdojnë të jenë në gjendje kritike, tha ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.

Shkatërrimet nga tërmeti në Turqi
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

Mbi 5,700 pjesëtarë të agjencive shtetërore dhe lokale turke janë mobilizuar në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Operacionet e shpëtimit vazhduan edhe të dielën në Izmir – qytetin e tretë më të madh në Turqi.

Turqia dhe Greqia, që së fundmi kanë pasur rritje të tensioneve, por pas tërmetit kanë shprehur solidaritetin me njëra-tjetrën.

Tërmetet në Greqi dhe Turqi janë të zakonshme dhe autoritetet turke njoftuan se pas tërmetit të 30 tetorit, kanë regjistruar edhe qindra lëkundje të tjera të tokës.

Tërmet i fuqishëm në Turqi
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Në muajin janar, mbi 30 persona u vranë dhe mbi 1,600 u lënduan pasi një tërmet goditi provincën lindore turke të Elazigut.

Ndërkaq, vitin e kaluar, një tërmet i fuqishëm goditi kryeqytetin grek, Athinën.

Më 1999, një tërmet i fuqishëm që goditi qytetin turk të Izmirit, vrau rreth 17,000 persona.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG