Ndërlidhjet

Xhamia e madhe me probleme të mëdha


Vendi ku do të ndërtohet xhamia, në qendër të Prishtinës.
Vendi ku do të ndërtohet xhamia, në qendër të Prishtinës.

Për gati dy dekada besimtarët myslimanë kanë kërkuar ndërtimin e një xhamie në qendër të Prishtinës.

Ata duan të krijojnë më shumë vende për t’u falur, por gjithashtu edhe për të treguar se Kosova është një vend që ka shumicën e popullsisë të përkatësisë islame.

Shumë prej këtyre besimtarëve, ditëve të premte ose siç njihet e xhuma, falen edhe në rrugë, pa marrë parasysh kushtet atmosferike, pasi në xhamitë aktuale që ka kryeqyteti, nuk ka vend për të gjithë.

Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar ndërtimin e një xhamie të madhe në qendër të Prishtinës. Kërkesat e BIK-ut u bënë edhe më të shpeshta pasi autoritetet lejuan ndërtimin e Katedrales Katolike për 2.2 për qind të popullsisë që i përkasin besimit katolik.

Më shumë se 95 për qind e popullsisë në Kosovë është myslimane, kurse 1.4 për qind i përkasin besimit ortodoks të përfaqësuar nga serbët.

Lokacioni

Pas shumë negociatash që kanë zgjatur disa vjet, Komuna e Prishtinës dhe BIK-u u pajtuan që xhamia të ndërtohet në lagjen Dardania, një lokacion në mes të një Ambulance të Bashkësisë Lokale Dardani dhe ndërtesës së Telekomit të Kosovës.

Vendi i ndërtimit përdoret si parking i Telekomit.

Vendsoja e gurit themeltar të Xhamisë Qendrore të Prishtinës.
Vendsoja e gurit themeltar të Xhamisë Qendrore të Prishtinës.

Në vitin 2012, ishte vënë guri themeltar i Xhamisë Qendrore të Prishtinës, ku do të mund të falen deri në 6 mijë besimtarë.

Vetëm 8 vjet më vonë filluan punimet për ndërtimin e saj, pasi Bashkësia Islame kishte hasur në probleme për t’u pajisur me leje për të filluar punët.

Punimet zyrtarisht filluan para disa ditësh, më 15 korrik. Por kur filluan punimet, filluan edhe kundërshtimet, të njëjtat që e kanë përcjellë prej fillimit të projektit.

Të mërkurën një grup i vogël qytetarësh protestuan kundër ndërtimit të xhamisë përballë Telekomit të Kosovës në Prishtinë. Shumë të tjerë kundërshtuan edhe përmes platformave të mediave sociale.

Pamje gjatë protestës.
Pamje gjatë protestës.

Ata kundërshtojnë edhe lokacionin ku është përzgjedhur të ndërtohet ky objekt fetar, por edhe formën e financimit, pasi që ndërtimi i xhamisë financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë.

Sipas tyre, lagjet Dardania dhe Ulpiana, kanë më shumë nevojë për shkolla e çerdhe sesa për xhami.

Punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore të Prishtinës.
Punimet për ndërtimin e Xhamisë Qendrore të Prishtinës.

Projekti

Shumë qytetarë dhe arkitektë po kundërshtojnë edhe projektin e xhamisë. Plani i aprovuar i përket arkitekturës klasike osmane, që është i ngjashëm me xhamitë që janë ndërtuar në Turqi para disa shekujsh, apo edhe ato në Kosovë gjatë okupimit turk.

Shumë arkitektë kanë kërkuar që të përzgjidhej projekti i arkitektes tashmë të ndjerë, Zaha Hadid.

Projekti nga Zaha Hadid.
Projekti nga Zaha Hadid.

Plani i Hadid është ndërtimi i një xhamie moderne dhe për mbështetësit e këtij plani, një xhami e tillë do ta kthente Prishtinën dhe këtë xhami në një atraksion për t’u vizituar nga turistët e huaj.

Megjithatë, ishte përzgjedhur projekti i kompanisë turke UFV Mimarlik (Architecture), edhe pse për të kishte kundërshtime.

Për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet janë paraqitur 81 projekte.

*Video nga arkivi

Politika pro ndërtimit të xhamisë

Zyrtarë të BIK-ut në vazhdimësi kanë ripërsëritur domosdoshmërinë e kësaj xhamie, që do të përmbushte kërkesat e besimtarëve.

Për protestën e së mërkurës reagime ka pasur edhe nga liderët e shtetit të Kosovës dhe të partive politike.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë thirrje që të mos ketë nxitje të urrejtjes ndërfetare dhe ndëretnike, pas protestës kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë.

Edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, që në kohën kur ishte kryetar i Prishtinës kishte vënë gurin themetar të këtij objekti, ka shkruar në Facebook se objektet fetare nuk duhet ta pengojnë askënd.

Xhamia do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, ka thënë se nëse punimet përfundojnë me kohë, pas tre vjetësh Xhamia Qendrore e Prishtinës do të jetë gati për të kryer ritet fetare.

Kjo xhami do të ketë 15 mijë metra katrorë dhe 4 minare.

Brenda objektit të xhamisë do të ketë bibliotekë, salla për takime dhe konferenca, dy banesa për nevojat e personelit të xhamisë, po ashtu do të ketë lokale dhe 300 vend parkime.

Ndërtimi i xhamisë do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë eurosh.

Në territorin e Republikës së Kosovës janë 822 objekte fetare islame, 742 janë xhami aktive, 4 xhami janë duke u meremetuar dhe 16 të tjera duke u ndërtuar.

Po ashtu, janë 36 xhami pasive për shkak të vjetërsisë ose shpërnguljes së qytetarëve nga ato zona (kryesisht të pabanuara), derisa janë edhe 16 mesxhide (vend për falje-xhami pa minare) dhe 4 mektebe (vend-mësim, librari).

Projekti i përzgjedhur nga BIK-u.
Projekti i përzgjedhur nga BIK-u.

XS
SM
MD
LG