Ndërlidhjet

Super e Marta në SHBA: Ngushtohet gara e demokratëve


Mike Bloomberg, Elizabeth Warren, Bernie Sanders dhe Joe Biden gjatë një debati presidencial.

Shumica e shteteve në SHBA mbajnë të martën zgjedhjet paraprake, në të cilat votuesit zgjedhin kandidatin e tyre të preferuar demokrat, që do të garojë për president të Shteteve të Bashkuara.

Në ditën që njihet si Super e Marta, zgjedhjet paraprake mbahen në 14 shtete dhe rezultati i tyre mund të sjellë një pasqyrë më të qartë se kush do të jetë kandidati që do ta sfidojë presidentin republikan, Donald Trump, në zgjedhjet e nëntorit.

Në garë për nominimin e Partisë Demokratike aktualisht janë pesë kandidatë, ndërsa Bernie Sanders ka dalë i pari në disa zgjedhje të deritashme paraprake.

Suksesi i tij ka ardhur si befasi, marrë parasysh se senatori i Vermontit ka humbur kundrejt Hillary Clintonit në garën e vitit 2016.

Sanders kërkon ndryshime liberale në shoqëri dhe transformim të sistemit politik dhe ekonomik të SHBA-së.

Senatori Bernie Sanders, ish-nënpresidenti Joe Biden dhe senatorja, Elizabeth Warren. Foto nga arkivi.
Senatori Bernie Sanders, ish-nënpresidenti Joe Biden dhe senatorja, Elizabeth Warren. Foto nga arkivi.

Shanset për suksesin e ish-nënpresidentit Joe Biden janë rritur po ashtu, pasi dy kandidatë që kanë dalë nga gara, Pete Buttigieg dhe Amy Klobuchar, kanë shprehur mbështetje për të.

Biden, i cili njihet për qasje pragmatike në qeverisje, ka shënuar fitore të madhe në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut.

Ish-kryetari i Nju Jorkut dhe miliarderi, Mike Bloomberg, garon për herë të parë në zgjedhjet paraprake dhe ka investuar shumë në fushatën e tij.

Senatorja Elizabeth Warren nuk ka shënuar sukses të madh deri më tash, por është zotuar se do të mbetet në garë deri në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike, që do të mbahet në verë.

Në garë është edhe ligjvënësi Tulsi Gabbard, i cili në sondazhet kombëtare ka dalë vazhdimisht i fundit.

Super e Marta është e rëndësishme për shkak të numrit të delegatëve që fitojnë kandidatët. Mbi 1,350 delegatë do të shpërndahen.

Në korrik pastaj, në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike, delegatët që përfaqësojnë të gjitha shtetet dhe territoret amerikane, zgjedhin kandidatin presidencial të partisë.

Këtë vit, një kandidati të Partisë Demokratike i duhen 1,991 vota të delegatëve për të fituar nominimin e partisë.

Përpara votimeve në Super të Martën, tetë agjenci të ndryshme të Qeverisë amerikane, përfshirë Departamentin e Drejtësisë, Byronë Federale të Hetimeve dhe komunitetin e inteligjencës, kanë paralajmëruar kundër ndërhyrjes së huaj në zgjedhje.

"Amerikanët duhet të jenë të vetëdijshëm se aktorët e huaj vazhdojnë të përpiqen të ndikojnë publikun dhe të formësojnë perceptimet e votuesve", thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.

Rusia është akuzuar për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA, në favor të zgjedhjes së Trumpit president.

Trump dhe autoritetet ruse i kanë mohuar akuzat.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG