Ndërlidhjet

Vizita e Papa Françeskut në Kongo e gëzon komunitetin LGBT


Papa Françesku.
Papa Françesku.

Aktivistët e komunitetit LGBT+ (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) në Republikën Demokrate të Kongos, janë duke e festuar vizitën e Papa Françeskut në këtë vend, pas deklaratës së tij për dekriminalizimin e lidhjeve midis çifteve të gjinisë së njëjtë.

Lidhjet midis çifteve të gjinisë së njëjtë janë të jashtëligjshme apo tabu në shumë shoqëri konservative afrikane, duke përfshirë edhe Sudanin Jugor, të cilin Papa Françesku do ta vizitojë pas Kongos.

Kisha Katolike beson se pëlqimet mes personave të gjinisë së njëjtë nuk janë mëkat, mirëpo të veprosh në atë pëlqim është mëkat.

Megjithatë, aktivistët si Scaly Kep’na në Kinshasa janë frymëzuar nga fjalimi i Papës për dekriminalizimin e lidhjeve mes personave të gjinisë së njëjtë.

“Është mesazh i bukur, që bën thirrje për përfshirje dhe gjithashtu për evolucion të Kishës”, tha Kep’na, udhëheqëse e të rinjve në organizatën Jeunialissime që lufton diskriminimin.

Në vjetët e fundit Papa Françesku është shprehur se ai nuk mund t’i gjykojë homoseksualët, sepse sipas tij edhe ata janë “fëmijë të Zotit”, dhe se Kisha Katolike duhet të kërkojë falje për mënyrën se si e ka trajtuar komunitetin LGBT+.

Sipas të dhënave më të fundit nga Shoqata Ndërkombëtare e këtij komuniteti, ILGA, shtetet afrikane përbëjnë gjysmën e listës me 64 vende në botë që dënojnë marrëdhëniet e personave të gjinisë së njëjtë.

"Këto deklarata janë një hap përpara për të ardhmen e Afrikës, të ardhmen e vendit tonë dhe veçanërisht të ardhmen e diskursit fetar në botë," i tha Kep'na agjencisë së lajmeve, Reuters.

Papa arriti në Kinshasa të martën për vizitën e parë e tillë që nga viti 1985 në këtë shtet.

Edhe në vendet afrikane si Kongoja, që nuk i përjashtojnë në mënyrë eksplicite marrëdhëniet seksuale mes personave të gjinisë së njëjtë, pjesëtarët e komunitetit LGBT+ ende përballen me diskriminim ligjor bazuar në ligjet në fuqi.

Edhe pse nuk është bërë e ditur nëse Papa do të flasë për këtë temë gjatë vizitës së tij në Kongo dhe Sudanin Jugor, ku ai do të qëndrojë deri më 5 shkurt, mesazhi i tij është dëgjuar nga shumë besimtarë katolikë të kontinentit, tha Julia Mukuala, 38-vjeçare, aktiviste kongoleze.

“Ne mendojmë se do të ndryshojë perceptimin e të gjithë njerëzve fetarë në vendet tona që mendojnë se kur je homoseksual, duhet të masakroheni, të çnjerëzoheni apo se jeni djaj”, tha ajo përmes një telefonate.

Organizata e saj të martën vendosi një pankartë të madhe në Kinshasa në emër të komunitetit LGBT+ kongolez, të zbukuruar me një flamur të këtij komuniteti dhe një mesazh mirëseardhjeje për Papa Françeskun.

“Shenjë mëshire”

Mirëpo, jo të gjithë e shohin Papa Françesku si mbështetës të komunitetit LGBT+.

“Ati i shenjtë nuk është aspak mbështetës i homoseksualitetit”, tha Atë Alain Difima, kreu i abatëve katolikë të Kinshasës, i cili i interpretoi komentet e Papës që kërkonte dekriminalizimin si një shenjë të mëshirës së tij.

“Papa thjesht donte të tregonte se një person që e praktikon homoseksualitetin është ende pjesë e shoqërisë... Është mënyra e tij për t'i dhënë mundësi një personi homoseksual që bota e sheh si kriminel", tha ai përmes një telefonate.

Klerikë të tjerë katolikë kanë pikëpamje më të ashpra.

Prifti Samuel Abe, administrator i Kryedioqezës Katolike në kryeqytetin e Sudanit Jugor, Juba, tha se shpreson që gjatë vizitës së kreut të Selisë së Shenjtë të bisedohej për të drejtat e komunitetit LBGT+.

“Në kulturën tonë sudaneze, ne as nuk praktikojmë apo bëjmë këtë lloj gjëje...Nuk kemi nevojë të debatojmë për atë që nuk na ndikon”, tha Abe përmes një telefonate.

Në Kinshasa të mërkurën, teksa mijëra njerëz ishin në radhë për meshën e hapur të Papës, shumica nuk pranuan të përgjigjen kur u pyetën se çfarë mendonin për qëndrimin e tij ndaj dekriminalizimit të komunitetit.

Për Bienvenue Lukokisa, i cili bën fushatë për të drejtat e grave dhe fëmijëve ushtarakë, çështja varet nga besimet dhe kulturat personale.

"Njerëzit duhet të bëjnë atë që duan, por për ne themi se jemi të rrënjosur dhe mbrojtës të vlerave tona afrikane."

Përgatiti: Albina Kastrati
XS
SM
MD
LG