Ndërlidhjet

Vëzhguesi i mediave shqetësohet për rregullat "tejet të rrezikshme" të talibanëve ndaj gazetarëve


Tre gazetarë duke punuar për mediumin, Tolo News në Kabul më 2018.

Organizata Reporterët pa Kufij ka thënë se lista e rregullave që është duke u kërkuar Qeveria e udhëhequr nga talibanët gazetarëve afganë, hap rrugën për “censurë dhe persekutim”.

Kjo Organizatë ka paralajmëruar në raportin e saj se, 11 rregullat, të cilat duhet t’i zbatojnë gazetarët, në realitet janë “jashtëzakonisht të rrezikshme”, sepse janë formuluar në mënyrë të paqartë dhe mund të përdoren për të përndjekur gazetarët.

“Të miratuara pa ndonjë konsultim me gazetarët, këto rregulla të reja janë drithëruese për të ardhmen e gazetarisë dhe pavarësisë së shtypit në Afganistan”, ka thënë Sekretari i Përgjitshëm i Reporterëve pa Kufij, Christophe Deloire.

Rregullat “lënë hapësirë për interpretim shtypës, në vend të ofrimit të një kornize që mbron gazetarët, duke përfshirë edhe gratë, që t’iu mundësohet kthimi në punë në kushte të pranueshme’, ka thënë ai.

Prej marrjes së pushtetit në gusht të këtij viti, talibanët kanë thënë se mediat do të mbeten “të lira dhe të pavarura”, duke punuar sipas “parimeve islame”.

Në mesin e tri rregullave të para është thënë se gazetarëve u ndalohet të publikojnë materiale që janë “në kundërshtim me Islamin”, “fyejnë figurat kombëtare” apo “shkelin privatësinë”.

Mirëpo militantët u kanë thënë po ashtu grave gazetare që të mos shkojnë në punë, dhe kanë kryer kërkime derë më derë për gazetarët, si dhe kanë bërë ndryshime në program.

Organizata ka shprehur shqetësime edhe për rregullat tjera që u kërkojnë gazetarëve “të mos tentojnë të shtrembërojnë lajmin”, “të respektojnë parimet gazetareske” dhe të “sigurojnë se raportimi i tyre është i balancuar”.

Afganistani është renditur në vendin e 122-të, nga 180 sa janë në total në Indeksin për Liri të Mediave në botë, që përpilohet nga Reporterët pa Kufij.

XS
SM
MD
LG