Ndërlidhjet

Në Kosovë arrijnë trupat e viktimave të aksidentit në Kroaci


Pamje nga aksidenti në Sllavonski Brod, 25 korrik, 2021.
Pamje nga aksidenti në Sllavonski Brod, 25 korrik, 2021.

Në Kosovë arritën sot, pas orës 13:00, trupat e viktimave që pësuan të dielën në aksidentin në Kroaci.

Automjetet që bartnin kufomat e viktimave të aksidentit në Kroaci, vazhduan rrugën në Kosovë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Karvani i makinave që i solli ato, udhëtoi nga Kroacia, përmes Malit të Zi dhe Shqipërisë.

Dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin - nga Frankfurti për në Prishtinë - doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre.

Në spitalin e Sllavonski Brodit vazhdojnë trajtimin edhe 15 pasagjerë të lënduar - njëri prej tyre në gjendje të rëndë, tha ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia.

Sipas tij, një pasagjere po trajtohet në spital të Zagrebit.

Vitia tha se nga pasagjerët e liruar nga spitali, katër prej tyre kanë zgjedhur të shkojnë në Gjermani.

XS
SM
MD
LG