Ndërlidhjet

Ultradjathtistë serbë dhe evropianë nderojnë sulmuesin e vrarë në Ambasadën e SHBA-së në Beograd

Marshi i djathtistëve i mbajtur në Beograd më 21 shkurt 2024.
Marshi i djathtistëve i mbajtur në Beograd më 21 shkurt 2024.

Flakadanë, kurora dhe marshim. Kështu dukej në Beograd tubimi përkujtimor për Zoran Vujoviqin, i riu që në vitin 2008 mori pjesë në djegien e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe në atë rast humbi jetën.

Ngjarjen përkujtimore, si edhe në vitet e mëparshme, e organizuan grupe ultradjathtiste nga Serbia, ndërsa në të morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave të ekstremit të djathtë nga Greqia, Austria, Franca dhe Belgjika.

Vujoviqi mori pjesë në mitingun që autoritetet në Serbi organizuan para 18 vjetësh si përgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës, dhe atëbotë ai hyri në Ambasadën e SHBA-së, të cilën huliganët e kishin sulmuar paraprakisht me gurë dhe i kishin vënë flakën, ku edhe humbi jetën në zjarr.

Për ultradjathtistët serbë dhe disa evropianë, vdekja e tij është rast për tubim ku e lartësojnë atë si hero që ra për një qëllim të madh.

“Përveç aktit simbolik, ngjarje të tilla shërbejnë edhe për të forcuar lidhjet joformale mes anëtarëve, si dhe për të shqyrtuar eventualisht strategji të mëtejshme”, thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) Ballsha Llubarda, sociolog dhe bashkautor i raportit “Brothers in Harm” mbi lidhjet e grupeve ultradjathtiste nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.

Video nga arkivi: Pamje të Ambasadës amerikane pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 2008

Djegia e Ambasadës amerikane në Beograd më 2008
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:02:59 0:00

‘Marshi i kujtimit dhe i revoltës’

“Lum ai që përjetë jeton, pati arsye përse të lindë”, ky është një varg nga një poezi e poetit Petar Petroviq Njegosh, që ishte shkruar në shiritin e kurorës së vendosur në vendin ku në vitin 2008 ndodhej Ambasada e Shteteve të Bashkuara.

Kurorën më 21 shkurt e vendosën anëtarë të grupeve ultradjathtiste Veprimi Serb dhe Klub 451, të cilët ishin edhe organizatorët zyrtarë të tubimit përkujtimor.

Prej pesë vjetësh, që kur këto grupime organizojnë marshin me rastin e përvjetorit të vdekjes së Zoran Vujoviqit, protokolli është i njëjtë: ata mblidhen para Kishës së Shën Markut, ku ndezin flakadanë dhe më pas, të rreshtuar, marshojnë drejt ish-lokacionit të përfaqësisë diplomatike amerikane në qendër të Beogradit.

Pasi vendosin kurora me lule, tri herë thërrasin emrin e të riut të vrarë, duke u përgjigjur me thirrjen “i pranishëm”.

Në një postim në kanalin e saj në Telegram, Veprimi Serb e paraqiti këtë tubim si “marsh përkujtimor, por edhe marsh rebelimi kundër okupimit të Kosovës”.

“Ideja e një rebelimi të tillë, pa dyshim, e udhëhiqte edhe Zoranin”, u tha në postim.

Anëtarët e Veprimit Serb dhe Agimi i Artë para vendit ku ndodhej Ambasada amerikane. 21 shkurt 2026.
Anëtarët e Veprimit Serb dhe Agimi i Artë para vendit ku ndodhej Ambasada amerikane. 21 shkurt 2026.

Kosova e shpalli pavarësinë më 2008, vendim që kundërshtohet nga Serbia i cili e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj.

Sociologu Ballsha Llubarda thotë se nuk pret që bashkëpunimi i ultradjathtistëve të ketë pasoja më të gjera për shoqërinë, duke qenë se bëhet fjalë për organizata relativisht të vogla në Serbi.

“Në 99 për qind të rasteve, këto lidhje nuk do të kenë rëndësi më të gjerë. Megjithatë, në kohë trazirash politike, siç janë ndërrimet e regjimeve, luftërat e të ngjashme, mbi bazën e këtyre lidhjeve mund të lindin edhe pasoja shoqërore me peshë”, thekson Llubarda.

Në Ambasadën e SHBA-së, selia e së cilës ndërkohë është zhvendosur në një lokacion tjetër në Beograd, nuk ishin të qasshëm për koment lidhur me ngjarjen përkujtimore për vdekjen e Zoran Vujoviqit në Beograd.

Si u dogj Ambasada?

Zoran Vujoviqi mori pjesë në mitingun “Kosova është Serbi”, të organizuar nga Qeveria e Serbisë nën udhëheqjen e Partisë Demokratike të Serbisë, si përgjigje ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Atë ditë, dhjetëra mijëra njerëz shkuan në miting me transport të organizuar, ku të pranishmëve iu drejtuan, ndër të tjerë, kryeministri i atëhershëm Vojsllav Koshtunica, dhe kryetari i partisë opozitare ultra-nacionaliste Tomisllav Nikolliq.

Protestua u shndërrua në dhunë, kur një grup huliganësh u shkëput nga turma dhe shkoi përpara Ambasadës së SHBA-së në qendër të qytetit. Sipas raportimeve të gazetarëve që ishin në vendngjarje, në atë moment punonjësit e policisë nuk siguruan hyrjen në ndërtesë, ndërsa policisë dhe shërbimeve të tjera kompetente iu deshën më shumë se gjysmë ore të arrinin në vendngjarje.

Gjatë kësaj kohe, huliganët e mbledhur sulmuan përfaqësinë diplomatike me gurë dhe flakadanë, duke shkaktuar zjarr në një pjesë të objektit.

Zoran Vujoviqi hyri në ndërtesën e Ambasadës, ku vdiq nga asfiksia nga monoksidi i karbonit. Nga obduksioni dhe analiza në Akademinë Ushtarako-Mjekësore të Serbisë u tha se i riu 21-vjeçar kishte 1.59 promil alkool në gjak, ndërsa nuk u gjetën gjurmë të drogës apo toksina, dhe pas obduksionit u gjet se ai nuk kishte plagë nga armë të zjarrit apo armë të ftohta.

Çfarë thonë zyrtarët për djegien e Ambasadës amerikane?

Shteti serb nuk e shënon zyrtarisht vdekjen e Vujoviqit. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në kohën e mitingut “Kosova është Serbi” ishte sekretar i përgjithshëm i partisë opozitare ultra-nacionaliste, Partia Radikale Serbe, e akuzon policinë për vdekjen e tij.

“Ai është një emër që bashkon të gjithë njerëzit në këtë vend në reflektimin mbi tragjedinë që ky vend ka kaluar. Zoran Vujoviqi do të jetojë shumë më gjatë se shumë prej nesh”, deklaroi Vuçiq më 24 shkurt, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Sociologu Ballsha Llubarda është i bindur se veprimtaria e grupeve të ekstremit të djathtë dhe kontaktet e tyre me organizata ideologjikisht të ngjashme nga jashtë janë nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë së Serbisë, por thekson se “është interesante që veprimtaria e tyre nuk është ndaluar publikisht”.

“Mendoj gjithashtu se një qasje kaq lejuese ndaj ekstremit të djathtë flet shumë për vetë shërbimet e sigurisë, por, si pasojë, edhe për shoqërinë ku organizata të tilla veprojnë pa pengesa ligjore. Kur shikoni, dëgjoni ose lexoni përmbajtje mediatike në mediat serbe, deklaratat e nacionalistëve serbë shpesh nuk mund të ndahen përmbajtësisht nga argumentet që dëgjoni nga aktorë të tjerë”, thotë Llubarda.

Për djegien e Ambasadës së SHBA-së në gjykatat e Serbisë janë zhvilluar dy procese gjyqësore. Në njërin prej tyre, katër të rinj u liruan përfundimisht në vitin 2019 për shkak të mungesës së provave.

Në procesin tjetër, para Gjykatës së Lartë në Beograd u akuzuan katër zyrtarë të lartë policorë, ndërsa procesi gjyqësor në tetor filloi nga e para për shkak të ndryshimit të trupit gjykues.

Cilat organizata morën pjesë në ngjarjen përkujtimore?

Përfaqësues të të paktën katër grupeve ekstremiste të djathta morën pjesë në marshin përkujtimor në nder të Zoran Vujoviqit.

Mes tyre ishin përfaqësues të grupit neonazist, Agimi i Artë nga Greqia, të cilët publikuan një postim të shkurtër për vizitën e tyre në kanalin e tyre në Telegram. Ata thanë se gjatë disa ditëve në Serbi “u ftuan të vizitojnë edhe një nga manastiret më të mëdha dhe më të vjetra në vend”, pa treguar emrin e manastirit.

Në një nga fotografitë dukeshin burra me fytyra të mbuluara që pozonin me flamurin e bizantit dhe simbolin e Veprimit Serb, pranë një kleriku, identiteti i të cilit gjithashtu ishte i fshehur.

REL-i nuk mori përgjigje nga Shërbimi Informativ i Kishës Ortodokse Serbe nëse sinodi ishte i njohur me këtë vizitë dhe si e shohin kontaktin e pjesëtarëve të klerit me anëtarët e ekstremit të djathtë.

Anëtarë të Agimit të Artë dhe Veprimit Serb gatë takimit me një prift.
Anëtarë të Agimit të Artë dhe Veprimit Serb gatë takimit me një prift.

Agimi i Artë u formua në Greqi në vitet 1980 si një grup i vogël neonazist. Themeluesi i saj, Nikolaos Michaloliakos, është i njohur si adhurues i nazizmit dhe në tubime i përshëndeste të pranishmit me dorën e ngritur si udhëheqësi i Gjermanisë Naziste, Adolf Hitler.

Në fillim të viteve ‘90, organizata u transformua në parti politike, duke përjetuar rritje popullariteti gjatë krizës financiare pas vitit 2010, kur në disa cikle zgjedhore fitoi vende në Parlamentin grek. Në një moment ishte partia e tretë më e fuqishme në Greqi.

Megjithatë, në tetor 2020, një gjykatë në Greqi e shpalli Agimin e Artë organizatë kriminale “e maskuar si parti politike”. Afërsisht 70 anëtarë të organizatës u dënuan, përfshirë udhëheqësin dhe themeluesin Nikolaos Michaloliakos.

Midis krimeve për të cilat u dënuan ishin vrasja e muzikantit grek Pavlos Fisas, sulmet ndaj migrantëve dhe kundërshtarëve politikë.

Delegatë në Beograd e dërgoi grupi ekstremist austriak Castell Aurora, i cili, sipas mediave gjermane, është një nga disa qendrat e grupeve ultra-djathtiste në Austri dhe Gjermani.

Qendra të ngjashme janë hapur edhe në Gjemani.

Në faqen zyrtare të Castell Aurora thuhet se përfaqëson “strehë të sigurt për njerëzit patriotë nga rrethet e afërta dhe të largëta që duan të angazhohen për atdheun e tyre”.

Një mysafir i shpeshtë në tribunat e organizuara në këtë hapësirë është Martin Sellner, një nga ultradjathtistët më të njohur austriakë dhe udhëheqës i Lëvizjes Identitare (IM) në Austri. Sellner është një nga mbështetësit e konceptit të “remigrimit”, ideologji ultra-djathtiste që nënkupton dëbimin e njerëzve me prejardhje të huaj.

Jan Wenzel Schmidt, anëtar i Bundestagut nga partia ekstremiste e djathtë Alternative për Gjermaninë (AfD), ka vizituar disa herë projektin banesor të IM-së, “Castell Aurora” dhe ka dhuruar 5.000 euro, siç ka thënë publikisht.

Por, financuesi më i madh i zbuluar deri tani është Peter Kurt, ish-anëtar i Unionit të Kristiandemokratëve (CDU) dhe ish-senator financiar i Berlinit, i cili ka financuar fshehurazi projektet ultra-djathtiste, përfshirë edhe Castell Aurora.

Sipas një hetimi të Der Spiegel, ka sinjale se ai ka investuar rreth 240.000 euro midis viteve 2019 dhe 2022.

Përfaqësuesit e Castell Aurora vizituan në qershor 2024 klubin neonazist Klub 451 në Beograd. Siç njoftuan në llogarinë e tyre në Telegram, aty “patën mundësinë të prezantohen”.

“Ky është një hap i rëndësishëm për rrjetëzimin evropian në Ballkan”, shkruan ata.

Mes mysafirëve në Serbi ishin edhe përfaqësues të Shoqatës Studentore Nacionaliste (NSV) nga Belgjika.

Kjo është një shoqatë studentore radikale nacionaliste me retorikë ekstremiste dhe lidhje të ngushta me partinë ultra-djathtiste Vlaams Belang (VB), e cila në zgjedhjet parlamentare të 2025 mori vendin e dytë.

E themeluar në mesin e viteve 1970, NSV i ka rrënjët në nacionalistin flaman dhe pretendon se angazhohet për ruajtjen e kulturës flamane, ndërsa kundërshtarët i sheh te multikulturalizmi i Belgjikës.

NSV më pas ka zgjeruar fokusin në Evropë, duke u përqendruar në mbrojtjen e “identitetit të bardhë evropian”. Në mars 2025 organizuan një marsh në Gent, në veriperëndim të Belgjikës, duke kërkuar dëbimin e migrantëve për në vendet e tyre të origjinës.

Të ftuarit kryesorë në këtë tubim ishin ultradjathtisti austriak Martin Sellner, i cili për shkak të qëndrimeve ekstremiste më parë i ishte ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar, Zvicër dhe Shtetet e Bashkuara.

Në Beograd përfaqësues dërguan edhe ultra-djathtistët francezë nga grupi Les Nationalistes. Sipas mediave franceze, ky grup ideologjinë e tij e mbështet te katolicizmi dhe supremacia e racës së bardhë.

Yvan Benedetti ka qenë anëtar aktiv ose udhëheqës i disa lëvizjeve të djathta dhe ultranacionaliste, përfshirë L’Œuvre Française, organizatë e ndaluar nga Qeveria franceze në vitin 2013 për veprimtari raciste dhe antisemitike.

Ai vizitoi Serbinë në korrik 2023, kur ishte njëri nga folësit në një konferencë në Beograd, të organizuar nga partia e djathtë, Krahu i djathtë serb, e udhëhequr nga Misha Vaçiq.

Pse është e rëndësishme Serbia për ultradjathtistët evropianë?

“Serbia është më shumë se ‘një shtet tjetër’ në rrjetin nacionalist. Si për shkak të rëndësisë historike dhe varianteve intelektuale të nacionalizmit, ashtu edhe për shkak të numrave. Fakti që Serbia është vendi më i madh me një skenë relativisht të ‘larmishme’ nacionaliste e bën atë një aleate të rëndësishme për organizatat e ekstremit të djathtë”, shpjegon sociologu Ballsha Llubarda.

Ai shton se kjo aleancë sjell edhe disa probleme praktike për nacionalistët në të gjithë Evropën, veçanërisht pas pushtimit rus të Ukrainës në 2022, ngjarje që ka ndarë ekstremin e djathtë.

“Sentimenti prorus, i shprehur veçanërisht në traditën nacionaliste serbe, ka krijuar një distancë mes ekstremit të djathtë serb dhe pjesës tjetër të Evropës, veçanërisht në situata lufte, ku kjo diferencë nuk mund të anashkalohej politikisht apo të ‘heshtej’ në tubime dhe ngjarje të përbashkëta”, thotë Llubarda.

Lidhjet e ultradjathtistëve serbë dhe evropianë

Sentimenti prorus kultivohet nga Veprimi Serb, që së bashku me Klub 451, organizoi ngjarjen përkujtimore për Zoran Vujoviqin.

Përfaqësues të kësaj organizate morën pjesë në shtator 2025 në një konferencë të organizatave dhe partive të ekstremit të djathtë nga tri kontinente në Rusi, ku tema kryesore ishte “lufta kundër migrantëve”. Në të njëjtin takim ishin të pranishëm edhe anëtarë të Agimit të Artë dhe Les Nationalistes.

Në maj të vitit 2022 vizituan poligonin e stërvitjes së grupit paramilitar rus, Legjioni Imperialist, i cili lufton në Ukrainë. Ky grup paramilitarnt është pjesë e Lëvizjes Imperialiste Ruse, që SHBA-ja e ka futur në listën e organizatave terroriste.

Përveç Rusisë, ata mbajnë kontakte më shumë ose më pak të rregullta me ultradjathtistë nga Rumania, Greqia, Spanja dhe Polonia.

Ky grup fashist nuk është regjistruar zyrtarisht në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit dhe në faqen e saj thotë se angazhohet për “sllavizëm luftarak serb” dhe për ruajtjen e “identitetit kombëtar e racor”.

Grupi nuk ka udhëheqës, dhe vëmendjen e publikut e tërhoqi në fund të vitit 2014, kur anëtarët e tij shpërndanë pamflete kundër romëve, që i vendosën në kutitë postare në disa lagje të Beogradit.

Anëtarët e tyre kanë marrë pjesë në shumë tubime të ekstremit të djathtë dhe kanë organizuar tubime përkujtimore në rrugë për kolaboracionistët e pushtuesve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Klub 451 është një kafene në Beograd ku në vitet e fundit mblidhen ekstremistë të djathtë nga Serbia dhe jashtë saj.

Siç ka raportuar më parë REL-i, në këtë klub në 2022 u takuan ultradjathtistë italianë dhe serbë, ndërsa një vit më vonë pritën ekstremistë rumunë nga Camarazii.

Ata kanë krijuar gjithashtu lidhje me ekstremistë hungarezë nga grupi Legio Hungaria, të cilët pritën përfaqësues të Klub 451 në Budapest në qershor të vitit 2024, ndërsa një muaj më vonë hungarezët kthyen vizitën. Anëtarët e Legio Hungaria në tetor 2019 demoluan zyrat e komunitetit hebre në Budapest.

Përfaqësuesi zyrtar i Klub 451 është Marko Gajinoviq, ish-anëtar i Frontit Nacionalist Serb, organizatë e lidhur me Goran Davidoviq, udhëheqës i organizatës neonaziste të ndaluar Formacioni Kombëtar.

XS
SM
MD
LG