Ndërlidhjet

Vetëvendosje i kërkon Supremes anulimin e rinumërimit të votave


Fletvotim për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Prishtinës
Fletvotim për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar dy ankesa në Gjykatën Supreme të Kosovës, si kundërshtim ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, i cili kërkoi rinumërimin e tërësishëm të votave për Komunën e Prishtinës dhe atë të Prizrenit.

Sipas zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, vendimi i PZAP-it është i jashtëligjshëm dhe i dëmshëm për procesin zgjedhor. Për këtë arsye, ata kërkojnë anulimin e këtij vendimi.

Pas dorëzimit të ankesës, Dardan Sejdiu, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, tha për Radion Evropa e Lirë se vendimi i PZAP-it është i motivuar politikisht.

“Nga gjykata presim vendim të drejtë. Ne nuk do të pranojmë asnjë rezultat i cili vjen si pasojë e këtij lloji manipulimi me sistemin e drejtësisë dhe me votën e qytetarit”.

“Lëvizja Vetëvendosje thotë qartë dhe drejtë se nuk ka pasur proces më të mirë zgjedhor se procesi i datës 19 tetor”, tha Sejdiu.

Ndryshe, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), të enjten ka marrë vendim për rinumërim të votave, pas një ankesë që ka bërë Lidhja Demokratike e Kosovës që të bëhet rinumërimi i gjitha kutive të votimit në Komunën e Prishtinës, për shkak siç është thënë, numrit të madh të votave të pavlefshme dhe fletëvotimeve të zbrazëta.

Në garë për kryetar të Prishtinës, janë Shpend Ahmeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Arban Abrashi nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

bazë të rezultateve preliminare, por të cilat pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa nuk do të vlejnë më, kandidati i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti printe me vota në Prishtinë, me një epërsi jo të madhe.

Edhe në Komunën e Prizrenit, epërsia e kandidatit të Vetëvendosjes, Mytaher Haskuka ishte e vogël në garën për kryetar me kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Shaqir Totaj.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar votat më kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e përmes postës, në disa komuna.

Pas numërimit të këtyre votave është përmbysur rezultati i fituesit në garën zgjedhore për kryetar të Komunës së Istogut.

Para numërimit të këtyre votave, Haki Rugova i Lidhjes Demokratike të Kosovës, udhëhiqte me 671 vota kundrejt Gani Dreshajt të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Por, pas numërimit të tërësishme të votave, Gani Dreshaj i AAK-së ka dalë të jetë fitues në garën për kryetar të Istogut.

Por, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, ka thënë se në këtë komunë ka keqpërdorime të votave me postë, dhe për këtë, siç ka thënë ai, LDK ka fakte.

“Këto fakte do t’ia ofrojmë PZAP-it dhe Prokurorisë së Shtetit”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Për këtë, përmes një komunikate për media, ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“Deklaratat e ngutura dhe të pamatura të zyrtarëve të LDK-së, i konsiderojmë si përpjekje për të hequr vëmendjen para qytetarëve të Istogut dhe Kosovës, humbjen e kandidatit të tyre në këtë komunë”.

“Tendenca për presion mbi mekanizmat e administrimit të zgjedhjeve është i papranueshëm për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Edhe humbja është pjesë e demokracisë,” përfundon komunikata e AAK-së.

Kurse, 14 kandidatë nga komuna të ndryshme të Kosovës kanë arritur të bëhen asamblistë pas rinumërimit të 440 kutive të votimit.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të mbajtura më 19 tetor, është vlerësuar i rregullt dhe pa ndonjë parregullsi të theksuar nga monitoruesit vendorë dhe ndërkombëtarë.

XS
SM
MD
LG