Ndërlidhjet

Ukraina raporton për luftime në lindje, teksa vazhdon debati për tanket


Ushtria ukrainase në afërsi të Bahmutit. Fotografi nga arkivi.
Ushtria ukrainase në afërsi të Bahmutit. Fotografi nga arkivi.

Ushtria ukrainase tha më 21 janar se luftimet në lindje të këtij shteti po vazhdojnë, pasi Rusia pretendoi se ka marrë kontrollin e një fshati në këtë zonë. Ndërkaq, zyrtarët perëndimorë kanë ofruar më shumë ndihmë, por kanë testuar edhe qëndrueshmërinë e Ukrainës, teksa pushtimi rus po i afrohet muajit të dymbëdhjetë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërkaq ka sinjalizuar rritjen e padurimit lidhur me atë nëse Perëndimi do t’i japë shtetit të tij tanket më të reja, duke thënë se “një vendim duhet të merret” për këtë çështje.

Më pas, një këshilltar i Zelenskyt shtoi se “pavendosmëria globale” po kushton me jetën e ukrainasve, duke porositur liderët perëndimorë që të “mendojnë më shpejt”.

Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 21 janar se ka kryer 18 sulme të përqendruara ndaj forcave ruse, teksa fajësoi palën ruse se ka sulmuar 12 vendbanime në rajonin e Luhanskut dhe Donjeckut.

Në njoftim u tha se shtatë raketa ruse kanë goditur në qytetet Kramatorsk dhe Huliapole, si dhe është sulmuar “infrastruktura civile” në qytetin e Nikopolit.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë një ditë më parë pretendoi se ka marrë nën kontroll fshatin Kleshçivivka, në rajonin e Donjeckut, rreth pesë kilometra në jug të Bahmutit. Moska i bëri jehonë pretendimit të pakonfirmuar nga kreu i grupit mercenar Wagner, se kanë marrë këtë fshat.

Por, ministria ruse tha se trupat e rregullta të Rusisë u përfshin në aksionin për marrjen e fshatit, ndërkaq kreu i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, tha se mercenarët e tij korrën sukses.

Ushtria ukrainase fillimisht deklaroi se forcat ruse kishin granatuar Kleshçivikën, por në informacionet e publikuara më 21 janar nuk e përmendën në mënyrë eksplicite këtë fshat.

Luftimet në lindje të Ukrainës vijnë në kohën e raportimeve se Shtetet e Bashkuara e kanë këshilluar Ukrainën që të mos ndërmarrë ndonjë ofensivë të madhe ndaj forcave ruse derisa Kievi të marrë dhe të trajnojë ushtrinë që të përdorë armatimin që Uashingtoni do t’i dërgojë.

Po ashtu, Britania ka ofruar trajnime për trupat ukrainase para se të dërgojë në Ukrainë tanket luftarake Challenger 2. Megjithatë, aleatët e tjerë të NATO-s ende po debatojnë lidhur me atë nëse do t’i ofrojnë Ukrainës tanke moderne.

Grupi i Kontaktit për Ukrainën, që përbëhet nga aleatët perëndimorë të Kievit, u takuan në Gjermani më 20 janar, teksa ministrat e Mbrojtjes dhe përfaqësuesit e 54 shteteve biseduan për koordinimin e veprimeve sa i përket dërgimit të ndihmës për Ukrainën.

Gjermania thuhet se po i reziston presionit nga Polonia, për t’i dhënë dritën e gjelbër asaj, por edhe shteteve të tjera që duan t’i dërgojnë Kievit tanket Leopard 2, që janë të prodhimit gjerman.

Shtetet e Bashkuara, ndërkaq kanë thënë se në pakon e fundit të Uashingtonit, armatimi është i gatshëm për t’u përdorur dhe i ofron Ukrainës fuqi të mjaftueshme të zjarrit që të mbrojë veten nga pushtimi, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022.

Gjatë adresimit të rregullt natën e 20 janarit, Zelensky tha se debati që po vazhdon për tanket “po forcon qëndrueshmërinë tonë”. Ai tha se disa nga detajet e takimit në Gjermani nuk mund të bëhen publike.

“Po, ne do të duhet të vazhdojmë luftën për të marrë tanke moderne”, tha ai. Lideri ukrainas shtoi se shteti i tij çdo ditë e më shumë po e bën të qartë se nuk ka alternativë tjetër, pos që zyrtarët perëndimorë të marrin një vendim sa i përket tankeve.

XS
SM
MD
LG