Ndërlidhjet

Ushtria e Izraelit shpreh gatishmëri për evakuimin e foshnjave nga spitali i Gazës


Pacientët dhe mjekët në spitalin Shifa në Rripin e Gazës, 10 nëntor 2023.
Pacientët dhe mjekët në spitalin Shifa në Rripin e Gazës, 10 nëntor 2023.

Ushtria e Izraelit tha se është e gatshme për t’i evakuuar foshnjat nga spitali më i madh dhe kryesor i Rripit të Gazës të dielën, ku zyrtarët palestinezë thanë se dy foshnje të porsalindura vdiqën dhe dhjetëra të tjera janë në rrezik, pas harxhimit të karburantit.

Autoritetet kufitare të Gazës thanë se pikëkalimi Rafah për në Egjipt do të mbetet i hapur për njerëzit me pasaporta të huaja, teksa situata humanitare po përkeqësohet.

Jordania, ndërkohë, hodhi nga ajri ndihma edhe të dielën në një spital fushor në këtë enklavë.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, tha të shtunën vonë se ekziston një korridor i sigurt përmes të cilit mund të evakuohen civilët nga spitali Shifa për në jug të Gazës.

Ai shtoi se trupat e saj do të ndihmojnë në largimin e foshnjave nga spitali të dielën, dhe se do të mbajë kontakt me stafin e spitalit për këtë.

“Ne jemi duke folur drejtpërdrejt dhe vazhdimisht me stafin e spitalit. Stafi i Shifas ka kërkuar që nesër ne të ndihmojnë në dërgimin e foshnjave në një spital më të sigurt, ne do ta ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Hagari.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e udhëhequr nga grupi radikal Hamasi, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, thotë se në Shifa janë ende 1.500 pacientë, bashkë me një staf mjekësor prej 1.500 vetash, si dhe me rreth 15.000 deri në 20.000 njerëz të strehuar.

Izraeli tha se ende po hidhen raketa nga Gaza në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u rrëmbyen më shumë se 240 të tjerë nga Hamasi muajin e kaluar, sipas tij.

Ministria e Gazës thotë se numri i të vrarëve nga bombardimet hakmarrëse izraelite ka shkuar në mbi 11.000, prej të cilët rreth 40 për qind fëmijë.

XS
SM
MD
LG