Ndërlidhjet

Maqedoni: Njohja e ndërsjellë i kontribuon tolerancës ndërfetare


Xhamia dhe Monumenti Engjëllit në Bitol

“Maqedonia ka një popullatë me më shumë se 90 për qind që besojnë në Zot, megjithatë simbolet fetare nuk paraqesin problem për shfaqjen e tyre në jetën publike. Mosdurimin ndërfetar në momente të caktuara e ka iniciuar politika”, - ky është rezultati që ka dalë nga anketat erealizuara nga Instituti ZIP, financuar nga bashkësia ndërkombëtare në katër komuna të Maqedonisë me përkatësi të përzier etnike dhe fetare.

Fixhri Selami nga ky institut, duke komentuar rezultat e hulumtimit të realizuar thotë për Radion Evropa e Lirë se për përfitime të politikës ditore, jo rrallë herë nga qarqe të caktuara, janë nxitur tensione me karakter ndërfetar.

Selami thotë se perceptimi se qytetarët e Maqedonisë nuk janë tolerantë dhe ka mosdurim ndërfetar, është maskë që shfrytëzohet nga politika për të manipuluar me situata tensionuese.

“Qytetarët kur pyeten intimisht, thonë se nuk kanë probleme të tilla që kanë të bëjnë me mostolerancën fetare. Rezultatet lënë të kuptohet se njerëzit në përgjithësi të bashkësive të ndryshme kur bëhet fjalë për dëgjimin e ezanit apo kambanave, nuk kanë ndonjë problem. Po qeverisja e kaluar ka shkaktuar idenë e ekzistimit të hendekut ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare".

"Gjatë qeverisjes së kaluar ka qenë evidente përzierja e politikës në fe për arritjen e qëllimeve të ndryshme politike. Në këtë drejtim, me ose pa vetëdije, komunitetet e ndryshme fetare janë implikuar në lojërat e politikës dhe si të tilla kanë kontribuar në atë perceptim që kanë qytetarët se shoqëria në Maqedoni është e ndarë në dy blloqe të mëdha, atë të krishterë dhe myslimanë”, thotë Selami.

Ndërkohë, ekspertët e religjionit problemin e raporteve ndërfetare e fokusojnë në politikat qeveritare, të cilat krijuan mure të larta në relacion të njohjes së ndërsjellë dhe mungesës së komunikimit mes dy bashkësive më të mëdha fetare në Maqedoni.

“Kur flasim për raportet ndërfetare, ajo që duhet të bëjë shteti, si e para është që të investojë sa më shumë që është e mundur në njohjen e ndërsjellë mes dy etniteteve fetare, ngase njohja është ajo që rrënon frikën. Dhe, e dyta, ajo që është shumë me rëndësi është që feja të trajtohet si çështje individuale dhe si e tillë duhet të kultivohet, dhe jo si çështje apo vlerë me të cilën do të identifikohen institucionet ose shteti. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen ura të fuqishme mes qytetarëve të përkatësive të ndryshme ndërfetare dhe ndëretnike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, sociologu maqedonas, Ilia Acevski.

Nga ana tjetër, profesori universitarë Ali Pajaziti, thotë se projektet mono-etnike të financuara nga buxheti i shtetit, siç është projekti “Shkupi 2014”, paraqesin burim të mostolerancës ndëretnike.

Kjo, thotë ai, paraqet një bombë të kurdisur në një shtet multikonfesional siç është Maqedonia.

“Çarshia e vjetër e Shkupit është një shembull tipik ku i gjeni në një vend të gjitha bashkësitë etnike dhe fetare të Maqedonisë. Ku fliten të gjitha gjuhët , ajo rome, boshnjake, turke, shqipe maqedonase, etj. Dhe, kjo zonë akoma mbetet e këtillë”.

“Për fat të keq disa projekte artificiale që janë bërë si ‘Shkupi 2014’ kanë qenë një atentat ndaj bashkëjetesës dhe koekzistencës. Në vend që të ndërtoheshin ura janë ndërtuar mure, por kohëve të fundit kjo ka filluar të zbehet dhe kjo sërish kemi një një rigjallërim të Çarshisë së Shkupit që është simbol i multikulturalizmit në Republikën e Maqedonisë”, vlerëson Ali Pajaziti, ligjërues i sociologjisë në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Nga Kisha Ortodokse e Maqedonisë konsiderojnë se në funksion të kultivimit të tolerancës, duhet të realizohen më shumë projekte që do të kontribuojnë në hapjen e dyerve të institucioneve fetare për qytetarët e besimeve të ndryshme.

Ndërsa nga Bashkësia Fetare e Maqedonisë, thonë se bashkësitë fetare duhet të trajtohen në formë të barabartë nga ana institucioneve shtetërore në këtë mënyrë vlerësojnë ata, eliminohen barrierat për kultivimin e tolerancës fetare.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG