Pjesëmarrja në zgjedhje vazhdon të rritet gjatë ditës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se pjesëmarrja në zgjedhje deri në orën 13:00 ishte 17.84%.
Sipas të dhënave të publikuara në ueb-faqen e KQZ-së, Ranillugu prin me pjesëmarrjen më të lartë, 33.28%, ndërsa Leposaviqi ka pjesëmarrjen më të ulët, 1.57%.
Në kryeqytetin Prishtinë, deri në këtë orë votuan 21.51% e qytetarëve me të drejtë vote.
Viti 2025 me institucione jofunksionale dhe bllokadë legjislative
Pothuajse i gjithë viti 2025 kaloi me institucione jo plotësisht funksionale në Kosovë.
Pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, konstituimi i Kuvendit u zvarrit për disa muaj, ndërsa Qeveria e re nuk arriti të formohej.
Kjo situatë prodhoi pasoja të ndjeshme, veçanërisht në aspektin legjislativ.
Për më shumë detaje, materiali më poshtë:
Për ju që sapo na jeni bashkuar:
- Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime ka arritur 8.27%, sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
- Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, njoftoi se janë regjistruar probleme me energjinë elektrike në gjashtë qendra votimi në komunat Istog, Ferizaj, Viti, Rahovec, Graçanicë dhe Gjilan, të cilat më pas janë zgjidhur.
- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi pas votimit se pret që rezultatet e zgjedhjeve të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re.
- Të drejtën e votës e kanë ushtruar edhe kandidatët për kryeministër: Albin Kurti (LVV), Bedri Hamza (PDK), Lumir Abdixhiku (LDK) dhe Ramush Haradinaj (AAK).
- Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë 1.999.024 qytetarë, ndërsa qendrat e votimit do të qëndrojnë të hapura deri në orën 19:00.
Osmani voton në Prishtinë, uron zgjedhje të qeta
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, votoi pak pas mesditës në Prishtinë.
Pas hedhjes së votës, ajo uroi që zgjedhjet të zhvillohen në mënyrë të qetë, të rregullt dhe demokratike.
Osmani shfaqi shpresën për një pjesëmarrje sa më të madhe të qytetarëve në procesin zgjedhor, ndërsa tha, gjithashtu, se pret që rezultatet të mundësojnë formimin sa më të shpejtë të Kuvendit dhe zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës.
Formimi i këtyre institucioneve, sipas saj, është i domosdoshëm për procese të rëndësishme të brendshme dhe ndërkombëtare për Kosovën.