Ndërlidhjet

Video-lojërat po nxisin dhunë mes fëmijëve, thonë ekspertët


Një adoleshent luan me video lojëra. Fotografi nga arkivi.

Në Maqedoninë e Veriut gjithnjë e më të pranishme bëhen skenat e dhunës mes grupmoshave të reja përkatësisht mes nxënësve të shkollave të mesme dhe atyre fillore, ndërkohë që bashkëmoshatarët e tyre i regjistrojnë dhe i shpërndajnë në rrjetet sociale. Së fundmi në rrjetet sociale në mesin e të rinjve janë shpërndarë skena të dhunës mes një grupi vajzash ku bashkëmoshatarët e tyre në vend se të reagojnë ata e xhirojnë këtë skenë dhe më pas e shpërndajnë në rrjetet sociale.

Në disa raste, skenat e dhunës mes të rinjve për bazë kanë sfidat nga seriali i cili përmban edhe skena të dhunshme "Squid Game" nga Koreja e Jugut. Ky serial televiziv është një ndër më të shikuarit në platformën Netflix. Por, edhe video-lojërat e ndryshme po ndikojnë në rritjen e dhunës.

Dhuna në rritje ka nxitur reagime edhe në mesin e prindërve dhe mësuesve.

Disa prindër i kanë thënë korrespodentes së Radios Evropa e Lirë në Shkup, se ky fenomen duhet trajtuar me shumë kujdes pasi këto seriale dhe video lojëra me skena të dhunshme lënë gjurmë në zhvillimin e fëmijëve të tyre.

Ndërkohë psikologët theksojnë se përmbajtja e dhunshme e këtyre video-lojërave jo rrallë herë bëhet pjesë e sfidës në mesin e nxënësve edhe pse në shikim të parë gjithçka duket si lojë, por në realitet asgjë nuk është lojë.

Ana Pop-Rizov, psikologe, thotë për Radion Evropa e Lirë se shoqëria maqedonase reflekton një shkallë të lartë të sjelljes agresive gjë e cila pastaj pasqyrohet edhe tek gjenerata më të reja.

“Ajo që ndodh në nivel të shoqërisë reflektohet edhe tek nxënësit”, thotë Ana Pop-Rizova, psikologe në gjimnazin e Shkupit Orce Nikollov.

Bojan Kordallov ekspert i mediave thotë se regjistrimi i skenave të dhunës ka anët negative sepse nxit dhunë, por nga ana tjetër edhe imponon reagimin e shpejtë të institucioneve përkatëse për ta ndaluar një veprim të këtillë mes grupmoshave më të reja në veçanti mes nxënësve të shkollave fillore të cilët është e qartë se nuk janë të vetdijshëm për pasojat e dhunës.

“Po tani është trend seriali filmik Squid Game, megjithatë shteti duhet të përpiqet të ketë një strategji se si t'i bëj atraktive apo ofroj seri filmike të caktuar të cila do të jetë më atraktive për të rinjtë dhe të jenë më adekuate për grupmoshat e caktuara”, thotë Bojan Kordallov.

Nga ana tjetër, Vala Adili, psikologe në një shkollë fillore të Kërçovës thotë për REL-in se është e lehtë të gjykohen gjeneratat e reja se pse mbeten të fokusuar në video përmbajtjet e dhunshme ndërkohë që prindërit shkollat por edhe institucionet përkatëse nuk u ofrojnë alternativë.

“Gjithmonë jam e mendimit se vetëm të ankohemi dhe të mos gjejmë zgjidhje nuk kemi të drejtë. Kush është alternativa e një fëmiu që tërë ditën sheh seriale televizive me skena që përmbajnë dhunë, video lojëra. Është një lloj kompensimi që fëmiu nuk e gjen në jetën jashtë internetit. Ku do ta ndjej vetën se është i mirë në diçka? Se është i vlefshëm? Nëse këtë ndjesi pozitive se gjen në jetën reale është pritshme se ai do ta kompensoj me diçka jo reale”, thotë Vala Adili psikologe.

Ndërkaq Blerta Ahmedi Arifi ligjëruese e të drejtës penale thotë se shfaqja e dhunës në çfarëdo formë paraqet vepër penale që është e rregulluar me ligj por shton se fokusi duhet vënë në politikat preventive të cilat duhet përforcuar dhe si të tilla duhet promovuar nga ana e autoriteteve përkatëse siç janë shkollat po dhe qendrat edukative për të rinj.

“Të rinjtë duhet të informohen pikërisht përmes të njëjtave rrjete sociale të cilat ata i përdorin për rëndësinë e përmbajtjes së materialeve tek të cilat ata kanë qasje duke i vetëdijësuar fillimisht se vetë publikimi i tyre është krim dhe vepër penale dhe si pasojë e kësaj, ata bëhen faktor të rrezikut”, thotë Blerta Ahmeti Arifi ligjëruese e së Drejtës Penale.

Në disa vende të botës autoritet kanë kërkuar nga prindërit që të marrin masa për t'i ndaluar fëmijët e tyre që të mos e shikojnë serialin Skuid Game pasi është vërejtur se një pjesë e fëmijëve duke mos qenë aspak të vetëdijshëm për pasojat kanë sfiduar bashkëmoshatarët duke pas për bazë skenat e dhunshme të lojës brenda këtij seriali filmik.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG