Ndërlidhjet

Zemërimi nga media sociale


Zemërimi është kudo këto ditë.
Në rrugë...

Në kinema...

...dhe padyshim në skenën politike.

I gjithë ky zemërim duket se është i përqendruar në një vend: median sociale.

Platforma ka kontribuar për të mirë: ka shpërfaqur kriminelë, ka ekspozuar korrupsionin dhe ua ka bërë me dije të mëdhenjve dhe të vegjëlve se nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar.

Por, një nga burimet e forcës së saj – që u jep përdoruesve mundësinë t’i bëjnë opinionet e tyre të njohura për botën – ka ndihmuar po ashtu në nxitjen e një “kulture të zemërimit” që, sipas ekspertëve, kërcënon bisedat produktive.

Përpara medias sociale, shumë ngjarje ose tema debati kanë mbetur të izoluara. Sot, edhe grimcat më të izoluara të zemërimit mund të ndezin zjarr të madh global.

Një gjë e tillë padyshim se mund të nxisë veprim progresiv. Për shembull, kompanitë që përfitojnë nga puna e fëmijëve mund të bojkotohen; ose një vrasës, krimi i të cilit për kohë të gjatë nuk është ndëshkuar, mund të ekspozohet dhe të ndëshkohet.

Megjithatë, hapja e medias sociale i ka edhe rreziqet e saj, si ngacmimi kibernetik që mund t’i vërë individët në rrezik shumë real, ose, për ironi, të mbysë fjalën e lirë.

Një raport i publikuar në tetor të vitit 2018 nga Instituti WebRoots Democracy me seli në Londër, në lidhje me abuzimin online të debatit politik, konstaton se media sociale po bëhet një mjedis armiqësor për ata që shprehin mendime politike.

Në veçanti, raporti thekson se gratë dhe pakicat i nënshtrohen shpesh “një niveli toksik të abuzimit, i cili përqendrohet në identitetin e tyre” kur ato angazhohen në biseda politike në internet.

Rezultati, sipas shefit ekzekutiv të institutit, Areeq Chowdhury, është se disa përdorues frikësohen se do të përballen me "ngacmime, kërcënime dhe sjellje abuzive" në internet nëse ata publikojnë pikëpamjet e tyre në faqet e disponueshme të internetit.

“Hulumtimi ynë zbulon se përdoruesit i vetëcensurojnë opinionet e tyre online nga frika [e abuzimit] dhe për to flasin në forume private”, ka thënë Chowdhury.

Një nga rastet më të spikatura të ngacmimit kibernetik në vitin 2018 ka qenë sulmi kundër një profesoreshe amerikane, e cila ka thënë se një kandidat për gjykatës të Gjykatës Supreme të SHBA-së e ka sulmuar atë seksualisht në vitet 1980.

Ajo është thirrur të dëshmojë para Komitetit të Senatit për Drejtësi në shtator, por përpara dëshmisë emailet dhe adresa e shtëpisë së saj janë shpërndarë në median sociale. Ngacmimi kibernetik, përfshirë kërcënimet me vdekje, e kanë detyruar të punësojë një ekip për sigurinë dhe të zhvendoset së paku katër herë.

Gjykatësi Brett Kavanaugh i ka mohuar akuzat dhe është konfirmuar gjykatës i Gjykatës Supreme. Në fund të nëntorit, akuzuesja e tij Christine Blasey Ford nuk ka mundur ende të kthehet në punë ose në shtëpinë e saj.

Në një tjetër rast, një turiste amerikane ka gjuajtur dhe vrarë një gjirafë të rrallë të zezë në Afrikën e Jugut. Ajo është bërë cak i kritikave të ashpra online pasi fotografitë e saj pranë kafshës së vrarë kanë pushtuar median sociale.

Ueb-faqja e lajmeve Africalandpost i ka kopjuar fotografitë e gruas dhe i ka postuar në Twitter, duke e quajtur atë “amerikane të bardhë të egër” dhe duke thënë se “emri i saj është Tess Thompson Talley; ju lutem, shpërndajeni”.

Brenda orësh, dhjetëra mijëra përdorues të zemëruar në internet i kanë ripostuar fotografitë e Talleyt, së bashku me mesazhe të urrejtjes.

Njerëz të famshëm i janë bashkuar shpejt stuhisë, duke i inkurajuar ndjekësit e tyre të bëjnë të njëjtën gjë.

Aktorja Debra Messing e ka cilësuar Talleyn si “vrasëse të neveritshme, të egër, amorale, pa shpirt dhe egoiste”, ndërsa aktori Jeffrey Write ka thënë se ajo është një “kolonizuese e vetëshpallur”.

Ata në anën tjetër të çështjes, përfshirë Talleyn, i kanë pasur po ashtu argumentet e tyre. Ajo i ka thënë Daily Mail se gjuetia është diçka në të cilën beson dhe se sulmet në mediat sociale kanë qenë të këqija për faktin se ajo është grua.

"Nëse mediat digjitale e bëjnë më të lehtë shprehjen e zemërimit, kjo mund të intensifikojë përvojat pasuese të zemërimit", ka shkruar së voni shkencëtarja e Universitetit Yale, Molly Crockett, në revistën shkencore Nature.

Ajo po ashtu ka paralajmëruar se dezinformimi i rregullt dhe “lajmet e egra” përmes medias sociale mund të formojnë emocione morale në atë mënyrë që ta bëjnë më të vështirë ndryshimin e shoqërisë për të mirë.

“Nëse lajmet e bëjnë vazhdimisht gjakun tuaj të vlojë, ju mund të mos keni energji për veprime që bëjnë dallimin, të tilla si vullnetarizmi, marshimi ose votimi”, ka thënë Crockett.

Problemi, në disa mënyra, po përkeqësohet dhe po çon në disa pasoja të papritura, ka thënë Guy Atchison, hulumtues i sjelljes në median sociale, pranë Kolegjit Mbretëror në Londër.

“Ju do të vini re se njerëzit po lodhen nga përdorimi i platformave në median sociale”, ka thënë Atchison për Radion Evropa e Lirë.

Disa studime psikologjike sugjerojnë se “efekti i mosndëshkimit online” – kur njerëzit ndërveprojnë me njëri-tjetrin online në një mënyrë që nuk do të silleshin po të flisnin ballë për ballë – i kontribuon zemërimit në median sociale.

“Kur ju nuk e shihni personin para jush, nuk mund t’i gjykoni emocionet e tij. Nuk mund të gjykoni tonin e zërit të tij. Nuk mund t’ia shihni shprehjet e fytyrës. Andaj, jeni më të prirë për t’i denoncuar, sulmuar dhe abuzuar në atë mënyrë që nuk do ta bënit personalisht”, ka thënë Atchison.

Sipas tij, platformat në median sociale përfitojnë nga zemërimi online, sepse postimet me përmbajtje zemërimi ka të ngjarë të marrin më shumë “pëlqime” (“likes”) dhe “shpërndarje” (“shares”).

“Për momentin, ato janë të ndërtuara në atë mënyrë që të përfitojnë nga turpërimi online publik. Sa më shumë klikime që marrin, aq më shumë përfitojnë”, ka thënë Atchison.

Hulumtuesit pajtohen se zemërimi në median sociale është bërë një problem serioz, por ka mospajtime të mëdha për mënyrën e zgjidhjes së çështjes.

WebRoots Democracy thotë se qeveritë, individët që përdorin internetin dhe firmat në median sociale ndajnë përgjegjësinë për luftën kundër abuzimit në internet.

Për Britaninë, instituti rekomandon krijimin e një zyre për rregullimin e medias sociale për të monitoruar se sa efektive janë kompanitë online në luftën kundër abuzimeve.

Por, Chowdhury, shefi ekzekutiv i organizatës, pranon se rritja e rregullimit shtetëror të medias sociale kërkon legjislacion të ri dhe se është kundërshtuar nga firmat e mediave sociale dhe avokatët e fjalës së lirë.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG