Ndërlidhjet

Vakuumi institucional, një kthim prapa edhe në Raportin e Progresit


Ilustrim
Ilustrim

Vakuumi institucional në Kosovë do të reflektojë në gjetjet që do të publikohen në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian, i cili publikohet çdo vit, thonë analistë të çështjeve të integrimeve evropiane.

Komisioni Evropian publikon një herë në vit të gjeturat, që njihen si Raporti i Progresi, për vendet e Ballkanit Perëndimor, me anë të të cilit matë përparimin e këtyre vendeve drejt integrimeve evropiane dhe përcakton detyrimet për të përmbushur kriteret.

Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane në Universitetin e Prishtinës, tha për Radion Evropa e Lirë se në Raportin e ardhshëm të Progresit, Bashkimi Evropian pritet që veç tjerash, të nënvizojë vonesën e krijimit të institucioneve pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit.

Shtylla e parë dhe kriteri i parë i agjendës evropiane ka të bëjë me kriterin politik dhe një prej kërkesave kryesore është funksionimi i mirëfilltë i institucioneve demokratike. Me vet faktin që ne nuk i kemi pasur këto institucione të krijuara nga qershori e këndej, pas zgjedhjeve, kjo është diçka që do të nënvizohet në Raportin e Progresit”, thekson Ujkani.

Të gjeturat në Raportin e ardhshëm të Progresit, shton Ujkani, pritet të vënë në pah edhe faktin se mungesa e themelimit të institucioneve ka bërë që dialogu Kosovë – Serbi, të mos e ketë trendin e njëjtë dhe të ketë vonesa në zbatimin e marrëveshjeve.

Në raportin e sivjetmë të Komisionit Evropian, vijon ai, mund theksohet edhe fakti që mungesa e këtyre institucioneve e ka bërë të pamundur ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacionin e kufirin me Mali e Zi, me çka është bllokuar edhe liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe sfidën e përhershme të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Mungesa e themelimit të këtyre e institucioneve, përveç që do të përmendet si e tillë, në mënyrë indirekte do të reflekton edhe zhvillimet tjera, aspektet e tjera që ndërlidhen më funksionimin e mirëfilltë të institucioneve të Kosovës”, thekson Ujkani.

Në anën tjetër, Besa Shahini njohëse e integrimeve evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se Raporti i Progresit do të paraqet vërejtje në shumë nga proceset që janë nisur, por nuk kanë përfunduar.

Fakti që nuk janë realizuar çështjet që Kosova ka pasur t’i realizojë gjatë këtij viti edhe në raport më BE-në, por edhe politikat e tjera që është zotuar se do t’i bëjë do të reflektohen negativisht në Raportin e Progresit”, thotë Shahini.

Raporti i fundit i Progresit pati vlerësuar se me gjithë përparimet, Kosova mbetet vend që duhet të punojë më shumë për vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit, të gjejë gjuhë të përbashkët për marrjen e vendimeve politike në Kuvend dhe të angazhohet më shumë në reformat ekonomike dhe dialog me Serbinë.

Ky raport pati ngritur shumë vërejtje për punën e institucioneve. Aty ishin ngritur shqetësime në lidhje me përplasjet e vazhdueshme në Kosovë mes të partive politike në pushtet dhe opozitë.

Vërejtjet e bëra në këto raporte të progresit, thotë Shahini, nuk janë marrë seriozisht nga lidershipi në Kosovë dhe se e gjithë kjo i ka shkaktuar dëm vendit, kur kihet parasysh që kritikat që vinë nga Raporti i Progresit janë në dobi të përmirësimit të politikave në Kosovë.

Marrëdhënia Kosovë – BE, është në një stad ku Raporti i Progresit nuk po ka fare efekt kthyes në ndikimin e politikave në Kosovë, në mënyrë që ato të përmirësohen. Raporti i Progresit është shndërruar në një dokument që nuk po merret seriozisht as nga Qeveria e Kosovës, por as nga vetë BE-ja, duke pasur parasysh që Kosova nuk e ka të njëjtën perspektivë të integrimit në BE, sikurse vendet tjera në rajon”, thotë Shahini.

Kosova konsiderohet se përveç ngecjeve në integrimet evropiane në përgjithësi, vazhdon të mbetet e izoluar, pa liberalizimin e vizave. Ndërkohë, një nga hapat që Kosova ka bërë drejt integrimit në Bashkimin Evropian theksohet të jetë nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

XS
SM
MD
LG