Ndërlidhjet

Tryeza partiake, në kërkim të konsensusit politik


Pamje nga tryeza e organizuar nga LDK
Pamje nga tryeza e organizuar nga LDK

Partitë politike të Kosovës për herë të dytë kanë mbajtur një tryezë të përbashkët ku po diskutohet bashkërendimi i agjendës shtetërore dhe temat aktuale politike. Kësaj radhe nikoqire e takimit ishte Partia Demokratike e Kosovës. Ftesës për takim i janë përgjigjur të gjitha partitë e ftuara, përveç Lëvizjes Vetëvendosje dhje Listës Serbe.

Partitë politike pjesëmarrëse në këtë tryezë janë dakorduar që kryetarët e grupeve parlamentare ta marrin rolin e përgatitjeve të tryezave.

Në tryezat e ardhshme është përcaktuar të trajtohen temat si themelimi i Ushtrisë së Kosovës, dialogu Kosovë – Serbi, agjenda e reformave evropiane, konsensusi nacional për asociacionin dhe reforma zgjedhore.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në takim përfaqëson subjektin e tij politik, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës tha se janë disa tema kyçe në vend që kanë nevojë për diskutime të ndërsjella.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha Haradinaj, ka shprehur gatishmërinë që të jetë pjesë e këtyre tryezave.

“Janë disa tema kyçe që kanë nevojë për diskutime të ndërsjella”, tha Haradinaj. Ai veçoi këtu edhe dialogun me Serbinë dhe marrëveshjen që Kosova synon ta arrijë në fazën finale të bisedimeve me vendin fqinjë=.

“Është një marrëveshje obliguese ligjore Kosovë - Serbi, pastaj janë integrimet evropiane, është çështja e Ushtrisë së Kosovës si dhe reforma zgjedhore”, tha Haradinaj.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli pas takimit tha se ka gatishmëri të plotë për të arritur konsensus politik për tema të rëndësishme për vendin.

“Jemi në rrugë të mirë të arritjes së konsensusit nacional për temat e mëdha që në të kaluarën kanë mundur të na humbin kohë. Kosova ka obligime, Kosova ka nevojë për konsensus. Kosova do të arrijë suksesin vetëm bashkë pozitë dhe opozitë në interes të vendit dhe qytetarëve. Presim që një nga temat që është në agjendë si formimi i ushtrisë së Kosovës të përfundojë shumë më shpejt së bashku me partnerët tanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO ”, tha Veseli.

Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike e Kosovës, ka theksuar se këto tryeza të inicuara nga LDK duhet të vazhdojnë, pasi që duhet të arrihet konsensus për trajtimin e temave me interes nacional.

“Është bërë tryeza e dytë e partive politike e nisur nga LDK për të nxjerr vendin nga kriza institucionale. Është më rëndësi se ekziston një konsensus i subjekteve politike, por edhe koalicionit qeverisës që të adresohen temat me interes nacional për Kosovën dhe gjatë një periudhe të caktuar ato tema të tejkalohen dhe të shihet për veprimet e mëtutjeshme. Këto tryeza duhet të vazhdojnë sepse duhet të arrihet një konsensus për trajtimin e këtyre temave pasi që koalicioni qeverisës nuk e ka shumicën për temat më të thjeshta e lërë më për temat që janë të interesit nacional”, tha Veliu

Ndërkaq, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj tha se do të vazhdohet me tryeza radhazi dhe nga këto takime do të dalin edhe vendime konkrete.

“Të përcaktojmë cilat janë temat nacionale dhe pastaj t’i shkojmë secilës temë veç e veç për të provuar të ndërtojmë konsensus. Është një vullnet i plotë i të gjitha grupeve politike të ecet përpara”, tha Limaj.

“Takimet e tilla dhe krijimi i një konsensusi më të gjerë garanton transparencë, besueshmëri, një proces kredibil që vendit i ka munguar në të kaluarën. Kemi humbur kohë tri vitet e kaluara dhe tash po kthehemi aty ku duhet, ku përmes konsensusit të gjerë të merremi me tema më rëndësi nacionale”, tha Limaj.

Një fokus të veçantë edhe Limaj e kishte te konsensusi rreth dialogut me Serbinë.

“Dialogu Kosovë - Serbi nuk mund të bëhet ndryshe, vetëm parmes një konsensusi të gjerë në Kuvendin e Kosovës dhe votës nga ky Kuvend. Kjo është rruga. Rrugë tjetër nuk ka. Kjo rrugë garanton kredibilitet, transparencë dhe besueshmëri në këtë proces të ndejshëm”, tha Limaj.

Tryeza e parë ishte thirrur nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kurse takimi i dytë i këtij lloji është ftuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe është duke vazhduar.

Ndryshe, këto tryeza të organizuara nga partitë politike për të diskutuar çështjet, të cilësuara si madhore, nga njohës të zhvillimeve politike në Kosovë janë vlerësuar se nuk pritet të sjellin ndonjë rezultat të madh. Sipas tyre, te partitë politike ka dallime dhe mospajtime të mëdha për tema të rëndësishme, andaj edhe parashihet se do të jetë vështirë të arrihen kompromise për çështje të caktuara.

XS
SM
MD
LG