Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar me kryediplomatin amerikan, Marco Rubio, në Departamentin amerikan të Shtetit.
Osmani tha se me sekretarin amerikan të Shtetit ka diskutuar për mundësitë e forcimit të “aleancës sonë si dhe si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë”.
“Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyç për paqen e stabilitetin në rajon. Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik”, tha Osmani përmes një postimi në Facebook.
Takimi në DASH u zhvillua në 18-vjetorin e lidhjes së raporteve diplomatike mes dy shteteve.
Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe Shtetet e Bashkuara ishin ndër vendet e para që e njohën.
Prishtina e konsideron si qenësore aleancën me SHBA-në, vend që ka kontribuar në pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës.
SHBA-ja po ashtu ofron siguri në Kosovë, pasi ka afër 600 trupa paqeruajtëse, në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Sipas një njoftimi të ndarë të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, prania ushtarake amerikane në Kosovë ka "rëndësi strategjike".
Një ditë më parë, Pentagoni i tha Radios Evropa e Lirë se nuk ka ndonjë ndryshim të dislokimit të forcave amerikane, pasi u raportua se SHBA-ja po kërkon nga NATO-ja të reduktojë aktivitetin e saj të jashtëm, përfshirë atë në misionin paqeruajtës në Kosovë, KFOR.
Anëtarësimin në NATO, Osmani e konsideroi si "proces me rëndësi jetike për stabilitetin në rajon".
Ajo po ashtu kërkoi hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
Viteve të fundit, Kosova - që është në proces të shndërrimit të Forcës së Sigurisë në ushtri - ka intensifikuar blerjet në fushën e mbrojtjes.
Armatimet që së voni ka blerë Kosova vijnë kryesisht nga SHBA-ja, Turqia, Gjermania dhe shtete të tjera, që janë pjesë e NATO-s, aleancën ushtarake perëndimore ku Kosova synon që një ditë të bëhet pjesë.
Po ashtu, në takimin në DASH, sipas Presidencës së Kosovës, Osmani ka biseduar me Rubion edhe për Dialogun dypalësh Strategjik.
Sipas saj, është e rëndësishme që të avancohet ky dialog, si "mekanizëm për koordinimin e prioriteteve të përbashkëta dhe hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit në fusha të ndryshme".
Shtatorin e vitit të kaluar, SHBA-ja njoftoi se po pezullonte Dialogun e planifikuar Strategjik me Kosovën, duke përmendur si arsye veprime të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti dhe duke cituar rritje të tensioneve dhe paqëndrueshmërisë.
Ndryshe, presidentja Osmani që dy ditë ndodhet në SHBA, ku më 19 shkurt mori pjesë në takimin inaguruese të Bordit të Paqes - nismës së presidentit amerikan, Donald Trump, për dhënie fund të konflikteve në botë.
Kosova është anëtare themeluese e këtij bordi, themelimi i të cilit është paraparë në planin 20-pikësh të Trumpit për paqe në Gazë.
Kosova është zotuar që të ndihmojë me trupa ushtarake përmes këtij bordi.