Ndërlidhjet

Nis monitorimi i zgjedhjeve lokale në Maqedoni


Zgjedhjet në Maqedoni, fotografi nga arkivi

Fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale në Maqedoni fillon më 25 shtator, megjithëse organizatat joqeveritare të cilat monitorojnë procesin zgjedhor thonë se ajo tashmë ka filluar dhe me këtë, sipas tyre, partitë kanë shkelur afatet ligjore.

Sfidë ne vete mbetet krijimi i kushteve për zgjedhje të lira dhe eliminimi i të gjitha anomalive që përcollën proceset zgjedhore në të kaluarën.

Shefja e misionit të OSBE/ODIHR-së në Maqedoni ambasadorja Audry Glover, sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, thotë se ekziston një kornizë ligjore gjithëpërfshirëse e cila duhet respektohet, por si do të jenë zgjedhjet, sipas ambasadores Glover varet se a do ta respektojnë këtë proces pjesëmarrësit në zgjedhje, njerëzit, autoritetet, komunat dhe Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

ODIHR kishte vërejtjet e veta në të kaluarën, të cilat kanë të bëjnë me tërë procedurën e zgjedhjeve. Kjo është ajo që ne mbulojmë dhe gjithsesi tani do të shohim se deri në cilën shkallë këto vërejtje janë jetësuar në pajtim me kriteret e Kopenhagës të OSBE-së. Kjo është ajo që do ta ndjekim”, i tha Radios Evropa e Lirë shefja e misionit të OSBE/ODIHR-së në Maqedoni, ambasadorja Audry Glover.

Ajo njëherësh thotë se misioni i OSBE/ODIHR do të jetë i fokusuar se si partitë politike do ta zbatojnë kornizën ligjore, që të ketë zgjedhje korrekte.

Nuk mund të krahasohen një palë zgjedhje me zgjedhjet e tjera. Secilat zgjedhje janë të veçanta në mënyrën e vet. Do të shohim se deri në ç’shkallë janë zbatuar vërejtjet e mëparshme dhe do ta ndjekim tërë procesin zgjedhor, duke filluar nga regjistrimi i votuesve, regjistrimi i kandidatëve, dita e zgjedhjeve, dita më pas dhe do të mbarojmë kur do të shqyrtohen të gjitha ankesat. Prandaj, në këtë fazë nuk mund të thuhet se si do të sillet ndonjë parti politike ose si do të reagojë”, thotë ambasadorja Glover.

Në këtë drejtim, Albert Musliu nga Instituti për Zhvillimin e Demokracisë për Radion Evropa e Lirë thotë se pavarësisht se gara mes partive politike do të jetë e ashpër, megjithatë sipas tij, nuk do të ketë shumë hapësirë për keqpërdorim të votave, për shkak të presionit të madh të bërë nga faktori ndërkombëtar.

Mendoj se në këto zgjedhje të gjitha palë që garojnë në zgjedhjet vendore do të ruhen më shumë sa i përket keqpërdorimeve dhe manipulimit të procesit zgjedhor.Në krahasim me ciklet e kaluara zgjedhore, keqpërdorimet do të jenë ose më të vogla ose shumë më të sofistikuara”, thotë Musliu.

Përderisa, Xhabir Deralla drejtori i Qendrës Civile për Liri - Civil, thotë se ende pa filluar fushata zgjedhore, monitoruesit e kësaj organizate kanë vërejtur një varg parregullsish që kanë të bëjnë me mospastrimin e listës së votuesve, fillimit të fushatës para datës së caktuar, si dhe tendencat për nxitjes së tensioneve.

Para së gjithash imponohet frika përmes gjuhës së urrejtjes për të nxitur tensione ndëretnike, ndërfetare. Së fundmi e kemi dhe nxitjen e frikës me çështjen e imponuar të migrantëve”.

Gjithsesi mbetet shumë punë sa i përket ndarjes së partisë nga shteti”, thotë drejtori i Qendrës Civile për Liri – Civil Xhabir Deralla.

Ndryshe, misioni i OSBE/ODIHR do të mbikëqyrë zgjedhjet me 20 vëzhgues afatgjatë, të cilët tanimë kanë arritur në Shkup dhe 16 prej të cilëve janë ekspertë.

Ndërkohë, që pak para zgjedhjeve pritet të arrijnë edhe 300 vëzhguesafatshkurtër.

Asociacioni MOST do të mbikëqyrë procesin me 80 vëzhgues afatgjatë dhe me 2000 vëzhgues afatshkurtër në ditën e zgjedhjeve, që do të vendoset në secilën komunë.

Procesi do të vëzhgohet edhe nga Civil me 106 vëzhgues të akredituar, por Civil shpreson edhe në mbështetjen e disa qindra bashkëpunëtorëve, të cilët, siç thonë nga kjo organizatë, kanë ndjekur nga afër situatën për vite me radhë.

XS
SM
MD
LG