Ndërlidhjet

Partitë, manovrime për koalicione parazgjedhore


Maqedoni, fotografi nga arkivi

Partitë politike po bëjnë përgatitjet e fundit për të hyrë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 15 tetorit, ndërsa në këtë kuadër po zhvillohen edhe bisedime për koalicione të mundshme. Përveç dy koalicioneve të mëdha nga LSDM-ja në pushtet e Zoran Zaevit dhe VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit, me partitë e vogla maqedonase si edhe me ato të bashkësive tjera etnike, në sipërfaqe është edhe një koalicion mes LSDM-së dhe Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.

Dy partitë në disa nga 80 komunat ku do të zhvillohen gara për zgjedhjet lokale nuk kanë nxjerrë kandidatë për kryetar komunash duke lënë të hapur mundësinë e mbështetjes së kandidatëve të njëri-tjetrit. Kjo, në veçanti do të vinte në shprehje për Shkupin ku BDI-ja nuk ka nxjerrë kandidat ndërsa LSDM-ja kandidatët të saj nuk ka nxjerrë në Çair, Tetovë, Gostivar, që nënkuptohet si mbështetje për partinë e Ahmetit.

Parimisht ka disponim për bashkëpunim ndërmjet LSDM-së dhe BDI-së, ne kemi koalicion në nivel qendror dhe këtë mendojmë ta përforcojmë këtë koalicion edhe në nivelin lokal, varësisht prej kontekstit lokal. Është ky një koalicioni i ri evropian dhe reformues që duhet ta kthen vendin në trajektoren e Bashkimit Evropian dhe mendoj se kjo është krejtësisht pozitive dhe kjo do të bëhet publike pas verifikimit të kandidaturave nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve”, thotë Bujar Osmani, zëdhënës i Bashkimit Demokratik për Integrim.

Kjo është konfirmuar tashmë edhe nga LSDM-ja e Zaevit edhe pse ende nuk ka një zyrtarizim publik mbi formën e bashkëpunimit.

Njohësit e çështjeve politike thonë se hezitimi për të publikuar koalicionin bëhet për të reagimeve të mundshme në opinion, pikërisht për shkak të akuzave që kanë pasur dy partitë ndaj njëra tjetrës deri para formimit të Qeverisë së re të formuar nga dy partitë. LSDM-ja deri para zgjedhjeve të 11 dhjetorit, por edhe pas tyre, BDI-në e cilësonte si parti të kriminalizuar që ishte në pushtet për më shumë se 10 vjet me VMRO-në e Nikolla Gruevskit. Në saje të këtyre akuzave, LSDM-ja në zgjedhje mori shumë vota të elektoratit shqiptar që sipas Mersim Maskuti, profesor i së drejtës kushtetuese dhe njohës i çështjeve politike, bëri që kjo parti të dalë me rezultat thuajse të barabartë me VMRO-në.

Pazaret politike midis partive politike në Maqedoni në prag të zgjedhjeve lokale, nuk i shoh si qasje demokratike, aq më tepër kur një pjesë e votuesve shqiptarë kanë votuar partinë maqedonase që erdhi si rezultat i ndëshkimit të subjekteve politike shqiptare. Pra, askush nuk mund të thirret në emër të këtyre votuesve apo të punojnë për orientimin e tyre varësisht kalkulimeve politike. Ata duhet të lihen të lirë të votojnë, në mënyrë demokratik pasi ata me siguri se do të bëjnë zgjidhjen më të mirë se çdo subjekt tjetër i imponuar politik”, thotë Maksuti duke shtuar se qytetarët, në veçanti ata shqiptarë, duhet lënë vet të votojnë, pa ndikime apo imponime nga partitë, në këtë rast nga LSDM-ja.

Maksuti thotë se partia e Zaevit mund të jetë e detyruar të formojë koalicion me BDI-në për shkak të mbështetjes që mori në momentet e fundit për formimin e Qeverisë së re pas braktisjes së koalicionit shumëvjeçar më VMRO-në.

Orientimi i Zaevit tek një pjesë e votuesve të tij që të votojnë BDI-në ose ndonjë subjekt tjetër, është në mënyrë imponuar pasi ai e ka pasur të kushtëzuar formimin e Qeverisë nga këto subjekte dhe në një mënyrë ai me dashje apo jashtë vullnetit të tij është i detyruar të hyjë në pazare të tilla politike, që për mendimin tim nuk është demokratike”, thotë Maskuti profesor i së drejtës kushtetuese dhe njohës i çështjeve.

Përveç këtij bashkëpunimi të mundshëm, koalicione tjera nuk janë paralajmëruar edhe pse nuk përjashtohet një mundësi e tillë në rrethin e dytë zgjedhor kur edhe do të vendoset për fituesin e zgjedhjeve në komuna. VMRO-DPMNE- ja disa herë ka bërë të ditur se do të votojë kundër partive në pushtet apo se votat e saj do të jenë vendimtare, por pa saktësuar se cilën parti do të mbështeste në këtë rast. Një koalicion i mundshëm në rrethin e dytë nuk përjashtohet as mes Lëvizjes Besa dhe Aleancës për Shqiptarët, parti të cilat zhvilluan bisedime por pa arritur një marrëveshje konkrete për koalicion parazgjedhor.

XS
SM
MD
LG