Ndërlidhjet

Maqedoni e V.: Doza e tretë e vaksinave për të gjitha moshat


Një grua e moshuar merr një dozë të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 në Poliklinikën në Shkup, 31 Mars 2021.
Një grua e moshuar merr një dozë të vaksinës AstraZeneca kundër COVID-19 në Poliklinikën në Shkup, 31 Mars 2021.

Maqedonia e Veriut të hënën (4 tetor) ka nisur me dhënien e dozës së tretë të vaksinave për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga mosha dhe nëse ata kanë apo jo sëmundje të tjera kronike, dhe janë në rrezik të konsiderueshëm. Vendimi, sipas Ministrit të Shëndetësisë, Venko FIlipçe është marrë me rekomandim të Komitetit për Imunizim, me qëllim parandalimin e përhapjes së virusit dhe arritjes së imunitetit kolektiv.

“Komiteti rekomandon që doza e tretë e vaksinës mund të merret nga të gjitha moshat, jo vetëm ata mbi moshën 60 vjeç. Ky rekomandim bazohet në rekomandimet e shteteve tjera evropiane dhe SHBA-së”, ka deklaruar Filipçe duke iu bërë thirrje qytetarët që të vaksinohet, pasi imunizimi i popullatës mbetet mënyra e vetme për përballje me pandeminë.

Doza e tretë do të merret vetëm me vaksinën Pfizer, pa marrë parasysh se me cilin lloj të vaksinës janë marrë dy dozat e para.

Për të marrë dozën e tretë, qytetarët duhet të kenë kaluar një periudhë prej gjashtë muajve nga marrja e dozës së dytë.

Deri më 2 tetor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjithsej 734,023 janë vaksinuar me nga dy doza ndërsa dozën e tretë e kanë marrë vetëm 329 persona.

Ministri i Shëndetësisë, ndërkohë ka njoftuar edhe për testimin e 8,200 nxënësve në shkolla me teste të shpejta për të parë nëse në mesin e tyre ka raste asimptomatike të virusit korona si dhe nëse ka përhapje të virusit brenda shkollave.

Në Maqedoninë e Veriut deri më tani me koronavirus janë diagnostikuar afër 190 mijë persona, prej tyre 6.704 e kanë humbur jetën ndërsa rreth 12 mijë ende janë raste aktive.

XS
SM
MD
LG