Ndërlidhjet

Ukraina nuk shpreson se do t’i sigurojë aeroplanët F-16 këtë vit


Aeroplanët luftarakë amerikanë, F-16.
Aeroplanët luftarakë amerikanë, F-16.

Ukraina ka hequr dorë nga shpresat për pranim të aeroplanëve luftarakë amerikanë F-16 këtë vit, ndonëse ka bërë presion të vazhdueshëm te aleatet perëndimore që t’i dërgohen këto armë të avancuara për t’u mbrojtur kundër pushtimit rus.

“Është e qartë se nuk do të mund ta mbrojmë Ukrainën këtë vjeshtë dhe dimër me aeroplanët F-16”, ka thënë zëdhënësi i forcës ajrore ukrainase, Yuri Ihnat për një televizion në Ukrainë.

“Kemi shpresuar shumë që këta aeroplanë do të bëhen pjesë e mbrojtjes tonë ajrore kundër raketave dhe territorit me dronë nga Rusia”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai është cituar të ketë thënë se e mira në gjithë këtë situatë është se pilotët ukrainas dhe teknikët do të mund t’i nisin trajnimet për përdorim të këtyre aeroplanëve “në të ardhmen e afërt”.

Vendet anëtare të NATO-s, Holanda dhe Danimarka janë në krye të koalicionit 11-kombësh për t’i trajnuar pilotët ukrainas, se si t’i përdorin aeroplanët luftarakë të Perëndimit.

Diskutimet për trajnime kanë nisur në maj, në një samit të mbajtur në Japoni – mirëpo trajnimi nuk nënkupton se aeroplanët do të dërgohen në Ukrainë.

Trupat ukrainase janë të angazhuara aktualisht në kundërofensivën për ta rikthyer kontrollin e territorit të pushtuar nga Rusia.

Disa kanë vlerësuar se kundërofensiva është duke u zhvilluar me ritëm goxha të ngadalshëm.

Rusia vazhdon të kontrollojë më shumë se 100.000 kilometra katrorë të territorit ukrainas, përfshirë Gadishullin ukrainas të Krimesë, të aneksuar më 2014.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG