Ndërlidhjet

Kurti për shtyrjen e zgjedhjeve, opozita kundër


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, është për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, të caktuara tash për tash për datën 17 tetor.

Kurti dhe kryetarët e tjerë të partive politike u pritën të hënën në takim nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me qëllim diskutimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi u zhvillua pas një letre që Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) i dërgoi Osmanit, me rekonandimin për shtyrjen e zgjedhjeve, për shkak të situatës së rënduar pandemike.

Kosova, javëve të fundit, është përballur me valë të rëndë të infektimeve dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Të hënën, përqindja e të infektuarve ka qenë në rënie të lehtë.

“Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re - për shkak se varianti Delta [i koronavirusit] është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor - ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve. Sidoqoftë, ne nuk e imponojmë qëndrimin tonë. Le të merret cilido vendim që merret, ne do ta respektojmë atë. Por, jemi të brengosur, meqenëse nuk krahasohen zgjedhjet lokale me zgjedhjet parlamentare nacionale, nuk janë 110 kandidatë, janë diku 900 kandidatë... dhe nuk votohet vetëm një herë, por do të kemi edhe balotazh”, tha Kurti.

Ai nuk tregoi se për sa kohë është kërkuar shtyrja e zgjedhjeve.

Pas takimit me presidenten Osmani, përfaqësuesit e partive opozitare u shprehën kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nuk beson se do të ketë shtyrje të procesit zgjedhor.

Ai tha se partitë opozitare janë të gatshme që të mos ketë fare fushatë zgjedhore ose të ketë vetëm disa ditë.

“Kërkova po ashtu edhe nga ana e Qeverisë që t’i japë prioritet vaksinimit të trupave zgjedhorë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe punonjësve të tij, të komisionerëve, të vëzhguesve të partive politike, në mënyrë që ata të jenë të mbrojtur dhe të mos jenë në rrezik të bartjes së infeksionit në ditën e zgjedhjeve. Kemi kërkuar edhe përshpejtim të procesit të vaksinimit”, tha Krasniqi.

“Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe kjo çështje është një e mirë për demokracinë", tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

"Unë kam propozuar që të shkurtohet fushata zgjedhore për të ruajtur shëndetin e njerëzve dhe kam marrë përgjigje vetëm nga PDK-ja dhe AAK-ja, por jo edhe nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Abdixhiku.

Përfaqësuesi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, po ashtu u shpreh kundër shtyrjes së zgjedhjeve, ashtu si edhe Qazim Rrahmani nga Partia e Ashkalinjve për Integrim.

Emilia Rexhepi, kryetare e Partisë së Re Demokratike, tha se ka kërkuar që zgjedhjet të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG