Ndërlidhjet

Lajm i jashtëzakonshëm

Trump do të prezantojë strategjinë e re për siguri kombëtare

  • RFE /RL

Presidenti Donald Trump gjatë një konference për media pas një takimi me këshilltarin për siguri kombëtare, H.R McMaster dhe nënpresidentin, Mike Pence. Foto nga arkivi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pritet që sot të prezantojë strategjinë e re për siguri kombëtare, gjatë një fjalimi, i cili mund të ketë qasje të ashpër ndaj Kinës, kanë thënë zyrtarë të lartë amerikanë.

Agjencitë e lajmeve kanë cituar zyrtarët amerikanë të kenë thënë se fjalimi do të fokusohet tek politika “Amerika e para”, dhe se presidenti do ta konsiderojë Kinën si konkurruese, duke e akuzuar për “agresion ekonomik”.

Lideri amerikan në disa raste e ka përshëndetur presidentin kinez, Xi Jinping, mirëpo i ka kërkuar Pekinit t’i bëjë më shumë presion Koresë Veriore, rreth testimit të vazhdueshëm të raketave balistike dhe armëve bërthamore, duke e akuzuar edhe për praktika të padrejta tregtare.

“Strategjia për siguri kombëtare është hapi fillestar i një serie masash ekonomike kundër Kinës”, është cituar të ketë thënë ish-zyrtari i administratës së presidentit Bush, Michael Allen.

Disa kritikë kanë paralajmëruar se një qasje më e ashpër ndaj Kinës mund të ndikojë në dëmtimin e luftës tregtare me gjigantin aziatik.

Strategjia për siguri është një dokument zyrtar, të cilin e ka prezantuar çdo president amerikan, nga periudha e Ronald Reagan.

Një zyrtar ka thënë se Trump mund të tërheqë një deklaratë të paraardhësit të tij, demokratit Barack Obama, se ndryshimet klimatike janë kërcënim për sigurinë kombëtare.

Gjatë një fjalimi më 12 dhjetor, këshilltari i Trumpit për siguri kombëtare, H.R. McMaster, ka thënë se strategjia do të fokusohet në projektimin e fuqisë së jashtme amerikane, të ekonomisë dhe ushtrisë, duke u fokusuar në luftimin e Kinës dhe Rusisë.

McMaster ka thënë se Rusia dhe Kina janë duke “minuar rregullin dhe stabilitetin ndërkombëtar” dhe duke “injoruar të drejtat sovrane të fqinjëve dhe sundimin e ligjit”.

Ai ka thënë se Rusia ka nisur një “gjeneratë të re të luftës” e cila përdorë “dezinformimin dhe propagandën me anë të kibernetikës dhe mjeteve të tjera që synojnë t’i ndajnë dhe shtyjnë komunitetet tona kundër njëra-tjetrës”.

McMaster ka përmendur edhe deklaratat e Inteligjencës amerikane se Rusia ka ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Putin dhe zyrtarë të tjerë të Moskës i hedhin poshtë këto akuza.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov ka thënë se vërejtjet e McMasterit janë “jashtëzakonisht dhe absolutisht të gabuara".

Ky dokument është shkruar nga Nadia Schadlow, eksperte për konkurrencën globale.

Ajo është takuar personalisht me presidentin Trump gjatë përgatitjes së dokumentit.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG