Ndërlidhjet

Zgjedhjet lokale: 21 komuna i zgjodhën kryetarët, 17 shkojnë në balotazh

• Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet për kryetarë të komunave dhe përfaqësues të kuvendeve komunale. KQZ-ja njoftoi se pjesëmarrja në votime ishte 40 për qind.

• Të drejtë vote kishin 2 milionë e 69 mijë e 98 votues brenda Kosovës, ndërsa rreth 44 mijë votues kanë qenë të regjistruar për të votuar nga jashtë vendit.

09:47 12.10.2025

Prokuroria garanton mbrojtjen e votës në zgjedhjet lokale

Për zgjedhjet lokale që po mbahen sot, Prokuroria e Shtetit tha se ka angazhuar rreth 100 prokurorë dhe zyrtarë prokurorialë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor.

Në një njoftim nga Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës bëhet e ditur se prokurorët janë në zyrat e prokurorive ose stacionet policore, duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës për të parandaluar çdo parregullsi.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, mbikëqyr zbatimin e detyrave të prokurorëve dhe fton qytetarët, subjektet politike dhe institucionet të raportojnë çdo rast dyshimi për manipulim të votës, thuhet, mes tjerash, në njoftim.

Pamje nga një qendër votimi.
Pamje nga një qendër votimi.
09:28 12.10.2025

Kurti fton qytetarët të dalin për të votuar

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, votoi rreth orës 9:00 në një qendër votimi në Prishtinë.

Pas hedhjes së votës, ai iu drejtua gazetarëve duke ftuar të gjithë qytetarët, pa dallim, që të përfshihen aktivisht në vendimet për komunat e tyre.

“Votojmë për të vendosur për katër vjetët e ardhshëm në komunat tona. Përveçse qytetarë të Republikës së Kosovës, jemi edhe banorë të komunës. Ftoj të gjithë qytetarët ta shfrytëzojnë të drejtën, të bëhen hisedarë në zgjidhjen e problemeve që kanë”, tha ai.

Kurti dha mesazhin e tij edhe në gjuhën serbe dhe atë angleze.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti - Fotografi arkivi
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti - Fotografi arkivi
09:14 12.10.2025

Për ju që sapo na jeni bashkuar:

  • Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se të gjitha vendvotimet për zgjedhjet lokale janë hapur në kohë, me përjashtim të ndonjë vonese.
  • KQZ-ja ka siguruar se platforma për rezultatet preliminare, e cila gjatë zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit ka pasur pengesa të vazhdueshme, tashmë është funksionale.
  • Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në orën 11:30, kur do të njoftohet për pjesëmarrjen e votuesve deri në orën 11:00.
  • Zgjedhjet po zhvillohen edhe në komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - të cilat për më shumë se dy vjet kanë qenë nën udhëheqjen e kryetarëve shqiptarë.
  • Për më shumë informacione rreth këtyre zgjedhjeve, shikoni këtë video.
08:58 12.10.2025

Akuza Serbisë për ndërhyrje në zgjedhje

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë për ndërhyrje të drejtpërdrejta në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Gjatë takimit me kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, më 9 tetor, ajo theksoi se Serbia po ndikon përmes “blerjes së votës, frikësimit dhe dhunës” - një praktikë që, sipas saj, është përsëritur ndër vite.

Akuza të ngjashme bëri edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Ai tha se Serbia po ndërhyn duke bërë vendime për vende pune dhe përfitime financiare.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG