Ndërlidhjet

VMRO dërgon në Kushtetuese Ligjin për shqipen


Flamuri kombëtar shqiptar. Foto nga arkivi.
Flamuri kombëtar shqiptar. Foto nga arkivi.

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese të Maqedonisë kërkesën për anulimin e Ligjit për për përdorimin e gjuhëve, që avancon përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Sipas opozitës maqedonase, ligji i miratuar nga shumica parlamentare, që ka hyrë në fuqi javën e kaluar “është jokushtetues dhe i dëmshëm për të Maqedonisë”.

VMRO-DPMNE-ja kërkon nga Gjykata Kushtetuese që sa më parë të shqyrtojë kërkesën e saj për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji që ka shkaktuar reagime të shumta në opinion.

“Dekreti i shpalljes së Ligjit për dygjuhësinë u botua vetëm me nënshkrimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferit dhe pa nënshkrimin e presidentit të shtetit, Gjorgje Ivanov. Ky veprim është në kundërshtim të plotë me nenin 75 të Kushtetutës, i cili përcakton dekretet për shpalljen e ligjeve që do duhet të nënshkruhet nga presidenti e Republikës së Maqedonisë”, tha Igor Janushev, Sekretar i Përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

Sipas tij, Ligji për gjuhët është në kundërshtim me amendamentin 5 të Kushtetutës së Maqedonisë, ku thuhet se "në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, gjuha zyrtare është gjuha maqedonase dhe alfabeti i saj cirilik".

Nisma e VMRO-së është kundërshtuar nga partitë në pushtet Lidhja Social Demokrate (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), të cilat vlerësojnë se me këtë nismë “opozita dëshmon se nuk është e interesuar për stabilitetin e vendit dhe barabarësinë e qytetarëve”.

Sipas LSDM-së, ligji nuk cenon gjuhën maqedonase ndërsa garanton të drejtën e bashkësive tjera etnike për përdorimin e gjuhëve të tyre në përputhje me Kushtetutën.

Ndërkohë nga BDI-ja kanë thënë se nisma e VMRO-së nuk do të pengojë këtë ligj që është vlerësuar si historik në drejtim të zgjidhjes së çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani ka njoftuar edhe për formimin e një grupit për të monitoruar zbatimin e Ligjit për gjuhët.

“Kjo çështje është e rregulluar me Kushtetutën e vitit 2001 dhe Marrëveshjen e Ohrit. Shtatëmbëdhjetë vjetkemi pasur dallime në interpretimin e amendamentit 5 (të Kushtetutës) dhe pas 17 vjetësh debate është gjetur ky kompromis dhe është materializuar një Ligj për përdorimin e gjuhëve, i cili është në vijë të Kushtetutës dhe në vijë të Marrëveshjes së Ohrit”, ka deklaruar Osmani.

XS
SM
MD
LG