Ndërlidhjet

Presidenti ukrainas u ofron garanci ushtarëve rusë që dorëzohen


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. 22 shtator 2022.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky. 22 shtator 2022.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka ofruar garanci ushtarëve rusë që dorëzohen tek forcat ukrainase. Ai po ashtu u ka bërë thirrje rusëve të shmangin mobilizimin e pjesshëm ushtarak të vendit të tyre.

Në fjalimin e natës të 24 shtatorit, të cilin e mbajti në gjuhën ruse, Zelensky ofroi garanci për rusët që janë kapur rob derisa luftonin në Ukrainë.

“Ukraina garanton tri gjëra për çdo ushtar rus që dorëzohet. Së pari, do të trajtoheni në mënyrë të civilizuar, në përputhje me të gjitha konventat. Së dyti, askush nuk do t'i dijë rrethanat e dorëzimit tuaj, askush në Rusi nuk do ta dijë se dorëzimi juaj ishte vullnetar. Dhe së treti, nëse keni frikë të ktheheni në Rusi dhe nuk dëshironi një shkëmbim, ne do të gjejmë një mënyrë për ta garantuar këtë”, tha Zelensky.

Presidenti ukrainas tha se mobilizimi i pjesshëm i Rusisë, i cili synon të mbështesë forcat ruse që kanë luftuar në Ukrainë që nga pushtimi i paprovokuar i Moskës në shkurt dhe që së fundmi kanë pësuar pengesa të mëdha ushtarake në lindje të Ukrainës, është një "krim".

Presidenti rus, Vladimir Putin, më 21 shtator njoftoi për mobilizimin ushtarak në mënyrë që të forcohet pushtimi i paprovokuar i Ukrainës dhe pasi forcat ruse pësuan humbje në fushëbetejë.

Ai më 24 shtator nënshkroi amendamentet që ashpërsuan dënimet për rusët që dorëzohen vullnetarisht ose që refuzojnë të luftojnë, duke i bërë këto veprime të dënueshme me 10 vjet burg.

Mobilizimi, tash për tash, thuhet se është i pjesshëm, dhe thërret 300.000 rezervistë rusë që t’i bashkohen luftës. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Rusisë – shtetit me sipërfaqen më të madhe në botë – një mobilizim i plotë ushtarak do të nënkuptonte përfshirjen e forcës rezervë prej 25 milionë personash.

Sipas ligjeve ruse, burrat dhe gratë nga mosha 18 deri në 60 vjeç, teorikisht mund të thërriten si rezervistë, varësisht nga rangjet e tyre.

Pushtimi rus i Ukrainës ka nisur më 24 shkurt.

XS
SM
MD
LG