Ndërlidhjet

Pse Turqia është kundër Finlandës dhe Suedisë në NATO?


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Associated Press

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka paraqitur pengesë në vendimet historike të Suedisë dhe Finlandës, shtete që më 18 maj dorëzuan aplikimin për anëtarësim në NATO. Lideri turk ka deklaruar se ai nuk mund t’i lejojë ato që të bashkohen në aleancë, duke pretenduar se mbështesin militantët kurdë dhe grupe të tjera që Ankaraja thotë se e kërcënojnë sigurinë e saj kombëtare.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur bindjen se aleanca do të lëvizë për të pranuar me shpejtësi Suedinë dhe Finlandën. Por, deklaratat e Erdoganit sugjerojnë se rruga e dy shteteve nordike drejt anëtarësimit nuk do të jetë e lehtë.

Miratimi i Turqisë është thelbësor, sepse aleanca ushtarake merr vendime me konsensus. Kushdo nga 30 anëtarët e NATO-s mund të vendosë veto për pranimin e një anëtari të ri.

Qeveria e Erdoganit pritet që t'i përdorë aspiratat për anëtarësim të këtyre dy shteteve si levë për koncesione dhe garanci nga aleatët e saj.

Më poshtë mund të mësoni më shumë për qëndrimin e Turqisë, çfarë mund të përfitojë Ankaraja dhe për pasojat e mundshme:

Çfarë problemi ka Turqia me aspiratat e Suedisë dhe Finlandës për anëtarësim?

Turqia, që është shteti me ushtrinë e dytë më të madhe në NATO, tradicionalisht ka qenë përkrahëse e zgjerimit të NATO-s, duke besuar se politika e “dyerve të hapura” të aleancës rrit sigurinë evropiane. Për shembull, ajo është deklaruar në favor të perspektivës për anëtarësim të Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Kundërshtimi i Erdoganit ndaj Suedisë dhe Finlandës buron nga ankesat turke për mbështetjen e supozuar të Stokholmit – dhe në një shkallë më të vogël të Helsinkit – për Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), organizatë e ndaluar në Turqi. Ky grup i ekstremit të majtë dhe mbështetësit e klerikut mysliman, që jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara, Fethullah Gulen, janë ata të cilët Ankaraja i fajëson se qëndrojnë prapa përpjekjes së dështuar për grusht-shtet më 2016.

Shumë kurdë dhe persona të tjerë që kanë dalë në mërgim, në dekadat e fundit kanë gjetur strehim në Suedi, ashtu siç së fundmi kanë gjetur strehim edhe anëtarët e lëvizjes së Gulenit. Sipas medias shtetërore të Turqisë, Suedia dhe Finlanda kanë refuzuar që të ekstradojnë 33 persona të kërkuar nga Turqia.

Ankaraja, që shpesh akuzon aleatët se i mbyllin sytë ndaj shqetësimeve të saj të sigurisë, është zemëruar gjithashtu edhe për shkak të kufizimeve të vendosura për shitjen e pajisjeve ushtarake në Turqi. Këto masa kufizuese u vendosën nga shtetet e Bashkimit Evropian, përfshirë Suedinë dhe Finlandën, pas ofensivës ushtarake të Turqisë në veri të Sirisë më 2019.

Duke justifikuar edhe më shumë kundërshtimin e tij, Erdogan ka thënë se shteti i tij nuk dëshiron të përsërisë “një gabim” nga Ankaraja, e cila ishte pajtuar që të ripranonte Greqinë në strukturat ushtarake të NATO-s në vitin 1980. Ai pretendoi se ky vendim i kishte lejuar Greqisë që “të mbante një qëndrim kundër Turqisë” me mbështetjen e NATO-s.

Çfarë mund të përfitojë Turqia?

Turqia pritet të kërkojë të negociojë një marrëveshje kompromisi, sipas së cilës, të dyja shtetet do të shtypnin PKK-në dhe grupet e tjera në këmbim të mbështetjes turke për anëtarësimin e tyre në NATO. Një kërkesë kyçe pritet të jetë që Suedia dhe Finlanda të ndalojnë çdo mbështetje për grupin kurd sirian, Njësitë e Mbrojtjes së Popullit (YPG). Ky grup është aleat kyç i Perëndimit në luftën kundër grupit militant Shteti Islamik në veri të Sirisë, por Turqia e sheh YPG-në si zgjatim të PKK-së.

Erdogan, po ashtu, mund të kërkojë që të përdorë anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës për të përfituar koncesione nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë. Turqia dëshiron që të rikthejë programin e udhëhequr nga SHBA-ja të avionëve luftarakë F-35, një projekt prej të cilit është përjashtuar pasi bleu sistemet e mbrojtjes ajrore S-400 nga Rusia. Po ashtu, Turqia po kërkon që të blejë avionë të rinj F-16 dhe për forcojë flotën e saj ekzistuese.

Kërkesat e tjera mund të përfshijnë dhënien fund të embargos jozyrtare mbi shitjet e armëve nga aleatët për Turqinë; koncesione nga shtetet e BE-së lidhur me aspiratën e Turqisë që t’i bashkohet bllokut; dhe rritjen e fondeve për të ndihmuar Ankaranë që të mbështesë 3.7 milionë refugjatë sirianë.

Si ndikon kjo në imazhin e Turqisë në Perëndim?

Kërcënimi i Turqisë me përdorimin e vetos ka të ngjarë që të minojë statusin e saj në Uashington dhe në mbarë NATO-n, duke përforcuar imazhin e një shteti që po bllokon zgjerimin e aleancës për përfitime të veta. Me këtë veprim, Turqia po ashtu rrezikon që të dëmtojë imazhin që fitoi pasi furnizoi Ukrainën me dronët Bayraktar TB2, që po dëshmohen si armë efektive kundër forcave ruse.

“Nuk ka asnjë skenar nën të cilin Turqia nuk shihet si aleat i [presidentit rus, Vladimir] Putinit brenda NATO-s”, tha Soner Cagaptay, ekspert për Turqinë në Institutin e Uashingtonit.

“Të gjithë do të harrojnë kundërshtimet që lidhen me PKK-në. Të gjithë do të përqendrohen në faktin se Turqia po e bllokon zgjerimin e NATO-s. Do të dëmtojë perceptimin për Turqinë në gjithë NATO-n”, shtoi ai.

Cagaptay tha se pengesa e Turqisë po ashtu mund të zhbëjë “momentumin pozitiv” që kishte nisur të ndërtonte në Uashington sa i përket shitjes së avionëve F-16.

“Nuk shoh mundësi që shitja [e avionëve amerikanë] F-16 mund të ndodhë në këtë fazë”, shtoi ai.

A po tenton Turqia që ta qetësojë Rusinë?

Turqia ka ndërtuar raporte më të afërta edhe me Rusinë dhe Ukrainën dhe ka tentuar që të balancojë raportet me të dyja këto shtete. Ankaraja ka refuzuar që t’iu bashkohet sanksioneve kundër Rusinë, ndërkaq në të njëjtën kohë ka mbështetur Ukrainën duke i dërguar dronë dhe duke i ndihmuar që t’ia mohojë Rusisë që të ketë superioritet ajror.

“Fakti që Erdogani po e prish qëllimit procesin [në NATO], sugjeron se ndoshta ai po përpiqet që të balancojë mbështetjen e fortë ushtarake që Turqia i ka dhënë Kievit me mbështetjen politike për Rusinë”, tha Cagaptay.

Një politikan i lartë turk ka shprehur, po ashtu, shqetësimin se anëtarësimi i Finalandës dhe Suedisë mund të provokojë Rusinë dhe të ndezë luftën në Ukrainë. Devlet Bahceli, udhëheqësi i një partie nacionaliste, që është aleate e Erdoganit, tha se alternativa më e mirë është që dyja vendet nordike të mbahen “në dhomën e pritjes”.

A mund t’i ndihmojë Erdoganin që të rrisë mbështetjen në Turqi?

Udhëheqësi turk po përjeton rënie të mbështetjes brenda vendit, për shkak të ekonomisë së lëkundur, inflacionit në rritjes dhe krizës me rritjen e kostos së jetesës.

Një përplasje me vendet perëndimore mbi mbështetjen e supozuar ndaj PKK-së, e cila brenda Turqisë shihet si çështje emocionale, mund t’i ndihmojë Erdoganit që të rrisë mbështetjen e tij dhe të fitojë votën nacionaliste para zgjedhjeve që janë paraparë të mbahen në qershor të vitit 2023.

“Me mbështetjen e brendshme që është duke rënë në një kohë kur Turqia po hyn në një cikël të rëndësishëm zgjedhor, Erdogan po kërkon që të ketë një profil më të lartë ndërkombëtar për të shfaqur rëndësinë e tij globale për votuesit turq”, ka shkruar analisti Asli Aydintasbas, në një artikull të publikuar në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG