Ndërlidhjet

Reuters: Një i vrarë dhe qindra të arrestuar nga protestat në Bjellorusi


Protestat në Minsk të Bjellorusisë.

Të paktën një person u vra, dhjetëra u plagosën, dhe më shumë se njëqind demonstrues u arrestuan të dielën në mbrëmje dhe herët të hënën në mëngjes, gjatë trazirave në rrugët e Minskut dhe qyteteve të tjera në Bjellorusi, njoftoi Reuters, duke cituar një grup të të drejtave të njeriut - Vyasna (Pranvera).

"Ka të paktën 120 të arrestuar, por këto janë të dhënat fillestare”, i tha Valentin Stefanovia agjencisë Reuters.

Për shkak të problemeve të komunikimit, ata thonë se nuk ishte e mundur të mblidheshin të gjitha të dhënat.

Forcat e sigurisë u përleshën me mbështetësit e opozitës, të cilët nuk i njohin rezultatet e zgjedhjeve, që u fituan bindshëm nga presidenti aktual, Alyaksandr Lukashenka.

Të hënën, Komisioni Zgjedhor në Bjellorusi shpalli rezultatet preliminare të zgjedhjeve presidenciale, duke thënë se presidenti aktual Lukashenka ka fituar 80.23 për qind, ndërsa rivalja e tij, Svyatlana Tsikhanouskaya, 9.9 për qind të votave.

Opozita bjelloruse akuzon për mashtrime në zgjedhje

Svyatlana Tsikhanouskaya, tha në një konferencë për media se ajo nuk i njeh rezultatet.

Svyatlana Tsikhanouskaya.
Svyatlana Tsikhanouskaya.

"Unë besoj në sytë e mi dhe shoh që shumica janë me ne", tha Tsikhanouskaya nga selia e saj.

Protestat shpërthyen në të gjithë kryeqytetin, pasi qendrat e votimit u mbyllën.

Policia e gjuajti me plumba gome dhe përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë protestuesit në disa pjesë të Minskut.

Dëshmitarët okularë, në dy lokacione, thanë se zyrtarët policorë, që ndërhyn në trazira, ulën mburojat e tyre dhe nuk pranuan të përlesheshin me protestuesit.

Lukeshenka, pas votimit në Minsk, tha se as ai dhe as qeveria nuk do të lejojë që Bjellorusia të futet në “kaos” apo “luftë civile” pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Alyaksandr Lukashenka.
Alyaksandr Lukashenka.

“Jo, situata nuk do të dalë jashtë kontrollit. Askush nuk do të lejojë që të ndodhë një gjë e tillë. Ju garantoj”, tha ai, duke shtuar se autoritetet janë duke shqyrtuar një varg mundësish të përgjigjes, nëse ka pakënaqësi të qytetarëve.

Zgjedhjet në Bjellorusi u mbajtën pas arrestimit të më shumë se 1,000 mbështetësve opozitarë, ndalimit të disa personave që të kandidojnë në këto zgjedhje si dhe pretendimeve për një komplot rus, i cili u tha se po tenton të nxitë paqëndrueshmëri në këtë shtet.

Lukashenka është në krye të Bjellorusisë që nga viti 1994.

Në zgjedhjet presidenciale garuan katër kandidatë, por fokusi ishte i vendosur në Tsikhanouskaya, e cila në momentet e fundit zëvendësoi burrin e saj, Syarhey Tsikhanouski, një figurë e njohur në Bjellorusi që ka kritikuar Lukashenkan. Syarhey Tsikhanouski u ndalua që të marrë pjesë në zgjedhje, pasi në fund të majit ishte arrestuar.

BE-ja kundërshton dhunën ndaj protestuesve

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula van der Leyen ka dënuar dhunën kundër protestuesve në qytetet Bjelloruse.

"Shtypja e dhunshme e protestuesve paqësorë nuk ka vend në Evropë. Të drejtat themelore në Bjellorusi duhet të respektohen. Unë u bëj thirrje autoriteteve bjelloruse që të sigurojnë numërimin e saktë dhe publikimin e votave nga zgjedhjet e djeshme", njoftoi fan der Lajen në rrjetin social Twitter.

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki u ka bërë thirrje krerëve të Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian që të zhvillojnë një samit special të Bashkimit Evropian për Bjellorusinë, tha kabineti i tij.

Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë dënoi dhunën dhe u bëri thirrje autoriteteve Bjelloruse "të ndalojnë përshkallëzimin e situatës dhe të fillojnë të respektojnë të drejtat themelore të njeriut".

Një zëdhënës i qeverisë gjermane tha në një konferencë shtypi se as standardet minimale nuk ishin respektuar në votime dhe shtoi se Bashkimi Evropian po diskutonte se si të reagojë.

“Ka sinjale të shumta për mashtrime në zgjedhjet presidenciale në Bjellorusi", tha ai.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

XS
SM
MD
LG