Ndërlidhjet

Thirrje për vaksinim teksa varianti Delta vazhdon të përhapet


Vaksina kundër koronavirusit. Foto nga arkivi.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen u ka bërë thirrje njerëzve që të vaksinohen kundër COVID-19, teksa varianti më ngjitës i koronavirusit, Delta, po vazhdon të përhapet.

Varianti Delta, që fillimisht ishte identifikuar në Indi, tani është prezentë në të paktën 85 shtete. Përhapja e këtij varianti ka shkaktuar valë të reja të infeksioneve në disa shtete. Ai është më ngjitës se të gjitha variantet e tjera ekzistuese.

Von der Leyen tha se nivelet e infektimeve po rriten për shkak të variantit Delta, por ajo tha se është “lajm i mirë” që vaksinat ekzistuese kundër COVID-19 janë efektive ndaj këtij varianti.

“Unë vetëm mund t’iu bëj thirrje të gjithëve që të vaksinohen. Në këtë mënyrë mbroni veten dhe rrethin tuaj”, tha ajo.

Indonezia më 3 korrik ka vendosur izolim të pjesshëm në Xhakarta, në Xhava dhe Bali, teksa ky shtet po përballet me valë të re infektimesh për shkak të variantit Delta. Kufizimet e reja do të jenë në fuqi deri më 20 korrik, teksa shtet pret që të zbresë infektimet ditore nën 10.000 raste.

Xhamitë, restorantet dhe qendrat tregtare janë mbyllur pasi janë parë si vende ku përhapet virusi. Indonezia ka raportuar mbi 25.000 raste të reja dhe 539 viktima më 2 korrik, që përbëjnë rekord sa i përket infektimeve dhe rasteve me fatalitet brenda një dite.

Në Nju Sauth Uells të Australisë u regjistrua numri më i lartë i infektimeve ditore. Sidneji është vendi më i goditur, ku ka shpërthim të variantit Delta. Ky qytet tashmë ka hyrë në javën e dytë të izolimit.

Ndërkaq, autoritetet në Indi thanë se janë në fazën e tretë të testimeve për vaksinën e prodhuar nga Bharat Biontech. Sipas tyre, kjo vaksinë ka shfaqur 93.4 për qind efektivitet ndaj rasteve të rënda me COVID-19 dhe 65.2 për qind mbrojtje ndaj variantit Delta.

Kjo vaksinë e Indisë, sipas autoriteteve, është 77.8 për qind efektive ndaj rasteve simptomatike me sëmundjen COVID-19.

India ka përdorur vaksinën AstraZeneca, të cilën e ka prodhuar në Institutin Serum të Indisë. Ky institut planifikon që të rrisë prodhimin në korrik në pothuajse 100 milionë doza. Bharat Biotech ka vlerësuar se mund të prodhojë 23 milionë doza të vaksinës gjatë një muaji.

Në Hungari, ndërkaq, janë lehtësuar shumë prej masave kufizuese, teksa është përshpejtuar fushata e vaksinimit. Rreth 5.5 milionë banorë të Hungarisë – shtet prej 10 milionë banorësh – tashmë kanë marrë të paktën një dozë të vaksinës, duke bërë që qeveria të arrijë synimin e saj sa i përket vaksinimit.

Ky përparim sa i përket vaksinimit, do të thotë se në Hungari qytetarët më nuk do të jenë të obliguar që të mbajnë maska në hapësira të mbyllura. Mbajtja e maskës do të jetë obligative në spitale dhe institucione të tjera, siç janë shtëpitë e kujdesit.

XS
SM
MD
LG