Ndërlidhjet

Babai me dy fëmijë vdesin nga zjarri në një banesë në Malishevë

Shiriti i Policisë. Fotografi nga arkivi.
Shiriti i Policisë. Fotografi nga arkivi.

Një baba 35-vjeçar dhe dy fëmijët e tij 12 dhe 9 vjeçë e kanë humbur jetën të enjten si pasojë e një zjarri në banesën e tyre në qytezën e Malishevës në pjesën qendrore të Kosovës.

Sheremet Elezaj, zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, tha për Radion Evropa e Lirë se zjarri u raportua rreth orës 12:55 të enjten në një banesë në lagjen “Mirëdita”, në Malishevë.

Policia, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente shkuan në vendin e ngjarjes dhe i gjetën në banesë burrin dhe dy fëmijët, të cilët u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Malishevë, ku u shpallën të vdekur, tha ai.

Fëmijët janë djalë dhe vajzë, shtoi ai.

Elezaj theksoi se nuk ka pasoja të tjera nga ky zjarr.

Më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se zjarri u shkaktua nga shpërthimi i bombolës së gazit.

Por, komandanti i stacionit policor në Malishevë, Nazmi Zogaj, tha për media më vonë se nuk ka të dhëna deri tani se bëhet fjalë për bombol “sepse nuk është dëgjuar nga dëshmitarët për ndonjë shpërthim aty”.

Ai shtoi se autoritetet janë duke kryer hetime për të kuptuar shkaktarin e zjarrit.

Në një reagim në Facebook, Kurti tha: "Jam i tronditur nga rasti i vdekjes së tre familjarëve, babait me dy fëmijë, nga zjarri si rezultat i shpërthimit të bombolës së gazit në Malishevë".

"Në këto momente të rënda shpreh ngushëllimet e mia për të gjithë familjarët e viktimave", shkroi Kurti.

Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shkroi në Facebook se "me dhimbje të thellë e mora lajmin për humbjen tragjike të një babai dhe dy fëmijëve nga zjarri që ndodhi sot në Malishevë".

"Në këto çaste të rënda, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe të afërmit e viktimave", shtoi ajo.

XS
SM
MD
LG