Ndërlidhjet

Vritet një izraelit dhe plagosen disa të tjerë në Bregun Perëndimor


Pamje nga incidenti me të shtëna në vendbanimin Maale Adumim në Bregun Perëndimor të zaptuar nga Izraeli, 22 shkurt 2024.
Pamje nga incidenti me të shtëna në vendbanimin Maale Adumim në Bregun Perëndimor të zaptuar nga Izraeli, 22 shkurt 2024.

Policia e Izraelit njoftoi të mërkurën se tre persona të armatosur kanë shtënë me armë zjarri në rrugë pranë një pike kontrolli në Bregun Perëndimor të zaptuar nga Izraeli, duke e vrarë një izraelit dhe duke i plagosur së paku tetë të tjerë.

Dhuna në Bregun Perëndimor është rritur prej tetorit, kur nisi lufta në Gazë mes Izraelit dhe Hamasit – grupit radikal palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara.

Benny Gatz, anëtar i Kabinetit të Luftës të Izraelit, tha të mërkurën mbrëma se ka përpjekje të reja për ta arritur një marrëveshje për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit në luftën në Rripin e Gazës.

Por, nëse Hamasi nuk pajtohet për t’i liruar pengjet e mbetura izraelite në Gazë, theksoi ai, Izraeli do ta fillojë ofensivën tokësore në qytetin e mbipopulluar jugor, Rafah, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit në mars.

Lufta e Izraelit në Gazë i ka zhvendosur rreth 80 për qind të popullsisë prej 2.3 milionë nga shtëpitë e tyre. Shumica e tyre i dëgjuan urdhrat e Izraelit për t’u zhvendosur në jug të territorit dhe rreth 1.5 milionë prej tyre janë vendosur në Rafah, në afri të kufirit me Egjiptin.

Lufta nisi kur militantët e Hamasit u futën në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 pengje.

Rreth një e katërta e afro 130 pengjeve, që janë duke u mbajtur ende në Gazë, besohet se kanë vdekur.

Izraeli e ka bërë rrafsh me tokën shumicën e territorit palestinez si përgjigje ndaj sulmit të 7 tetorit.

Më shumë se 29.000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite prej atëherë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG