Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën si pasojë e një aksidenti në një punishte ndërtimi në Vjenë, kanë bërë të ditur autoritetet dhe Ambasada e Kosovës në Austri.
Sipas njoftimit fillestar të Ambasadës, aksidenti ka ndodhur në distriktin Alsergrund, gjatë punimeve ndërtimore, kur një pjesë e konstruksionit është shembur, duke lënë punëtorë të bllokuar nën rrënoja.
Fillimisht, autoritetet kosovare konfirmuan se dy nga viktimat janë shtetas të Kosovës: Pajtim Bajrami (1990) dhe Asllan Musliu (1977).
Në një njoftim të përditësuar më 18 mars, Ambasada bëri të ditur se edhe viktima e tretë nga katër viktimat e përgjithshme të këtij aksidenti është shtetas i Kosovës, Istref Zekaj.
Ambasada e Kosovës në Austri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet austriake dhe me familjarët e viktimave, për të ofruar mbështetjen e nevojshme dhe për të koordinuar procedurat e mëtejme.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar duke ngushëlluar familjet e tre bashkatdhetarëve dhe duke theksuar se kjo tragjedi ka lënë një dhimbje të thellë e të pashuar jo vetëm te familjet e tyre, por te të gjithë bashkatdhetarët.
“I përhershëm qoftë kujtimi për Pajtim Bajramin, Asllan Musliun dhe Istref Zekajn!”, ka thënë Osmani.
Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu tronditjen për ngjarjen dhe theksoi se institucionet janë në koordinim për t’u dalë në ndihmë familjeve të viktimave.
“Në këto momente të rënda, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave dhe të gjithë ata që janë prekur nga kjo humbje e madhe”, ka shkruar Kurti.
Po ashtu, edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se është tronditur nga vdekja e tre qytetarëve të Kosovës në vendin e punës në Vjenë, duke e cilësuar humbjen si dhimbje që prek të gjithë.
“Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e tyre. Ndajmë dhimbjen me ta dhe qëndrojmë pranë tyre në këtë humbje të madhe”, ka shkruar Haxhiu.
Në një përgjigje për REL-in, Policia e Austrisë tha se "disa punëtorë ndërtimi janë zënë nën dhe për arsye ende të paqarta" në oborrin e brendshëm të një ndërtese shumëbanesore.
Policia bëri të ditur gjithashtu të ditur se katër punëtorë janë gjetur pa shenja jete, ndërsa një tjetër është nxjerrë i gjallë dhe është dërguar për trajtim në spital.
Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar e dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë për më shumë informacione lidhur me rrethanat e aksidentit, por ende nuk ka marrë përgjigje.
Autoritetet austriake nuk kanë dhënë ende detaje të plota për shkaqet e shembjes së konstruksionit, ndërsa hetimet për rastin pritet të sqarojnë përgjegjësitë dhe kushtet e sigurisë në punishte.