Pamje nga disa qendra votimi në Kosovë
Në fotogalerinë më poshtë mund të shikoni disa fotografi që kanë kapur fotoreporterët tanë, Bujar Tërstena dhe Ibrahim Berisha, në disa qendra votimi.
Në total janë 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime.
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Deri në orën 10:00, pjesëmarrja në votime ka arritur në 2.64%, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Mes atyre që kanë ushtruar të drejtën për votë, janë edhe kandidatët për kryeministër nga LVV-ja, PDK-ja dhe AAK-ja, të cilët u kanë bërë thirrje qytetarëve të dalin të votojnë.
- Në Mitrovicën e Veriut është vërejtur shkuarje kolektive drejt vendvotimeve - një praktikë kjo e zakonshme tashmë në këtë komunë me shumicë serbe.
- Në garë janë gjithsej 24 subjekte politike, përfshirë 18 parti politike, tri koalicione parazgjedhore, dy iniciativa qytetare dhe një kandidat të pavarur.
- Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.999.024 qytetarë, ndërsa votimi zhvillohet nga ora 07:00 deri në 19:00 në 910 qendra votimi.
Kandidati i PDK-së për kryeministër voton në Mitrovicë të Jugut
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër, Bedri Hamza, votoi rreth orës 10:00 në Mitrovicë të Jugut.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë sipas bindjeve dhe vullnetit të tyre.
Kandidati i LVV-së për kryeministër voton në Prishtinë
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti, votoi në Prishtinë rreth orës 9:40.
“Shpresoj që pjesëmarrja të jetë masive”, tha Kurti para gazetarëve.
Sipas tij, sa më e lartë të jetë pjesëmarrja, aq më e mirë do të jetë cilësia e zgjedhjeve dhe legjitimiteti i institucioneve që do të dalin prej tyre.
Kurti iu drejtua mediave në shqip, anglisht dhe serbisht.