Ndërlidhjet

VMRO dorëzon nismën për referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë


Opozita maqedonase gjatë protestës në Kundër marrëveshjes me Bullgarinë.

Partia opozitare, VMRO-DPMNE, më 9 shtator ka dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut nismën për referendum kundër marrëveshjes me Bullgarinë.

Kjo marrëveshje që ka zhbllokuar nisjen e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Evropian(BE) është ratifikuar nga Maqedonia e Veriut, më 19 korrik.

Marrëveshja ishte propozuar nga Franca dhe parasheh që gjatë procesit të bisedimeve me BE-në, Maqedonia e Veriut të zgjidhë çështjet e hapura lidhur me aspektet historike, ndërsa ato për gjuhën dhe identitetin është thënë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve.

Por, VMRO DPMNE-ja që drejtohet nga Hristijan Mickovski, tha se “marrëveshja është antikombëtare dhe antishtetërore pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”, andaj synon anulimin e saj përmes referendumit të obligueshëm.

“Nisma për referendum vjen pas kushteve të imponuara dhe poshtëruese për bullgarizimin dhe ridefinimin e identitetit të maqedonasve, të cilat Qeveria e LSDM-së i ka pranuar. Gjithashtu, qartë e them se ne nuk jemi kundër integrimit të vendit në BE, mbështesim integrimin, por VMRO-ja nuk pranon asimilimin, ndryshimin e fakteve historike dhe zhveshjes nga identiteti ynë”, tha Mickovski.

Referendumi kundërshtohet nga partitë në pushtet, por edhe nga presidenti Stevo Pendarovski, sipas të cilit “nisma e VMRO DPMNE-së është kundër integrimit evropian, jo morale, antievropiane”.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, thotë se beson në dështimin e nismës së opozitës, që sipas tij, bëhet për “interesa personale dhe partiake”.

“Gjithçka që bëhet për interesa personale dhe partiake, është edhe kundër të ardhmes evropiane të vendit. Unë konsideroj se edhe në radhën e opozitës ka politikanë evropianë që e mbështesin anëtarësimin tonë në BE dhe kjo do të konfirmohet kur ndryshimet kushtetuese do të miratohen në Kuvend”, deklaroi Kovaçevski.

Pas dorëzimit të nismës për referendum, Kuvendi i Maqedonisë së Veriut duhet të vendosë për hapat e mëtejmë, ndërsa në rast të aprovimit të saj, VMRO DPMNE-ja duhet të mbledhë 150 mijë nënshkrime dhe më pas vendoset për datën e mbajtjes së referendumit.

Petar Arsovski, njohës i çështjeve politike konsideron se referendumi nuk është zgjidhja më e mirë e opozitës pasi sikur të dështonte ai do të interpretohej si dështim për VMRO DPMNE-në.

“Nëse një referendum i tillë i detyrueshëm dështon, de-facto mund të interpretohet se qytetarët mbështesin tezën e kundërt të asaj që është paraqitur në referendum, apo se i japin mbështetje Qeverisë, e cila ka miratuar Marrëveshjen me Bullgarinë”, thotë Arsovski.

Sipas tij, referendumi mund të dështojë për shkak të kushteve që kërkohen para së gjithash për shkak të obligimit ligjor për dalje të më shumë se 50 për qind të qytetarëve të regjistruar në listën zgjedhore.

“Në Maqedoninë e Veriut referendumet shumë vështirë kalojnë për të mos thënë se dështojnë. Pragu i daljes në votime është shumë u lartë. Dhe, nëse njëra nga partitë e mëdha vendos të mos bëjë thirrje për dalje apo bojkoton referendumin, do të jetë shumë vështirë që ai të jetë i suksesshëm pasi do të duhet të dalin mbi 50 për qind nga numri i përgjithshëm i listës zgjedhore apo rreth 900 mijë qytetarë me të drejtë vote”, thotë Arsovski.

Një referendum i thirrur nga Lidhja Social Demokrate më 30 shtator të vitit 2018, kishte dështuar pas thirrje së VMRO DPMNE-së për bojkot.

Rreth 1.8 milion qytetarë me të drejtë vote ishin ftuar t’i përgjigjen pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjen me Greqisë”.

Opozita maqedonase ishte kundër marrëveshjes me Greqinë, prandaj edhe doli kundër referendumit të thirrur nga Qeveria. Mirëpo, ky referendum nuk ishte i detyrueshëm, andaj edhe nuk kishte pasoja mbi Marrëveshjen me Athinën për ndryshimin e emrit të shtetit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG