Ndërlidhjet

Virusi i ri: Vendet e rajonit marrin masa parandaluese


Vuhan, Kinë.
Vuhan, Kinë.

Qyteti Vuhan në Kinë ka filluar t’i ngjajë një qyteti në karantinë.

Zyrtarët kinezë u kanë bërë thirrje rreth 11 milionë banorë të Vuhanit të mos udhëtojnë jashtë qytetit si dhe kanë mbyllur përkohësisht transportin e tij publik.

Autoritetet po mundohen të parandalojnë përhapjen e virusit, nga i cili deri më tani kanë vdekur 17 njerëz.

Një virus i ri i organeve të frymëmarrjes, u paraqit për herë të parë në këtë qytet.

Virusi që manifestohet përmes simptomave që përfshijnë temperaturë, koll dhe vështirësi në frymëmarrje, është përhapur edhe në pjesë tjera të Kinës ashtu si dhe në Shtetet e Bashkuara, Tajvan, Filipine, Japoni, Kore të Jugut, Tajlandë dhe Australi.

Raportohet se janë konfirmuar më shumë se 500 raste të personave të infektuar me këtë virus.

Në fillim, shkencëtarët thanë se virusi mund të transmetohet vetëm nga kafshët te njeriu, mirëpo autoritetet kineze njoftuan se sëmundja kalon edhe nga njeriu në njeri.

Masat në vendet e rajonit

Ministri i Shëndetësisë i Serbisë, Zllatibor Lonçar tha se situata po monitorohet në aeroportin Nikolla Tesla të Beogradit ku është instaluar një aparat modern, i cili zbulon temperaturën e të gjithë njerëzve që kalojnë kontrollet në këtë aeroport.

“Nëse një person konstatohet se ka ethe, ai vendoset në karantinë dhe më pas transferohet në Klinikën e Sëmundjeve Infektive, ku gjendja e tij monitorohet më tej”, sqaroi ministri.

Sipas tij, Serbia është një nga vendet e pakta që tashmë ka reagentë për zbulimin e virusit të fundit, në Klinikën e Sëmundjeve Infektive.

"Ne po bëjmë gjithçka që rekomandohet nga Organizata Botërore e Shëndetit, madje edhe më shumë se kaq," tha Lonçar.

Instituti i Shëndetit Publik në Bosnje dhe Hercegovinë ka nxjerrë disa rekomandime në lidhje rrezikun nga virusi. Aty rekomandohet që të merren masa themelore për të zvogëluar rrezikun e transmetimit të infeksionit tek udhëtarët ajrorë.

Instituti rekomandon shmangien e kontaktit të ngushtë me njerëz me infeksion të frymëmarrjes akute dhe larje të shpeshtë të duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose mjedisin e tyre.

“Duhet të shmanget kontakti i ngushtë me kafshë të gjalla ose të ngordhura. Këshillohet që udhëtarët që kanë ethe brenda 14 ditëve nga kthimi prej qytetit kinez Vuhan, duhet të kontaktojnë mjekun e tyre”, thuhet në njoftimin e Institutit.

Situata në vende tjera të botës

Zyrtarët në Hong Kong njoftuan dy rastet e para dhe një rast u raportua në qytetin e afërt të Makaut.

Pacientja në Makau thuhet se është një biznesmene që mbërriti nga Vuhani gjatë fundjavës.

Rasti i parë në SHBA u konfirmua të martën.

Shumë aeroporte në botë po përdorin pajisje për të matur temperaturën e pasagjerëve që vijnë nga Kina, me qëllim që të kuptojnë nëse ata kanë simptoma të virusit të ri.
Shumë aeroporte në botë po përdorin pajisje për të matur temperaturën e pasagjerëve që vijnë nga Kina, me qëllim që të kuptojnë nëse ata kanë simptoma të virusit të ri.

Presidenti Donald Trump tha se situata ishte "plotësisht nën kontroll" dhe se ai besonte në informacionet që po jepeshin nga autoritetet kineze.

Deri më tani, janë paraqitur tri raste në Tajlandë, dhe nga një rast në Korenë e Jugut, Japoni dhe në Tajvan.

Një komitet i urgjencës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë po takohet për të vlerësuar rreziqet globale të paraqitura nga virusi dhe të vendosë nëse ai duhet të shpallet një emergjencë ndërkombëtare e shëndetit publik – siç është vepruar me gripin e derrit dhe virusin e Ebolës.

Çfarë dihet për virusin?

Virusi e ka origjinën në një treg të ushqimeve të detit në Vuhan që "kreu transporte të paligjshme të kafshëve të egra", thanë autoritetet.

Tregu është mbyllur që nga fillimi i vitit 2020.

Disa studiues kanë sugjeruar se sëmundja mund të ketë origjinën nga gjarpërinjtë.

Një punëtor në një stacion hekurudhor në Vuhan, kontrollon skanerët termikë, që detektojnë temperaturën e pasagjerëve. Kinë, 21 janar, 2020.
Një punëtor në një stacion hekurudhor në Vuhan, kontrollon skanerët termikë, që detektojnë temperaturën e pasagjerëve. Kinë, 21 janar, 2020.

Një studim i botuar në Revistën e Mjekësisë Virale tha se analiza gjenetike sugjeron që nga kafshët e egra, gjarpërinjtë janë "rezervuari më i mundshëm” për virusin, por kjo do të duhet të konfirmohej nga studime të tjera.

Studiues të tjerë kanë vënë në dyshim pretendimin.

Cilat janë simptomat?

Virusi infekton mushkëritë dhe simptomat fillojnë me ethe dhe kollë. Mund të përparojë në vështirësi në frymëmarrje.

Ky shpërthim i këtij virusi, sipas autoriteteve shëndetësore, ka ringjallur kujtimet e virusit Sars - gjithashtu një koronavirus - që ka lënë mbi 770 njerëz të vrarë në fillim të viteve 2000, në dhjetëra vende, kryesisht në Azi.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG