Udhëheqësit evropianë fillojnë të mbërrijnë në Shtëpinë e Bardhë
Në Shtëpinë e Bardhë kanë nisur të mbërrijnë udhëheqësit evropianë, përpara takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
I pari që arriti ishte sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Më pas, në Shtëpinë e Bardhë hyri presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Pas saj mbërriti kryeministri britanik, Sir Keir Starmer.
Pas tij mbërriti kryeministrja italiane, Giorgia Meloni.
Sulmet ruse vrasin civilë ukrainas para takimit të rëndësishëm në Uashington
Sulmet ruse me dronë goditën një ndërtesë banimi në qytetin lindor ukrainas të Harkivit, para një takimi të rëndësishëm në Uashington ndërmjet udhëheqësve të Ukrainës, atyre evropianë dhe të SHBA-së.
Prefekti i Harkivit tha më 18 gusht se të paktën 7 persona u vranë dhe më shumë se 20 u plagosën. Qyteti i Zaporizhjas, po ashtu, u godit nga sulme të përgjakshme.
Në përgjithësi, sulmet ruse gjatë natës në qytetet ukrainase i vranë 10 njerëz. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i quajti sulmet “përpjekje cinike” për t’i minuar bisedimet në Uashington.
Trump: Do të jetë një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar se do të jetë “një ditë e madhe në Shtëpinë e Bardhë”, pak orë para takimit me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe udhëheqësit evropianë, për bisedime mbi përfundimin e luftimeve në Ukrainë.
“Kurrë nuk kemi pasur kaq shumë udhëheqës evropianë këtu në të njëjtën kohë. Një nder i madh për Amerikën!!” shkroi ai.
Bisedimet në Uashington pritet të përfshijnë Trumpin, Zelenskyn, shefin e NATO-s Mark Rutte, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe presidentin finlandez Alexander Stubb.
Këto bisedime pasojnë samitin e Trumpit në Alaska me presidentin rus, Vladimir Putin, më 15 gusht. Asnjëri nga liderët nuk zbuloi shumë mbi përmbajtjen e atyre diskutimeve gjatë një konference të shkurtër për shtyp, ku nuk pranuan pyetje nga gazetarët.
Megjithatë, mediat perëndimore kanë raportuar se Putini propozoi një marrëveshje paqeje që do të përfshinte tërheqjen e Ukrainës nga një zonë e gjerë territori në rajonin e Donbasit.
Kjo ka ndezur alarmin në Kiev dhe kryeqytetet evropiane, të cilat frikësohen se tërheqja nga zona të fortifikuara do ta linte Ukrainën rrezikshëm të ekspozuar ndaj sulmeve të tjera ruse.
Për çfarë garancish për Kievin u pajtuan Trump dhe Putin?
Më 17 gusht, dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, i tha rrjetit televiziv amerikan, CNN, se gjatë samitit në Alaskë ishte arritur marrëveshje që SHBA-ja dhe aleatët e saj të ofronin garanci “vendimtare” për Ukrainën në formën e “mbrojtjes si Neni 5”, edhe pse nuk dha hollësi konkrete.
Garancitë e sigurisë për Kievin janë një çështje kyç në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve gjatë pushtimit rus të Ukrainës.
Sipas tij, pas takimit mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, Rusia nuk do ta kundërshtonte një gjë të tillë si pjesë e një kuadri të mundshëm paqeje.
Fraza lidhet me Nenin 5 të traktatit themelues të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që është klauzola kryesore sipas së cilës një sulm i armatosur kundër një anëtari konsiderohet si sulm kundër të gjithëve.
Por, ndryshe nga besimi i përgjithshëm, ky nen nuk obligon automatikisht anëtarët e NATO-s për ndërhyrje të plotë ushtarake. Ai parasheh që secili shtet anëtar “do ta ndihmojë palën ose palët e sulmuara duke marrë menjëherë, individualisht ose në bashkëpunim me të tjerët, veprimet që i konsideron të nevojshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës së armatosur”.
Më shumë rreth kësaj çështje lexoni në artikullin më poshtë: