Ndërlidhjet

OCCRP: Zbulohet skema e pastrimit të parave e ndërlidhur me Rusinë


Udhëheqësi i bankës ‘Troika Dialog’ Ruben Vardanyan dhe kryeministri rus, Dmitry Medvedev. Fotografi nga arkivi.
Udhëheqësi i bankës ‘Troika Dialog’ Ruben Vardanyan dhe kryeministri rus, Dmitry Medvedev. Fotografi nga arkivi.

Një skemë globale e pastrimit të parave është zbuluar nga Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP), me seli në Sarajevë.

Kjo skemë është ngritur dhe drejtuar nga banka më e madhe e investimeve private të Rusisë, e cila ka lidhje të ngushta me elitën qeverisëse të vendit.

Nga hulumtimi i OCCRP i publikuar më 4 mars, zbulohet se skema prej 8.89 miliardë dollarësh u lejoi politikanëve të korruptuar dhe figurave të krimit të organizuar të pastrojnë fondet, t'i shmangen taksave, t'i fshehin pasuritë jashtë vendit dhe të kryejnë aktivitete të tjera të paligjshme.

Organizata që ka raportuar më parë edhe për dy skema tjera të tilla të shpëlarjes së parave ruse dhe të Azerbajxhanit, tha se hulumtimi u bë i mundur nga rrjedhja më e madhe e dokumenteve nga transaksionet bankare, të siguruara së bashku me faqen lituaneze të lajmeve 15min.lt. Rrjedhja, e cila u sigurua nga burime të shumta, përfshinte më shumë se 470 miliardë dollarë të dërguara në 1.3 milion transaksione nga mbi 238,000 kompani dhe njerëz.

OCCRP thotë se së bashku me 22 partnerët e saj nga e gjithë bota, ajo ishte në gjendje jo vetëm të identifikonte përfituesit e kësaj skeme, por edhe të prezantojë entitetin përgjegjës për krijimin dhe funksionimin e kësaj skeme.

Hulumtimi e identifikoi si përgjegjëse bankën private të investimeve “Troika Dialog”, ndër më e madhja në Rusi, e udhëhequr nga bankieri ruso-armen, Ruben Vardanyan, i konsideruar si një figurë përparimtare dhe pro-perëndimore.

Organizata që bëri hulumtimin thotë se kjo bankë në mes të viteve 2000 ngriti një rrjet prej më shumë se 75 kompanive fiktive (apo siç quhen “offshore”), ku të paktën 35 prej tyre hapën llogari në “Ukio Bankas”, një bankë e trazuar lituaneze e cila u mbyll në vitin 2013.

"Nën drejtimin e “Troika Dialog”,miliarda dollarë nga Rusia hynë në këto llogari të kësaj banke", thotë hulumtimi i OCCRP.

"Paratë u ndanë dhe u transferuan në kompanitë e pastrimit të parave, përpara se të dërgoheshin më pas te marrësit e ndryshëm, të njohur dhe të panjohur. Transaksionet kryesisht ishin të rreme, të mbështetura nga dokumente të rreme që përshkruanin tregtinë e mallrave joekzistuese. Më pas paratë u transferuan përmes llogarive bankare korrespondente në Perëndim, zakonisht nëpërmjet bankave austriake dhe gjermane ", thuhet në hulumtim.

Hulumtimi nxori si një nga përfituesit kryesorë të skemës,​ Sergei Rorldugin, violençelist rus, i cili është një nga miqtë më të vjetër të presidentit rus, Vladimir Putin. Ai vlerësohet të ketë përfituar nga ky pastrim parash 69 milionë dollarë.

Presidenti rus, Vladimir Putin dhe violonçelisti Sergei Roldugin
Presidenti rus, Vladimir Putin dhe violonçelisti Sergei Roldugin

Kjo nuk është hera e parë që emri i Rorldugin ndërlidhet me shpëlarjen e parave. Emri i tij u përmend edhe në vitin 2016 në të ashtuquajturat “Letrat e Panamasë”, ku ai del se posedon një rrjet të kompanive fiktive që kanë kontrolluar miliarda dollarë dhe që kanë pasur lidhje biznesi me manjatët e pasur që janë parë si të afërt me Putinin.

Roldugin i ka kundërshtuar të gjitha këto.

Sipas hetimit të OCCRP-së, kjo ndërmarrje ka qenë më shumë se sa skemë e pastrimit të parave. Ajo, sipas hulumtimit, u përdor gjithashtu si "një mjet investimi i fshehur, një fond i ngushtë, një skemë e evazionit fiskal dhe shumë më tepër".

Hulumtimi i Projektit për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP) me seli në Sarajevë gjeti se përmes kësaj skeme të pastrimit të parave, anëtarët e biznesit dhe elitës politike në Rusi iu mundësia të blinin në mënyrë të fshehtë aksione në ndërmarrjet shtetërore apo të blejnë pasuri të paluajtshme si në Rusi ashtu edhe jashtë saj, ndërsa në dokumentet zyrtare, pronarët e kompanive të huaja që e bën këtë të mundshme, ishin fermerët armenë që jetojnë në zona rurale.

Përgatiti: Kestrin Kumnova
XS
SM
MD
LG