Ndërlidhjet

Triumfon drejtësia kundër racizmit


Festë në SHBA pas shpalljes së vendimit për rastin Floyd
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:23 0:00

Triumfon drejtësia kundër racizmit

Një juri amerikane e ka shpallur ish-zyrtarin policor Derek Chauvin, 45-vjeçar, fajtor për vrasjen e afrikano-amerikanit George Floyd në rrugët e Mineapolisit, vitin e kaluar.

Chauvin është filmuar duke shtypur Floydin me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta gjatë arrestimit të tij, në majin e vitit 2020.

Pamjet e shpërndara gjerësisht kanë nxitur protesta kundër racizmit në mbarë botën dhe kundër përdorimit të tepërt të dhunës nga ana e policisë.

Chauvin është shpallur fajtor për tri akuza: vrasje e shkallës së dytë, vrasje e shkallës së tretë dhe vrasje pa paramendim.

Ai do të mbesë në mbajtje, derisa të dënohet dhe mund të kalojë dekada në burg.

Jurisë prej 12 anëtarëve i është dashur më pak se një ditë për të marrë vendimin, i cili ka ardhur pas tri javëve të gjyqit në Mineapolis.

Pasi të dyja palët kanë prezantuar argumentet të hënën e kësaj jave, juria është izoluar në një dhomë të hotelit pa kontakt të jashtëm, ashtu q të mund të merrte vendim të matur.

Anëtarët e jurisë është dashur të pajtohen në mënyrë unanime dhe ata nuk kanë mundur të kthehen nëpër shtëpitë e tyre, derisa kanë marrë vendimin.

Ky vendim është pritur me skena feste jashtë gjykatës, ku qindra persona kanë festuar kur kanë marrë vesh lajmin.

Avokati i familjes së Floydit, Ben Crump, ka thënë se ky vendim përbën “pikë kthese në historinë” e Shteteve të Bashkuara.

“Drejtësia e fituar me dhimbje është arritur më në fund”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Presidenti amerikan Joe Biden dhe nënpresidentja amerikane Kamala Harris, kanë telefonuar familjen e Floydit pak pas vendimit.

Biden është dëgjuar të ketë thënë se “fundja, ka pak drejtësi”.

“Ne do të punojmë edhe më shumë. Ky do të jetë hapi i parë në të përballurit me racizmin sistematik”, ka thënë presidenti.

Ndërkohë, në një deklaratë televizive, Biden ka thënë se “racizmi sistematik është njollë në shpirtin e kombit”.

Harris u ka bërë thirrje ligjvënësve që të miratojnë projektligjin George Floyd, që synon të reformojë politikat për policinë në SHBA.

“Ky projektligj është pjesë e trashëgimisë së George Flodyit. Kjo punë është vonuar shumë”, ka thënë ajo.

Policia federale në Mineapolis, organizatë jofitimprurëse që përfaqëson policinë – ka falënderuar jurinë për “punën e dedikuar”, që sipas saj ka qenë e përkushtuar dhe ka pasur “barrë të madhe”.

“Ne duam t’i shprehim komunitetit dhimbjen e madhe që kemi, dhe të cilën e ndjejmë çdo ditë. Nuk ka fitues në këtë rast dhe ne respektojnë vendimin e jurisë”, ka thënë federata.

Chauvin pritet të apelojë vendimin kundër tij, kanë thënë mediat amerikane.

Një nga arsyet që mund të jepen në apelim është se rastit i është dhënë shumë vëmendje dhe se sipas ekipit të mbrojtjes, kjo mund ta ketë ndikuar vendimin e jurisë.

Çfarë i ka ndodhur George Flyodit?

Floyd, 46-vjeçar ka blerë cigare në një dyqan në jug të Mineapolisit në mbrëmjen e 25 majit 2020.

Asistentja e dyqanit ka menduar se ai paguar me 20 dollarë fals dhe ka kontaktuar policinë, pasi Floyd ka refuzuar të kthejë cigaret.

Kur policia ka arritur, ata i kanë kërkuar Floydit të dalë jashtë makinës së tij dhe ia kanë vënë prangat.

Problemet kanë nisur kur zyrtarët policorë kanë tentuar ta fusin Floydin në makinën e tyre.

Ata më pas e ulën atë në tokë dhe e shtypën.

Chauvin i ka bërë presion Floydit me gju në qafë për më shumë se nëntë minuta, ndonëse i dyshuari dhe disa banorë i kanë bërë thirrje që të mos veprojë ashtu.

Ndërkohë që ka qenë në atë gjendje, Floyd ka thënë më shumë se 20 herë se nuk mund të marrë frymë, duke thënë vazhdimisht, “ju lutem, ju lutem, ju lutem”.

Kur ka arritur ambulanca, Floyd ka qenë i palëvizshëm. Ai është shpallur i vdekur një orë më vonë.

Çfarë ka ndodhur gjatë gjyqit?

Gjatë ditëve të gjyqit, juria ka dëgjuar dëshmitë e 45 dëshmitarëve dhe ka shikuar disa orë të xhirimeve.

Disa prej dëshmive më të fuqishme janë bërë nga dëshmitarët.

Shumë persona kanë shpërthyer në lot, teksa kanë shikuar pamjet e incidentit.

Courteney Ross, e dashura e Floydit në tre vjetët e fundit dhe Philonise Floyd, vëllai i tij më i vogël, po ashtu kanë ndarë detaje të së kaluarës së viktimës.

Ekspertët që kanë dëshmuar në emër të shtetit, kanë thënë se Floyd ka vdekur nga mungesa e oksigjenit, për shkak të shtypjes që i është bërë nga Chauvin dhe kolegët e tij.

Chauvin nuk ka dëshmuar, duke shfrytëzuar të drejtën për të mos inkriminuar veten me përgjigjjet e tij.

Çfarë akuza rëndojnë mbi të?

Një prej akuzave është vrasje pa paramendim, apo kur dikush pa dashje shkakton vdekjen e personit tjetër.

Vrasja e shkallës së dytë, është akti që rezulton me vdekjen e dikujt, që mund të ketë qenë e qëllimshme ose jo. Maksimumi i këtij dënimi është 40 vjet burgim.

Vrasja e shkallës së tretë nënkupton se një individ ka vepruar në një mënyrë që ka rrezikuar një apo më shumë persona, duke përfunduar me vdekje.

Zyrtarët policorë janë dënuar rrallë për vrasje që ndodhin gjatë orarit të punës, dhe vendimi për këtë rast është parë si shenjë se si do të trajtojë sistemi ligjor amerikan këto raste në këtë ardhmen.

Si e ka marrë juria këtë vendim?

Një juri prej 12 personash ka pasur detyrë që të vendosë nëse Chauvin do të përballet me burg, apo do të shfajësohet.

E gjithë juria mbetet anonime dhe nuk shihet gjatë gjyqit, mirëpo demografia e saj ka qenë kryesisht e re, me persona të bardhë dhe me më shumë gra.

Pasi të gjitha palët kanë prezantuar argumentet të hënën, juria është izoluar në hotel dhe nuk ka pasur kontakt me askënd nga jashtë.

Atyre u është thënë që të mos kthehen nëpër shtëpi, derisa të marrin vendimin.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG