Ndërlidhjet

Shtatë të arrestuar gjatë aksionit kundër korrupsionit në Kosovë


Fotografi ilustruese nga arkivi.
Fotografi ilustruese nga arkivi.

Prokuroria Speciale e Kosovës konfirmoi se kanë arrestuar shtatë persona gjatë aksionit policor të zhvilluar në Prishtinë, nën dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare, dhënie dhe marrje të ryshfetit, ushtrim të ndikimit, mashtrim dhe armëmbajtje pa leje

“Gjatë këtij aksioni policor janë arrestuar : F.I., J.M., N.K., M.D., B.D., Sh.T. dhe G.L.”, tha Prokuroria Speciale mbrëmjen e 18 dhjetorit.

Sipas saj, të dyshuarit janë kapur në flagrancë gjatë shkëmbimit të parave. Ata janë dërguar në ndalim policor prej 48-orësh.

Gjatë këtij aksioni, Prokuroria tha se u sekuestruan rreth 20 mijë euro para të gatshme, armë, bizhuteri, dokumente të ndryshme dhe pajisje elektrike.

“Hetimet lidhur me këtë rast janë duke vazhduar në koordinim të plotë ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale Kosovës”, u tha në njoftim.

Më herët gjatë mbrëmjes të së enjtes, Policia e Kosovës tha se ky aksion u zhvillua në disa lokacione, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës.

Ndërkaq, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se personat e arrestuar janë zyrtarë të lartë publikë, përfshirë një ish-ministër.

Sipas tij, aksioni kishte të bënte me procesin e shpronësimit të pronave private.

“Në këtë rast janë të përfshirë disa zyrtarë të lartë publikë dhe persona përgjegjës, përfshirë: kryetarin e degës së Gjykatës së Graçanicës, J.M.; zyrtarë nga avokatura N.K., M.D. dhe B.D.; ekspertin e gjykatës Sh.T.; zyrtarin në Departamentin e Shpronësimeve; zyrtari i ATK-së G.L si dhe ish-ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, F. I”, shkroi ai në Facebook.

Sipas tij, ata dyshohet se kanë “vepruar si grup i organizuar kriminal”, duke keqpërdorur pozitat e tyre zyrtare dhe kanë shkaktuar dëme “të konsiderueshme në buxhetin e Republikës së Kosovës”.

Sveçla tha se përmes korrupsionit dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare, personat e arrestuar kishin iniciuar dhe deponuar lëndë në Gjykatën e Graçanicës “me qëllim të rikompensimit të paligjshëm për shpronësimet e kryera gjatë viteve 2011-2015, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga fondet publike”.

Qëndroni me ne

XS
SM
MD
LG