Ndërlidhjet

Legjitimiteti i zgjedhjeve në veri vihet në rrezik


Mitrovicë e Veriut

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë tha se ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në komunat në veri të Kosovës, por nga Lista Serbe thanë se kjo parti dhe qytetarët që e mbështesin atë, nuk do të jenë pjesë e këtij procesi zgjedhor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shpalli 18 dhjetorin datë të mbajtjes së zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan - që të gjitha komuna të banuara me shumicë serbe.

Deri te ky vendim erdhi pasi kryetarët e këtyre komunave - nga Lista Serbe - dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.

Procesi i riregjistrimit kundërshtohet nga shumica e serbëve në veri, ashtu si edhe nga Beogradi zyrtar.

Ata janë kundër targave RKS, apo Republika e Kosovës, në të cilat insiston Qeveria e Kosovës.

Dushan Radakoviq, nga organizata joqeveritare Qendra për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike, thotë se KQZ-ja mund të organizojë zgjedhje të parakohshme në veri, por se ato nuk do të kenë legjitimitet pa pjesëmarrjen e komunitetit serb.

Eksperti i sigurisë, Plator Avdiu, kujton se Policia e Kosovës ka përvojë në ruajtjen e rendit dhe të qetësisë gjatë procesit zgjedhor, por shton se duhet të shmanget çdo lloj i përshkallëzimit të situatës.

KQZ-ja miratoi planin operacional

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të martën se ka miratuar planin për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në veri të Kosovës.

Plani parasheh afatin për aplikim të subjekteve politike dhe të kandidatëve që duan të marrin pjesë në zgjedhje, konfirmimin e tyre, pastaj emërimin e komisioneve komunale zgjedhore etj.

KQZ-ja përcaktoi se fushata zgjedhore do të zgjasë nga data 8 dhjetor deri më 16 të atij muaji.

Ky komision miratoi edhe buxhetin për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili kap vlerën e më shumë se 556 mijë eurove.

Presidentja Osmani e shpalli datën e zgjedhjeve pas konsultimeve që mbajti me përfaqësues të partive politike.

Në këtë takim nuk mori pjesë Lista Serbe - partia që, deri më tash, ishte në krye të katër komunave në veri të Kosovës - ndërsa disa politikanë opozitarë serbë bënë thirrje për shtyrjen e zgjedhjeve, me qëllim të shmangies së tensioneve të mundshme, thanë ata.

Misionet ndërkombëtare pa përgjigje

Presidentja Osmani tha se do t’u drejtohet të gjithë partnerëve ndërkombëtarë me kërkesën për monitorimin e zgjedhjeve.

Osmani, po ashtu, tha se institucionet e sigurisë në Kosovë do t’i ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm, në mënyrë që qytetarët, pa dallim etnie, të ndihen të sigurt dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Radio Evropa e Lirë pyeti Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Bashkimin Evropian nëse do ta monitorojnë ose ndihmojnë organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.

Dushan Radakoviq thotë se nuk do të ketë asgjë për t’u monitoruar nëse pjesëtarët e komunitetit serb nuk marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

“Ju e dini që unë, si Demokraci në Veprim, organizoj gjithë procesin [zgjedhor], me vëzhgues në çdo vendvotim. Por, nëse nuk kemi shkolla, nëse nuk kemi njerëz nga komisioni komunal zgjedhor, është e pamundur të organizohen [zgjedhje]”, thotë Radakoviq.

Demokracia në Veprim është një grup i organizatave joqeveritare që monitorojnë proceset zgjedhore në Kosovë. Pjesë e këtij grupi është edhe Qendra e Radakoviqit për Përfaqësimin e Kulturës Demokratike.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Radakoviq thotë se, në të kaluarën, qendrat e votimit në komunat në veri janë hapur në institucione arsimore, por ato funksionojnë me sistemin e Serbisë, kështu që, shton ai, ekziston mundësia që drejtorët të mos e lejojnë shfrytëzimin e shkollave për zgjedhje.

REL pyeti edhe Policinë e Kosovës nëse ka ndonjë plan për ditën e zgjedhjeve, por nuk mori përgjigje.

Sikurse kryetarët e komunave në veri, edhe policët serbë dhanë dorëheqje nga Policia e Kosovës.

Zgjedhjet e mëparshme lokale në veri të Kosovës

Zgjedhjet e para lokale me ligjet e Kosovës në veri u organizuan në vitin 2013, pasi Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Në atë kohë, me mbështetjen e Beogradit zyrtar, u formua edhe Lista Serbe, e cila fitoi gati në të gjitha zgjedhjet lokale dhe parlamentare në Kosovë, me më shumë se 90 për qind të votave.

Misioni vëzhgues i BE-së, megjithatë, tërhoqi vërejtjen se Lista Serbe “ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës” dhe, sipas tij, ka pasur “raste të kërcënimit dhe presioneve” mbi votuesit.

Para vitit 2013, nën administrimin e Qeverisë së Kosovës, në veri funksiononte vetëm Zyra Administrative për Mitrovicën e Veriut.

Radakoviq kujton se para vitit 2013, zgjedhjet e Kosovës janë mbajtur në disa objekte private në veri, por thekson se ato zgjedhje nuk kanë pasur legjitimitet.

Ai thotë se nëse vazhdon insistimi për mbajtjen e zgjedhjeve në veri, mund të ketë përshkallëzim të situatës.

Video nga arkivi i REL-it: Largimi i serbëve të veriut nga institucionet e Kosovës ka pezulluar jetën institucionale në këtë pjesë.

Dyer të hapura dhe institucione boshe në komunat në veri
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:05:31 0:00

Organizata joqeveritare “Demokracia në Zhvillim” konfirmoi se do t’i monitorojë zgjedhjet e 18 dhjetorit.

Por, Allen Meta, hulumtues i projekteve në këtë organizatë, thotë se pas njoftimit të Listës Serbe se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, legjitimiteti i tyre vihet në pikëpyetje.

“Mund të ketë presione te qytetarët që të mos dalin në zgjedhje dhe, si rrjedhojë, kjo mund ta ulë legjitimitetin e kryetarit të zgjedhur. Pastaj, mund të ndikojë edhe në rritjen e tensioneve tjera në mes të qytetarëve në pjesën veriore [të Kosovës]”, thotë Meta për Radion Evropa e Lirë.

Kosova “duhet të koordinohet” me partnerët ndërkombëtarë

Plator Avdiu, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në komunat në veri, është i domosdoshëm koordinimi i institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë: Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Marrë parasysh situatën aktuale politike, Avdiu thotë se Policia e Kosovës duhet të jetë vigjilente dhe të mos bjerë pre e “provokimeve nga strukturat politike apo kriminale serbe”.

“Nuk është hera e parë që mbahen zgjedhje në veri, Policia e Kosovës tashmë ka përvojë. Por, në aspektin e sigurisë, duhet të shmangim çdo lloj trendi destabilizues dhe ta monitorojmë situatën, në mënyrë që të shmangim çdo tension”, thotë Avdiu.

Sipas tij, qëllim i Serbisë, aktualisht, është të krijojë një situatë të tensionuar, për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve.

“Por, kjo varet shumë edhe nga dinamika që do të ndërmarrë dialogu i udhëhequr nga Brukseli... sa do t’i afrojë ai palët në tavolinën e bisedimeve”, thotë Avdiu.

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha se u ka ofruar palëve një propozim për dalje nga kriza, por nuk dha shumë detaje rreth tij.

Çfarë thotë Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë?

Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se “pas shpërbërjes së Kuvendit të Komunës ose shkarkimit të kryetarit të Kuvendit Komunal, nëse nuk parashtrohet ankesë në afat prej pesë ditësh te Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme lokale shpallen nga presidenti i Kosovës”.

Sipas ligjit, zgjedhjet shpallen jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërndarjes së kuvendeve komunale, ndërsa ato duhet të mbahen jo më herët se 30 dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes.

Reagimi i Beogradit

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, reagoi ndaj vendimit të presidentes Osmani për shpalljen e datës së zgjedhjeve, duke thënë se ky proces “është i destinuar të dështojë”.

Sipas tij, bëhet fjalë për “një përpjekje të re të Prishtinës për të pushtuar” veriun e Kosovës, “duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor”.

“Kjo është edhe një dëshmi se Prishtina asnjëherë nuk ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës, por, përkundrazi, është munduar të zbatojë dhe rrumbullakojë idenë e saj për Shqipërinë e madhe dhe t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore”, tha Petkoviq, duke mos ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.

Beogradi zyrtar e mbështeti daljen e serbëve nga institucionet në veri të Kosovës, si dhe nga Kuvendi dhe Qeveria e Kosovës.

XS
SM
MD
LG