Ndërlidhjet

Vriten dy anëtarë të PDK-së në Pejë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia e Kosovës ka njoftuar se dy persona kanë vdekur si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri në Komunën e Pejës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 20:20, Policia është njoftuar se në afërsi të Shkollës së Mesme Ekonomike “Ali Hadri” në Pejë, ka pasur të shtëna me armë zjarri.

“Policia ka dalë në vend të ngjarjes dhe të lënduarit janë dërguar në emergjencën e spitalit rajonal në Pejë. Pas pak kohe nga emergjenca e këtij spitali është njoftuar policia se dy persona kanë ndërruar jetë nga tre sa ishin të lënduar”, ka thënë Gashi.

Policia e Kosovës ende nuk i ka konfirmuar për media emrat e personave të vrarë në orët e mbrëmjes në Pejë.

Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se të vdekurit janë Astrit Ademaj, kandidat i kësaj partie për kryetar të Komunës së Pejës dhe Blerand Kadrija, ish-kandidat për kryetar të Komunës së Deçanit më 2017.

Edhe kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxhiri, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se njëri prej personave të vrarë është kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Pejës, Astrit Ademaj.

Muhaxhiri ka thënë për mediat lokale në Kosovë se mes të vrarëve ka ndodhur një konflikt i momentit, dhe për pasojë të dy personat kanë humbur jetën.

"Ka ndodhur një konflikt i momentit, për të cilin nuk ka shumë dëshmitarë. Ishte vetëm vëllai i Astritit. Nga të shtënat kanë mbetur të dy të vdekur. Janë dërguar nga fqinjët në spital, as fqinjët nuk e dinin nëse dikush ka shtënë kundër tyre apo ata kanë sulmuar njëri-tjetrin. Më pas është sqaruar se ka qenë konflikt që ka ndodhur mes Ademajt dhe Kadrijajt”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë përmes një postimi në Facebook se përveç të vdekurve, është plagosur edhe një person i tretë, i cili është arrestuar.

“Siguria dhe mirëqenia e qytetarëve tanë është qenësore. Prandaj, jemi të përkushtuar, që me të gjitha kapacitetet të zbardhim rastin. Ngjarjet e tilla të dhunës me armë duhet të marrin fund. Jam plotësisht i angazhuar për të siguruar që Policia e Kosovës të ketë të gjitha resurset e nevojshme për të zbardhur rastin dhe ofrojë siguri për qytetarët”, ka thënë mes tjerash ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave dhe ka ftuar autoritetet që të zbardhin rastin e këtyre vrasjeve.

XS
SM
MD
LG