Ndërlidhjet

Vdes aktivistja ruse për të drejtat e njeriut, Lyudmila Alekseyeva


Lyudmila Alekseyeva.
Lyudmila Alekseyeva.

Lyudmila Alekseyeva, një veterane e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe figurë e mirënjohur opozitare në Rusi ka vdekur në moshën 91 vjeçare në Moskë.

“Ajo ka qenë aktiviste për të drejtat e njeriut deri në momentet e fundit, ajo ka jetuar jetën për miqtë e saj. Kjo është një humbje e tmerrshme për gjithë komunitetin për të drejtat e njeriut”, ka thënë udhëheqësi i Këshillit presidencial për të Drejtat e Njeriut në Rusi, Mikhail Fedotov.

Ende nuk është bërë i ditur shkaku i vdekjes së saj, mirëpo Këshilli për të Drejtat e Njeriut ka thënë se ajo është trajtuar disa herë në Spitalin lokal të Moskës për sëmundje të paspecifikuara.

“Kjo nuk ka qenë hera e parë që ajo ka ardhur në spital, doktorët vazhdimisht e kanë shpëtuar atë në situata të vështira, mirëpo në disa raste mjekët janë të pafuqishëm. Kjo është pikërisht ajo që ka ndodhur sot”, ka thënë Këshilli përmes një deklarate.

E përshkruar nga “The Moscow Times” si “matriarke e komunitetit të Rusisë për të drejtat e njeriut”, Alekseyeva ka qenë e përfshirë në fushatat për këtë çështje nga viti 1960.

Ndonëse kishte nisur studimet për arkeologji, ajo ishte zhgënjyer menjëherë nga Bashkimi Sovjetik dhe ka braktisur atë që në fillim ishte cilësuar si karrierë premtuese akademike.

Ajo ka bërë fushatë për disidentë që kanë kundërshtuar autoritetet sovjetike, duke përfshirë shkrimtarët, Andrei Siniavsky dhe Yuli Daniel, të dënuar me burgim për kritikat e bëra ndaj autoriteteve sovjetike në mediat e huaja.

Ajo ka punuar edhe në mënyrë klandestime si daktilografe për botimet e ashtuquajtura Kronikat e Ngjarjeve Aktuale, në të cilat janë pasqyruar shkeljet e të drejtave të njeriut në periudhën e Bashkimit Sovjetik.

Në një intervistë për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë në maj të vitit 2016, Alekseyeva ka rikujtuar bashkëpuntorin e tij disdent, Yury Orlov, i cili ka prezantuar i pari idenë e themelimit të Grupit Helsinki në Moskë.

“Në fillim të majit të vitit 1976, ai më ka thirrur dhe më ka pyetur ‘'Lyuda, koha është e mrekullueshme, a dëshiron të ecim në Moskë?’’, ka thënë ajo.

“Ne kemi qenë shokë, mirëpo jemi takuar shpesh në punë. Unë e kam kuptuar se ai më ka ftuar për të biseduar në ambient të jashtëm sepse shtëpitë tona janë përgjuar”.

Ata janë takuar dhe Orlov i ka shpalosur asaj planin për të themeluar një organizatë që do të monitoronte sa ka zbatuar Bashkimi Sovjetik parimet e Marrëveshjeve të Helsinkit.

Marrëveshjet janë nënshkruar në gusht të vitit 1975 nga Bashkimi Sovjetik, Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe të gjitha shtetet evropiane, përveç Shqipërisë, e cila është bërë nënshkruese më 1991, pra 35 shtete gjithsej.

Qëllimi i tyre ka qenë që të ulen tensionet në mes të bllokut komunist dhe Perëndimt, si dhe të respektohen liritë themelore.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Lyudmila Alekseyeva janë takuar për ditëlindjen e 90-të të aktivistes.
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe Lyudmila Alekseyeva janë takuar për ditëlindjen e 90-të të aktivistes.

Alekseyeva e ka përkrahur menjëherë propozimin e Orlovit.

Disa ditë më vonë, më 12 maj 1976, Grupi i Helsnikit në Moskë është krijuar teksa, Orlov, Alekseyeva dhe dhjetëra disidentë të mirënjohuar kanë qenë themelues të tij.

Autoritetet sovjetike janë hakmarrë menjëherë.

Alekseyeva ka thënë se vetëm tre anëtarë të grupit, duke përfshirë veten, i kanë ikur arrestimit.

Ajo ka pas ka ikur në Shtetet e Bashkuara me familjen e saj më 1977, duke vazhduar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka punuar pjesërisht edhe për Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës.

Më 1985 ajo ka publikuar librin e saj të parë, Disidenca Sovjetike, që ka shpërfaqur historinë e lëvizjes disidente.

Më pas më 1990 ajo ka publikuar liberin Shkrirja e Gjeneratës, një autobiografi me bashkëautorësi të Paul Goldberg.

Bashkimi Sovjetik është shkatërruar një vit më vonë dhe më 1993, pas 16 vjetëve në ekzil, Alekseyeva dhe burri i saj janë kthyer në shtëpi.

Ajo është kthyer duke qenë figurë kyçe e lëvizjes për të drejtat e njeriut dhe duke dënuar vazhdimisht abuzuesit e të këtyre të drejtave nën udhëheqjen e presidentit, Boris Yeltsin.

Së fundmi, shënjestra e Alekseyevas ka qenë regjimi i butë autoritar i prezantuar nga presidenti Vladimir Putin dhe partia e tij në pushtet, Rusia e Bashkuar.

Në pamjen e saj të brishtë është fshehur një vendosshmëri e palëkundur meqë ajo ka udhëhequr protesta dhe ka mbajtur konferenca në gjithë botën për liritë dhe të drejtat e njeriut në Rusi.

Ajo ka qenë oratore e talentuar andaj shpesh i është kërkuar t’iu drejtohet protestuesve nëpër marshe, sikurse asaj të marsit të vitit 2011 në Moskë.

“Ne nuk jemi ata që do të vendosim se kush do ta udhëheqë shtetin. Ata që janë në pushtet vendosin duke u bazuar në interesat e tyre. Ky regjim i vendosur ng Rusia e Bashkuar ka treguar se nuk mendon për interesat tona”, ka thënë ajo.

Rrugëtimi i saj për të drejtat e njeriut është shpërblyer me çmime ndërkombëtare duke përfshirë atë Sakharov dhe është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe.

Por ajo ka pasur edhe armiq.

Më 2006, autoritetet ruse kanë akuzuar atë për përfshirë në inteligjencën britanike.

Ajo është keqtrajtuar nga grupet rinore të Kremlinit, që e kanë cilësuar atë naziste dhe një nga armiket më të mëdhaja të kombit.

Në mars të vitit 2010, ajo është sulmuar në një stacion të metrosë, teksa ka qenë duke nderuar viktimat e një sulmi me bombë, që pati ndodhur ditë më parë.

Alekseyeva, ndonëse duke ecur më vështirësi është ndaluar më 31 dhjetor të vitit 2009, për drejtim të një proteste në prag të Vitit të Ri.

Arrestimi i saj ka nxitur pakënaqësi në Rusi dhe përtej, teksa zyrtarët amerikanë dhe ata të Bashkimit Evropian kanë treguar mospajtimet e tyre.

Ajo ka kundërshtuar ashpër abuzimet ndaj civilëve në Çeçeni dhe më pas vrasjen e gazetares hulumtuese, Anna Politkovskaya dhe mbrojtëses së të drejave të njeriut, Natalya Estemirova.

Të dyja gratë kanë punuar vazhdimisht për të zbuluar mizoritë e kryera kundër popullatës lokale nga zyrtarët për zbatim të ligjit dhe rebelët separatistë.

Alekseyeva ka fajësuar Kremlinin dhe të përzgjedhurin e Moskës për Çeçeninë, Ramzan Kadyrov, për vrasje dhe shkelje të të drejtave të njeriut në Kaukazin Verior.

“Është detyrë e Ramzan Kadyrov, si president i Çeçenisë, për të krijuar kushte ashtu që të parandalohen këto vrasje. Ai ka dështuar që ta bëjë këtë. Prandaj ai është fajtor, pavrësisht se kush dhe pse i ka vrarë këto persona”, ka thënë ajo.

Lyudmila Alekseyeva duke mbajtur një poster me mbishkrimin "Unë kundështoj ligjet e sadistëve"
Lyudmila Alekseyeva duke mbajtur një poster me mbishkrimin "Unë kundështoj ligjet e sadistëve"

Alekseyeva ka pasur një qasje të ashpër ndaj inciativave të Kremlinit, duke përfshirë dëbimet masive të qytetarëve të Gjeorgjisë më 2006 dhe prezantimit të kufizimeve të ashpra për organizatat joqeveritare që veprojnë në Rusi.

Madje kur avokati kundër korrupsionit, Sergei Magnitsky ka vdekur në paraburgim më 2009, ajo ka lobuar vazhdimisht për të hetuar vdekjen e tij.

Aktivizmi i saj është thelluar pasi ajo është larguar nga Këshilli Qeveritar për të Drejtat e Njeriut në qershor të vitit 2012, duke përmendur ndikimin nga Kremlini si arsye të dorëheqjes.

Ajo ka kaluar vjetët e mbetura duke bërë atë që ka bërë tërë jetën e saj: paralajmërimeve kundër zvogëlimit të të drejtave të njeriut dhe lirive demokratike në Rusi.

“Një sulm serioz po zhvillohet ndaj të drejtave të qytetarëve në të drejtën e tyre për të votuar, për t’u shprehur dhe për t’u bashkuar. Të gjitha këto të drejta janë të garantuara më kushtetutë, mirëpo autoritetet tona kanë harruar kohë më parë ekzistencën e saj”, ka thënë ajo.

Mirëpo pavarësisht kritikave kundër Kremlinit, respekti që ka gëzuar ajo, e ka ruajtur nga problemet serioze me autoritetet.

Putini madje e ka uruar atë për ditëlindjen e 85-të, duke shprehur “mirënjohje të thellë dhe të sinqertë” për “edukimin dhe aktivitetet e saj shkencore”.

Alekseyeva ka lënë mbrapa vetës dy djemtë, Sergein dhe Mikhailin.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG