Pamje nga disa vendvotime në Mitrovicë të Veriut dhe atë të Jugut
KQZ: Probleme me rrymën në disa qendra votimi
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se gjatë ditës së zgjedhjeve janë raportuar probleme me mungesë të energjisë elektrike në gjashtë qendra votimi në komunat: Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan.
Ai shtoi se komisionet komunale të zgjedhjeve i kanë njoftuar autoritetet përgjegjëse për këto probleme dhe se ato tashmë janë zgjidhur.
Radoniqi i bëri komentet në konferencën për media të orës 11:30, kur edhe njoftoi se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 ishte 8.27 për qind.
“Nga të dhënat që kemi marrë nga rreth 94% të vendvotimeve, numri i qytetarëve që kanë votuar është 165.404 votues apo 8.27%. Deri në të njëjtën kohë në zgjedhjet në shkurt kishin votuar 169.650 votues”, tha Radoniqi.
Konferenca e radhës e KQZ-së do të mbahet në 15:30.
Disa të dhëna nga KQZ-ja për pjesëmarrjen në zgjedhje
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 11:00 ishte pak mbi 8%.
Komuna me pjesëmarrjen më të lartë është Ranillugu, ku kanë votuar mbi 16% e qytetarëve, ndërsa më e ulëta regjistrohet në Leposaviq - vetëm 0.08%.
Në kryeqytetin Prishtinë, deri më tani, votuan pak mbi 10% e qytetarëve.
Kandidati i LDK-së për kryeministër voton në Prishtinë
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, votoi rreth orës 10:45 në Prishtinë.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë për, siç tha, të ardhmen euroatlantike të Kosovës.
“Shpresojmë që procesi i votimit të shkojë mbarë e mirë, le të fitojë populli i Kosovës”, deklaroi Abdixhiku për gazetarët.