Ndërlidhjet

Mitchell përshëndet përparimet në negociatat rreth emrit të Maqedonisë


Wess Mitchell dhe Zoran Zaev
Wess Mitchell dhe Zoran Zaev

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta vazhdojnë mbështetjen për Maqedoninë në përmbushjen e reformave për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe për t’u bërë pjesë e NATO-s”, ka thënë sot në Shkup ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Wess Mitchell.

Ai i ka dhënë mbështetje edhe procesit të negociatave me Greqinë për gjetjen e një zgjidhje rreth kontestit të emrit.

“SHBA do të vazhdojnë ta mbështesin Maqedoninë dhe Greqinë në përpjekjet për të arritur një zgjidhje të pranueshme për kontestit për çështjen e emrit”, ka thënë Mitchell gjatë një konference të përbashkët për media, me kryeministrin e Maqedonisë, Zoran Zaev.

“Zgjidhja e vetme afatgjate do të jetë një zgjidhje e përbashkët. Unë mendoj se Maqedonia ka bërë hapa të mëdha para në këtë drejtim ashtu si edhe Greqia. Ne jemi të kënaqur me përparimin që është bërë në këtë drejtim”, tha tutje Mitchell.

I pyetur nëse diplomacia amerikane do të kyçet në procesin e zgjidhjes së emrit të Maqedonisë, në rast të ndonjë ndërlikimi, diplomati amerikan tha se SHBA-ja do të vazhdojë të jetë e angazhuar në zhvillimet në Ballkan.

“Ne nuk mund të ndërmarrim vendimin në vendin tuaj ose në vend të Greqisë. Megjithëse, më duhet ët theksoj se jeni në rrugën e duhur dhe ne dëshirojmë të ju inkurajojmë për këtë”, tha zyrtari i lartë amerikan.

Nga ana tjetër, kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev ka theksuar se Maqedonia ka bërë një hap të madh drejt integrimit në BE, andaj, ai ka thënë se me të drejtë, vendi i tij pret që gjatë muajit prill të marrë rekomandim të pakushtëzuar. Ndërkaq, sipas Zaevit, në muajin korrik, Maqedonia pret edhe ftesën për t’u bërë anëtare e plotfuqishme e NATO-s.

Kryeministri i Maqedonisë ka thënë se bisedimet për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë po hyjnë në fazën përfundimtare.

“Kam shprehur besimin se fillon faza finale, që në fund do të rezulltojë me një zgjidhje dinjitoze për zgjidhjen e kontestit të emirit”, është shprehur Zaev.

I pyetur nga gazetarët nëse Maqedonia pret ndihmë konkrete sa i përket zgjidhjes së kontestit të emrit edhe nga SHBA-ja, Zaev ka thënë se çdo ndihmë është e mirëserdhur, veçanërisht kur ajo vjen nga SHBA-ja.

“Çështja e emrit zgjatë që 25 vjet dhe është e tejet e ndjeshme, e rëndë. Çdo mik që do t’i ndihmojë Maqedonisë për ta zgjidhur këtë çështje, posaçërisht një mike siç është SHBA-ja është shumë e mirëseardhur. Ne me Bullgarinë e arritëm zgjidhje në mënyrë bilaterale, shpresoj që edhe me Greqinë ta zgjidhim këtë çështje dhe t’i njoftojmë miqtë tanë se problemin e kemi zgjidhur, por edhe çdo ndihmë në këtë drejtim është e mirëseardhur, sidomos kur vjen nga një aleate, siç është SHBA-ja”, ka thënë Zaev.

Në takimin në mes të ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Ëess Mitchell dhe kryeministrit Zoran Zaev, ishin të pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov dhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerniska.

Vizita e ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, Ëess Mitchell në Maqedoni, vjen në kohën kur janë intensifikuar takimet në mes të Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e kontestit të emrit.

XS
SM
MD
LG