Kievi dhe Moska janë pajtuar të enjten, 3 mars, për të krijuar korridore që mundësojnë largimin e civilëve nga zonat e luftës në Ukrainë.
Këshilltari i Presidencës ukrainase, Mykhailo Podolyak, ka konfirmuar përfundimin e rundit të dytë të negociatave me palën ruse në Bjellorusi.
“Fatkeqësisht Ukraina nuk ka ende rezultatet që i duhen. Ka vetëm vendime për organizimin e korridoreve humanitare”.
Edhe shefi negociator i palës ruse, Vladimir Medinsky ka thënë se Rusia është pajtuar për të mbështetur idenë e korridoreve humanitare për civilët dhe një armëpushim të mundshëm afër tyre.
Të dyja palët është raportuar se janë pajtuar për të zhvilluar një rund të tretë të negociatave.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje më herët për bisedime direkte me presidentin rus, Vladimir Putin duke thënë se kjo është “mënyra e vetme për t’i dhënë fund kësaj lufte”.
“Ne nuk jemi duke sulmuar Rusinë dhe nuk planifikojmë të bëjmë këtë gjë. Çfarë dëshironi nga ne? Largohuni nga toka jonë”, ka thënë ai.
Presidenti rus, Vladimir Putin, në anën tjetër, ka akuzuar forcat ukrainase se po shfrytëzojnë civilët si “mburoja njerëzore”.
Lideri rus i ka përshkruar ushtarët rusë si “heronj të vërtetë” dhe ndonëse e ka pranuar se ka humbur “disa qyteza të vogla”, ai ka insistuar se operacioni special i Rusisë është duke shkuar “sipas planit”.
“Suksesi” i ushtrisë ruse në Ukrainë është shembull i atij “herozimi”, ka pretenduar Putin.
Në një adresim televiziv, ai ka thënë se ukrainasit dhe rusët janë “një popull”, mirëpo ukrainasit janë “të kërcënuar dhe me tru të shpëlarë”.
Putin është zotuar se do të shkatërrojë "anti-Rusinë e krijuar nga Perëndimi".
Presidenti rus ka pretenduar se trupat ruse po ofrojnë korridore humanitare që civilët të largohen, duke rënë në kundërshtim me atë që kanë thënë ukrainasit.
Më 24 shkurt, Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës.
Për t’u informuar rreth zhvillimeve më të fundit lidhur me Ukrainën, ndiqeni blogun tonë.