Ndërlidhjet

Vdes një person në Gjakovë, ra nga ndërtesa ku po punonte

Njoftim për ndalimin e punimeve në një vendpunishte në Gjakovë më 2025, pasi dy punëtorë vdiqën në vendin e punës.
Njoftim për ndalimin e punimeve në një vendpunishte në Gjakovë më 2025, pasi dy punëtorë vdiqën në vendin e punës.

Një person ka vdekur në Gjakovë, pasi ra nga një ndërtesë e lartë ku po punonte. Lidhur me këtë rast Prokuroria është duke e intervistuar një të dyshuar, thanë nga Policia e Kosovës.

Sipas zëdhënëses së Policisë në Gjakovë, Vlera Krasniqi, viktima është e moshës madhore dhe autoritetet u njoftuan për ngjarjen rreth orës 17:00.

“Njësitet përkatëse policore dhe ekipi emergjent mjekësor kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku edhe është konstatuar vdekja e viktimës”, tha Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.

Njoftimi për vdekjen e një punëtori në Gjakovë vjen në kohën kur Inspektorati Qendror i Punës po zhvillon një aksion në nivel vendi që synon rritjen e sigurisë dhe shëndetit në punë.

Më 16 prill nisi aksioni 15-ditor i inspektimeve në vendet e punës, teksa deri më tani gjatë këtij viti – përfshirë edhe rastin e fundit në Gjakovë – në Kosovë kanë humbur jetën nëntë persona në vendin e punës.

Aksioni po zhvillohet në sektorë me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se qëllimi i aksionit është rritja e respektimit të kushteve të sigurisë në punë, në veçanti në sektorët me rrezik të lartë, ku më herët janë raportuar shqetësime për kushtet e punës.

Sipas Ligjit për siguri dhe shëndet në punë, punëdhënësit janë të obliguar të sigurojnë kushte të sigurta pune, përfshirë trajnimin e punëtorëve dhe përdorimin e duhur të pajisjeve.

XS
SM
MD
LG