Ndërlidhjet

Maqedonia e V. nis vaksinimin e personave mbi 77 vjeç


Një grua duke u vaksinuar kundër koronavirusit, në një qendër vaksinimi në Shkup. 31 mars, 2021.

Në Maqedoninë e Veriut të mërkurën, ka nisur vaksinimi masiv kundër koronavirusit të ri, që shkakton sëmundjen COVID-19. Imunizimi ka nisur me 24.000 dozat e vaksinës AstraZeneca, të cilat më 28 mars arritën në Shkup përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Vaksinimi po zhvillohet në Shkup ku janë hapur tri pika vaksinimi, sikur edhe në nëntë qytete tjera.

Të drejtën e vaksinimit në këtë fazë e kanë personat mbi moshën 77-vjeçare, të cilët për orarin e vaksinimit po njoftohet përmes mjekut amë.

Në Maqedoni të V. vaksinohen të moshuarit
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:58 0:00

I pari që mori vaksinën ishte Sotir Keleshovski, 85 vjeç nga Shkupi.

“Ndihem shumë mirë dhe do të dëshiroja që të gjithë të vaksinohen. Unë jam 85 vjeç gjithçka shkoi siç është më së miri dhe njerëzit nuk duhet të kenë frikë, por t’i përgjigjen thirrjeve për vaksinim, pasi vetëm kështu do të mund të kalojmë sëmundjen”, deklaroi Koleshovski.

“Unë jam e kënaqur dhe të gjithë që mendojnë se kanë nevojë duhet të vaksinohen pasi marrja e vaksinës është e mirë, mbrojmë shëndetin tonë. Ne duhet të pranojmë mjekimin dhe jo të shkojmë tjetërkund, pra mbrojtjen e shëndetit ta kërkojmë nga mjekësia”, tha Magbule Çeço, ish-punonjëse e arsimit.

Por, kishte edhe qytetarë që nuk arritën të vaksinohen për shkak të informimit jo të duhur.

“Unë erdha, por nuk më vaksinuan pasi më thanë se duhet të kem një mesazh telefoni nga mjeku amë, i cili njofton pacientët për orën dhe vendimin ku duhet vaksinohen. Ashtu më thanë. Unë do të kthehem te mjeku amë për sqarime plotësuese që sërish të mund të kthehem për t’u vaksinuar. Mendoj se të gjithë duhet t’i përgjigjen thirrjes për vaksinim. Është mundësia e vetme për të kapërcyer këtë të keqe”, u shpreh një pensionist.

Ministria e Shëndetësisë fillimisht kishte njoftuar se nga këto doza, rreth 4.000 do të jepeshin për disa kategori të tjera, ku përfshihen grupet më të rrezikuara në vend siç janë policët, ushtarakët, zjarrfikësit, gazetarët, edukatoret në kopshte, shoferët e autobusit dhe punonjësit në gjykata, por më 30 mars, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha se vaksinimi me AstraZeneca do të bëhet vetëm për personat mbi 60 vjeç.

“Ne vendosëm që të kemi kujdes, të mos ngutemi, do të kemi konsultime shtesë. Pas dy raporteve që morëm nga Kanadaja dhe Gjermania, ne vendosëm që të ndiqnim rekomandimet e tyre dhe të mos vaksinonim persona nën moshën 60 vjeç, pasi ka të dhëna se te këta persona janë paraqitur komplikime si mpiksje gjaku apo trombozë. Pra, vetëm pasi të jemi të sigurt ne do të vazhdojmë të vaksinojmë me AstraZeneca edhe personat e moshës nën 60 vjeç”, ka bërë të ditur ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.

Përmes aplikacionit, vakcinacija.mk mbi 117.000 qytetarë janë paraqitur për vaksinim. Zyrtarët shëndetësorë kanë njoftuar se 76.000 doza shtesë të vaksinës kundër COVID-19 do të mbërrijnë deri në fund të prillit.

Në Maqedoninë e Veriut paraprakisht janë vaksinuar mbi 7.000 punonjës shëndetësorë me vaksinën ruse, Sputnik V.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ndërkohë tha se institucionet nuk planifikojnë shtrëngimin e masave, pasi sipas tij, praktika e deritanishme ka treguar se qoftë në Maqedoni të Veriut apo edhe në vende tjera, masat kufizuese nuk po japin efekt në parandalimin e përhapjes së virusit. Filipçe tha se masat që janë në fuqi do të japin efekte nëse zbatohet nga qytetarët.

Në Maqedoninë e Veriut në fuqi është ndalimi i lëvizjes nga ora 22:00 deri në orën 05:00. Që nga fillimi i pandemisë, në Maqedoninë e Veriut, me COVID-19 janë diagnostikuar mbi 128.000 persona, prej tyre, 3.749 e kanë humbur jetën ndërsa mbi 18.000 persona ende janë aktivë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG