Ndërlidhjet

Tusk: Maqedonia ka ndryshuar, jeni në rrugë drejt BE-së


Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Shkup, 27 prill, 2018.
Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev. Shkup, 27 prill, 2018.

Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk ka lavdëruar Qeverinë e re të Maqedonisë me reformat e ndërmarra së fundmi, për ta dërguar vendin drejt anëtarësimit në familjen evropiane.

“Në Shkup shoh se ka ndryshuar mendësia politike, e cila është e orientuar kah integrimet evropiane“, është shprehur para mediave kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk, menjëherë pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Unë shoh udhëheqje të guximshme në krye me kryeministrin Zorav Zaev drejt së ardhmes. Rekomandimi i KE-së është dëshmia më e mirë që përpjekjet e Maqedonisë i kanë impresionuar shumë njerëz në Evropë”, ka theksuar Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Ai gjithashtu e ka falënderuar Maqedoninë për ndalimin e “Rrugës Ballkanike”, të kalimeve ilegale të migrantëve.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev është shprehur i bindur se Maqedonia si asnjëherë më parë është më afër marrjes së datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian.

“Dolëm nga kriza e thellë politike dhe shteti i robëruar dhe u kthyem në rrugën drejt së cilës ecin të gjitha vendet demokratike evropiane, dhamë maksimumin brenda këtyre dhjetë muajve“, është shprehur Zaev.

Kryeministri i Maqedonisë është zotuar se Qeveria e tij do të mbetet e fokusuar në realizimin e reformave.

“Gjatë periudhës së ardhshme reformat do të jenë më të dukshme dhe më efikase. Me gjithë energjinë tonë hyjmë në aktivitete për të dëshmuar me argumente se jemi të gatshëm për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, ka thënë Zaev duke theksuar rëndësinë e kthimit të opozitës në Kuvend, për t’u dhënë shtytje proceseve reformuese.

“Me kthimin e opozitës në Kuvend u mundësua edhe realizimi i ligjeve reformuese, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe mediat”, ka thënë kryeministri maqedonas.

Kryetari i Këshillit Evropian, Donald Tusk është takuar me kryeministrin e Maqedonisë, para fillimit të takimit të liderëve të vendeve në procesin Brdo-Brioni ku ai është i ftuar si mysafir nderi, i cili takim këtë vit mbahet në Shkup.

Ndryshe, vendet anëtare të procesit Brdo-Brioni janë: Kroacia, Sllovenia, Maqedonia, Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnjë e Hercegovina dhe Mali i Zi, dhe përfaqësohen në nivel të kryetarëve të shteteve apo kryeministrave.

XS
SM
MD
LG